Editorial

April 24, 2025 | 8:30

Orjona Tresa: Kur vota bëhet pazar, morali humbet

 

Para se të synoni për karrigen e deputetit, ktheheni një herë kokën pas, jo shumë larg, tek fëmijëria. Kujtoni të kaluarën me njerëzit që keni ndarë bukën më shumë nga zemra sesa nga bollëku, keni qarë hallet, keni ftohur kokën. Është arritje e denjë të ecësh përpara, të kesh kaluar sfida, pengesa, dyer të mbyllura. Por nëse, kur kërkoni votën, zgjidhni të abuzoni me mëshirën e njerëzve, atëherë nuk po e kërkoni votën, por po e blini atë me ndjeshmëri të fabrikuar. Dhe kjo është e turpshme.

votim1

Ky pështjellim, aspak i shëndetshëm por ngjitës, po më ndodh gjatë ditëve të fushatës për zgjedhjet parlamentare. Ky ‘ushqim’ më helmon kur ndeshem me pamje performancash të tilla, që deputetë në pritje për të rrëmbyer votën dhe për t’ia hedhur edhe një katërvjeçari tjetër, zhyten e shqyen nëpër popull si e si t’ia dalin edhe këtë herë në mandatin e ri për partinë që përfaqësojnë. Ca shkojnë edhe më larg me shëmtinë. Një vezë e zier për Pashkë, një kafe në oborrin e një simpatizanti, një selfie me “deputetin e ardhshëm” nuk janë mjete komunikimi, janë skena teatri. Dhe fushata po më ngjan gjithnjë e më shumë me një dramë absurde, ku aktorët luftojnë për një rol, jo për një kauzë. Po helmohen këto ditë me këtë “ushqim elektoral” të hidhur, të pashëndetshëm, por që serviret çdo ditë nëpër rrjetet sociale dhe në sytë e popullit. Deputetë në pritje, që zhyten nëpër rrugicat e qytetit si peshq të uritur pas grepit të votës, gati të bëjnë gjithçka që i ndan nga mandati i radhës.

Por ç’është më e dhimbshme? Të shohësh turpin që merr formë njerëzore. Si ajo video që pashë, ku një i moshuar i sëmurë, në spital, ngritur si Kostandini nga varri për të përmendur kandidaturën e një “zonje të emancipuar”, që, për çudi, kishte pranuar të binte kaq poshtë. Urova që ta kishin mashtruar, se nëse kjo ishte e vërteta, ajo grua s’e meriton as të përmendet në listën e përfaqësuesve.

votimTani, për t’iu rikthyer edhe një herë asaj që nisa më lart, dhe këtë e kam me sinqeritet, mendoj se individët që pretendojnë për të marrë një votë, të përpiqen të rregullojnë ca gjëra të vjetra, që edhe pse i kanë lënë aty ku kanë qenë se ndoshta jeta i ka rrëmbyer dhe i kanë harruar, të përpiqen t’i kujtojnë. Të kthesh sytë pas është akt force, jo dobësie. Kujto të afërmit, fqinjët, shokët që të kanë parë në rrugëtimin tënd, që s’të kanë kërkuar ndonjë favor, por që e kanë pasur shpresën, të paktën, të mos harroheshin. Ata njerëz s’duan asgjë më shumë sesa të trajtohen me dinjitet, një gjë që ligji ua njeh, por sistemi ua mohon, në mungesë të një tesere partie apo të një ryshfeti të heshtur.

Fëmijëria është një mësues i heshtur që flet me kujtime. Aty ku ndihma jepet jo për interes, por sepse “është gjëja e duhur për të bërë”. Aty ku s’kishte nevojë për mëshirë, vetëm për mbështetje. Dhe kjo është ajo që sot mungon.

Mos flisni për ndershmëri me fjalë që s’i mbështet asgjë! Bëhuni shembull! Jo me poza të detyruara, jo me fjalime të lexuara. Me vepra që flasin për ju kur nuk jeni aty. Sepse e nesërmja vjen shpejt, dhe të zhvesh më shumë se çdo kamera.

Dhe, për Zotin, ndaloni me mesazhet familjare për votë! Nuk ndërtohet dashuria me kërkesa, por me kujtime të forta e me ndihmë të sinqertë. Bëni një gjë të mirë që kur të mos jeni më, të mos ju përmendin si një nga ata që “erdhi vetëm për vota”!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top