Nëse ka një vlerë që e identifikon një individ të rritur, pavarësisht sfidave dhe situatave që mund të hasë, kjo padyshim është edukata. Ajo është përçuesja e parë e cilësisë së jetës sonë si njerëz dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqërinë tonë.
Edukata bazë përfshin aftësi të rëndësishme që na mundësojnë të komunikojmë në mënyrë të kultivuar dhe të kuptojmë më mirë realitetin që na rrethon. Kjo përfshin komunikimin verbal dhe formal, por edhe aftësi të tjera që na ndihmojnë të interpretojmë dhe të respektojmë normat dhe vlerat e shoqërisë.
Të themi që, edukata është një busull në jetën tonë, përndryshe humbasim orientimin kur bëhemi vulgarë. Edukata nuk është thjesht një pjesë e rutinës së ditës, por është një sjellje që na bën të ndjehemi të lidhur me botën rreth nesh. Pa edukatë, mund të ndjehemi të humbur, të paqartë, apo edhe të papërgatitur për të jetuar në një shoqëri ku çdo marrëdhënie ka nevojë për respekt dhe mirëkuptim. Ajo është një komponent thelbësor i integrimit dhe bashkëjetesës në çdo mjedis social. T’i biem më shkurt: mund të kesh koeficient të lartë inteligjence por po nuk pate edukatë dhe shpreh më shumë arrogancë, i ke ulur mjaft pikë vetes.
Në kujtimet e mia të fëmijërisë, kur isha në klasën e parë, mësuesit e ciklit të ulët na udhëzonin mbi rëndësinë e edukatës. Bënim dhe një lëndë që quhej “Edukata morale”. Ata theksonin se ajo fillon nga familja, forcohet në shkollë dhe vazhdon të zhvillohet me kalimin e kohës. Në fund, edukata bëhet një pjesë e natyrshme e personalitetit të çdo individi. Të dish të përshëndetësh, të pyesësh “Si je?”, të tregosh kujdes për të tjerët me një “A je mirë?”, të interesohesh për një tjetër me pyetje si “Si shkoi dita?” apo “Kur do shihemi sërish?” janë elemente të thjeshta, por shumë të rëndësishme të edukatës. Ajo është gjithashtu një ndjenjë mirësjelljeje që tregon respekt dhe kujdes, jo vetëm për të tjerët, por edhe për vetveten.
Në një mjedis ku komunikimi është thelbësor, edukata është rregulli themelor që jo vetëm na bën të kuptojmë dhe të interpretojmë botën, por gjithashtu ndihmon në krijimin e një ambienti ku bashkëjetesa është e mundur. Këto thënie të thjeshta si: “Përshëndetje”, “Më fal nëse ju shqetësoj” mund të duken të zakonshme, por janë elementë kyç të një norme sociale që duhet të ruhet dhe të mbrohet. E thënë ndryshe, këto nuk janë thjesht fraza të zbrazëta, ato janë shenja respekti dhe nderimi që nuk mund të injorohen, pa çuar në pasoja për individin dhe shoqërinë. Madje “Të lutem” dhe “Faleminderit” janë cilësuar gjithmonë si: fjalë magjike. Padyshim, për disa, ato mund të duken të kota. Mund të thoni se “Nuk është e nevojshme të përshëndesësh” apo “Përse të tregohem i sjellshëm kur nuk kam nevojë?” por, edhe në këto raste, etika e komunikimit të thotë që, pavarësisht dëshirës personale, ne jemi të detyruar ta respektojmë tjetrin. Të tregosh një nivel të lartë vetëpërmbajtjeje dhe etikë është një detyrim për të ruajtur harmoninë dhe respektin në shoqëri, duke e bërë atë më të shëndetshme dhe më të bashkuar.
Po japim një shembull: Goni nga fshati i thoshte kushëririt të tij Benit nga qyteti që ai duhet t’i përshëndeste të gjithë njerëzit me të cilët ndesheshin në rrugë. Dhe kur Beni pasi i tha se nuk mund të përshëndeste njerëz që nuk i njihte insistoi me batutën: ohu, më lodhet goja. Ajo që na bën ne të reflektojmë më tej, dhe ta marrim si të mirëqenë vetëm nga një sekuencë filmike mbështetur mbi një roman, është kundërbatuta e Gonit i cili ia ktheu Benit: Me fjalë të mira nuk të lodhet goja! Dhe besoj i kemi thënë të gjitha me kaq.
Në ditët e sotme, komunikimi është bërë më kompleks dhe ndonjëherë edhe më i ashpër. Shumë herë, fjalori dhe edukata shpërfillen, madje abuzohen. Kemi një tendencë për të shfaqur arrogancë dhe mungesë respekti, që nuk njeh kufij. Përshëndetja, dikur një normë e thjeshtë dhe e natyrshme, po zëvendësohet me një shkurtesë të ftohtë si “Prsh” dhe gjithashtu po humbet thelbin e saj si shenjë respekti. Kjo tregon jo vetëm mospërfillje të tjetrit, por gjithashtu një ndjenjë të humbur lidhjeje me një shoqëri që kërkon bashkëpunim dhe harmoni. Kjo sjellje e papërshtatshme jo vetëm që i dëmton marrëdhëniet ndërnjerëzore, por gjithashtu tregon më shumë për karakterin dhe integritetin e individit që i shkel këto parime.
Kështu, për ne, si shoqëri, është urgjente të kujdesemi për edukatën dhe ta mbrojmë atë si një vlerë të paçmueshme, sepse në fund të fundit, pa edukatën, ne nuk mund të funksionojmë si një shoqëri e zhvilluar dhe e bashkuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.