Është muaj magjik. Dhe ka një shkëlqim të veçantë. Sepse është një periudhë e ndërlidhur me magjinë e festave dhe ngrohtësinë që të jep ndjenja e vazhdueshme e një shprese të pakufishme. Ky muaj, i mbushur me drita, ngjyra dhe melodi, sjell jo vetëm një ndjesi gëzimi të menjëhershëm, por edhe një reflektim të thellë për atë që kemi kaluar dhe për atë që do të vijë. Sepse fundi i tij ka të bëjë dhe me vijën e kufirit ku në mënyrë jo fort imagjinare ndahet një periudhë kohore nga një tjetër. Sepse rrotullimi i plotë i Tokës rreth Diellit ka përfunduar. Dhe lëvizja vazhdon pandërprerë në një cikël 365 ditor. Në këtë muaj, çdo ditë që kalon është një thirrje për të qenë më të mirë, për të dhuruar më shumë dhe për të krijuar kujtime që mbeten të pashlyeshme.
Në ajrin e ftohtë të Dhjetorit, kur natyra bëhet e qetë dhe krijon një pamje thuajse mistike, ditët e festave krijojnë një kontrast të bukur. Fëmijët lodrojnë me sy të ngazëllyer e me ëndrra për dhurata shumëllojshme, ndërsa të rriturit përpiqen të gjejnë balancën mes punës dhe gëzimit të festimeve. Dhjetori është gjithashtu muaji i mundësive të panumërta, sepse ke kohën për t’u kthyer pas dhe për të reflektuar mbi vitin që kemi lëmë pas, për të mësuar nga gabimet dhe për të festuar arritjet. Në atmosferën festive të këtij muaji, magjia që ngjall çdo ngjarje dhe çdo moment është ajo e solidaritetit dhe e dashurisë. Të gjitha ato tradita që ndihmojnë për të afruar njerëzit, që nga shtrëngimi i duarve, ndarja e një vakti, dhuratat që jepen me shpirt, të cilat krijojnë një rrjet të padukshëm që lidh zemrat, ndihmon për t’u harruar dhe lënë pas çdo ndarje apo mosmarrëveshje. Dhe, si në çdo përrallë të vjetër, magjia e Dhjetorit është ajo që nuk shteron kurrë, pavarësisht sa e mundimshme mund të jetë jeta. Për shumë nga ne, Dhjetori është gjithashtu një kthim në thjeshtësinë e festave familjare dhe në kujtimet e fëmijërisë, kur çdo ornament, çdo këngë dhe çdo dritë kishte një kuptim të veçantë. Çdo kohë që kalon, me siguri na bën më të mençur, por kurrë nuk do të mund të harrojmë dritat e para të vitit të ri, entuziazmin që ndjeheshim kur prisnim ardhjen e festave, as emocionin kur shihnim botën që ngjyrosej me drita, më të bukura se kurrë. Sepse kur je i vogël, dhe ndoshta jo aq i sofistikuar në veprimet e tua të mençurisë, je shumë më i pafajshëm dhe i çliruar për ta shijuar gjithçka në mënyrë festive.
Dhjetori është gjithashtu një muaj i transformimit. Duket sikur ai transformon kohën, ndjenjat dhe lidhjet mes njerëzve. Është një mundësi për t’u rizbuluar dhe për të riparë se çfarë ka rëndësi vërtetë. Kur të gjitha dritat janë ndezur dhe kur zogjtë e dimrit fluturojnë në qiellin e ftohtë, ne e kuptojmë se kjo është ajo periudhë e vitit që na kujton se mund të shndërrohemi, mund të bëhemi më të mirë, mund të ndajmë dhe ta jetojmë magjinë që lind në çdo detaj të festave. Në një botë që shpesh është e mbushur me stres dhe lodhje, Dhjetori magjik na ofron mundësinë të ndalojmë dhe të kthejmë sytë drejt asaj që është e bukur, e vlefshme dhe e rëndësishme. Nuk ka asnjë tjetër muaj që na sjell më shumë mundësi për të reflektuar, për të falur dhe për të dashuruar, për të shijuar çastet më të thjeshta që bëhen më të çmuara në këtë periudhë të vitit.
Dhe ndoshta, magjia më e madhe e Dhjetorit është se ajo ndikon tek ne në një mënyrë që shkon përtej gjithçkaje të dukshme, duke na kujtuar gjithashtu që shpirti njerëzor ka një mundësi të pafundme për të dashur dhe për të dhuruar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.