Fati i jetimëve është një fat që nuk mund të kuptohet plotësisht nga ata që kanë një familje, sepse jetimët e kanë fatin e fëmijërisë së braktisur. Dashuria që ata e kërkojnë shpesh është e ndarë: me motra dhe vëllezër të tjerë, me “prindër” të tjerë. Ata janë rritur në strehime foshnjash, fëmijësh, apo institucione të tjera të ngjashme. Dashuria e nënës, e cila është e natyrshme për shumicën e fëmijëve, ka munguar për ta.
Çdo ditë ka qenë një luftë e pafundme për t’u ndier të pranuar, të dashur, për t’i dhënë kuptim ekzistencës së tyre. Ata kanë qarë, kanë vuajtur dhimbje, dhe shumë herë janë ndjerë të humbur në një botë që nuk i ka pritur me krahë hapur. Por ndonjëherë, ndonjë ditë të mirë e kanë arritur. Disa mund të kenë gjetur dashuri dhe ngrohtësi tek mësues, stafi i institucioneve, apo tek shokët dhe shoqet e tyre. Megjithatë, kjo dashuri nuk mund të zëvendësojë kurrë përkujdesjen dhe ngrohtësinë e një familjeje të vërtetë.
Ata janë edukuar ndryshe nga fëmijët që rriten me prindërit e tyre biologjikë. Kjo është një edukatë që, ndonëse mund të jetë e dobishme, ndoshta nuk mund t’i mbushë ata me atë që u mungon, dashurinë e natyrshme të një familjeje. Siç thonë shumë studime të kohëve të fundit, fëmijët që rriten në institucione shpesh zhvillojnë sfida të ndryshme psikologjike dhe emocionale që i shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Në Shqipëri, shumë prej tyre përballen me trauma të pashlyeshme, të mbajtura të fshehura nën petkun e institucioneve të strehimit.
Në 34 vitet e fundit, fatkeqësisht, ka shumë pak që mund të thuhet për përmirësimin e kushteve të jetimëve në Shqipëri. Megjithëse janë bërë përpjekje dhe ka pasur disa projekte për integrimin e tyre, por ende mbeten shumë sfida. Fëmijët jetimë shpesh mbeten të braktisur, pa mbrojtjen e duhur, të dhunuar shpirtërisht dhe fizikisht, dhe shumë herë të margjinalizuar nga shoqëria. Vitet e fundit, disa raporte të autoriteteve ndërkombëtare dhe organizatave për të drejtat e njeriut kanë theksuar mungesën e strukturave mbrojtëse dhe edukative për këta fëmijë, një problematikë që vazhdon të mbetet e paadresuar.
Për më tepër, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve shpesh bën thirrje për ndihmën e shoqërisë, duke thënë se: “Me ne (jetimët) shoqëria është edhe më e mirë!” Por a po bëhet mjaftueshëm? Çfarë është bërë konkretisht për të përmirësuar jetën e këtyre fëmijëve? A po krijohen mundësi për t’i integruar ata në shoqëri dhe për t’i ofruar mundësi për një të ardhme më të mirë?
Në këtë Ditë Kombëtare të Jetimëve, duhet të reflektojmë dhe të veprojmë! Duhet të ofrojmë më shumë dashuri, më shumë mbështetje dhe mundësi për jetimët, që ata të kenë mundësinë të realizojnë potencialin e tyre.
Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet me dashuri, me siguri, dhe me mundësi për një jetë të lumtur. Le të bëjmë të mundur që kjo ditë të jetë më shumë se një datë kalendarike, dhe të kthehet në një thirrje për veprim, për ata që nuk kanë një vend të sigurt dhe të ngrohtë për të jetuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.