Editorial

January 7, 2025 | 7:04

Orjona Tresa: Le të jetë 2025, viti ku dashuria të triumfojë në çdo sfidë!

 

Çdo fillim viti sjell me vete një frymë shprese dhe aspiratash. E kjo është e shëndetshme për këdo në kuadër të rritjes personale dhe profesionale. Por vitin 2025 duhet ta shohim dhe si një mundësi për të reflektuar mbi vlerat që na udhëheqin si shoqëri. Një shembull i shkëlqyer në këtë drejtim është Nënë Tereza, simbol i dashurisë dhe humanizmit, e cila na mësoi se pa dashuri nuk ka jetë. Dhe ne, të rinjtë e mijëvjeçarit të ri nuk po e vlerësojmë ashtu siç duhet. Madje, po e shëmtojmë atë me ngjarje dhe ndodhi të rënda.

orjona

Nënë Tereza e kuptoi se dashuria fillon nga familja, dhe është ky thelb i vlerave që duhet të kultivojmë në çdo aspekt të jetës sonë. Ajo, e ardhur nga një familje e vogël, zgjodhi ta shtojë atë, duke ftuar brenda saj me mijëra njerëz të varfër, të paushqyer, ta pastrehë, të sëmurë rëndë dhe të padashur, t’u dhurojë atë që u mungonte dhe i shëronte në të vërtetë. Nënë Tereza u dha gjithë dashurinë që meritonin, ashtu siç vetëm familja e shëndoshë di të japë. Është ajo shtëpi ku formohen karakteret dhe ndjenjat. Nëse kultivojmë dashurinë brenda mureve të shtëpisë sonë, mund të krijojmë një shoqëri më të shëndetshme dhe më të fortë. Një individ më të dashur dhe të dhimbsur, të afërt dhe të gjindshëm. Vetëm përmes dashurisë dhe empatisë mund të kapërcejmë çdo pengesë. Familja ndërton njeriun, atë për të cilin kemi nevojë më shumë së kurrë sot.

Ndaj në 2025, le të angazhohemi për të forcuar lidhjet tona familjare, për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të ndarë dashuri dhe mirësi. Le të jemi aktivë në komunitetet tona, duke u angazhuar për kauza që promovojnë dashurinë dhe solidaritetin. Çdo veprim i vogël ka rëndësi, dhe ndihma për ata në nevojë është një mënyrë e shkëlqyer për të shprehur dashuri. Le të jemi të vetëdijshëm për sfidat që na rrethojnë, qofshin ato sociale, ekonomike apo ambientale. Duke punuar së bashku dhe duke treguar mirëkuptim, mund të krijojmë një të ardhme më të ndritur.

rruge222

Le të jetë viti 2025 një mundësi për t’u angazhuar në një rrugë të re, ku dashuria, mirëkuptimi dhe solidariteti të jenë qendra e çdo veprimi. Në frymën e Nënë Terezës, le të kujtojmë se çdo ditë është një mundësi për të bërë një ndryshim, duke filluar nga vetja dhe familja jonë. Vetëm duke ndarë dashuri dhe duke u kujdesur për njëri-tjetrin mund të arrijmë të jemi më të mirë.

Le të bëjmë që 2025 të jetë viti ku dashuria të triumfojë mbi çdo sfidë!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top