Korrik. Dritë përtej dritës. Zhurma e ventilatorëve, aroma e lëkurës së nxehur nga dielli dhe pushimet e përfolura si shpëtim i përvitshëm. Duket si muaji ideal për të mos menduar shumë. Dhe ndoshta për këtë arsye, është muaji më i mirë për të folur për… fokusin.
Nuk e di nëse më ndodh vetëm mua, por kohët e fundit më kap shpesh vetja duke lëvizur nëpër ditë si me autopilot: hap telefonin për të parë orën dhe përfundoj duke lexuar një artikull për diçka që nuk më intereson fare; dal për të blerë bukë dhe rikthehem me katër gjëra që nuk më duhen, por bukën e harroj. Koka ime, duket, ka më shumë dritare të hapura sesa një shfletues interneti.
Duket si një marramendje, njëlloj vorbulle ku gjithçka kërkon vëmendjen tënde, që nga ekranet, njoftimet, reklamat, bisedat, fokusi është bërë luks. Dhe si çdo luks, është i rrallë, i vlefshëm dhe jo gjithmonë i lehtë për t’u përballuar.
Kur ishim fëmijë, fjala “fokus” na vinte nga mësuesja: “Fokuso! Këtu vëmendjen! Mos u shpërqendro!”. Ishte si një kërkesë për disiplinë, për rregull, për ndjekje të një vije të drejtë. Por sot, më duket se “fokus” ka marrë një tjetër ngjyrim. Jo më ndëshkim, por shpëtim. Jo më kërkesë për të bërë më shumë, por mundësi për të ndier më thellë. Për të qenë aty plotësisht. Në një bisedë. Në një mëngjes të thjeshtë. Në një ide që po merr formë.
Më ndodh të humbas me veten, në përhumbjen e punës, ashtu siç më ndodh edhe për shumë gjëra të tjera si grua, të cilat na bëjnë të mësojnë në heshtje. Një pasdite, ndërsa po përpiqesha të publikoja, apo postoja, një shkrim në rrjetet sociale të revistës, mama ime më tërhoqi vëmendjen për të më treguar diçka. “Ma shikon pak?” – më tha. Nuk kërkonte asgjë tjetër, veç një miratim për diçka që e kishte blerë me qejf. Për të më thënë se i kishte pëlqyer, por kërkonte dhe një pohim ekstra për të vërtetuar shijen e saj, aty, pa shpërqendrime. Fokusi, kuptova, është mënyra si e duam. Si i tregojmë tjetrit (dhe vetes) që ka kaq shumë rëndësi. Është më shumë se një dhuratë, ndaj duhet të përpiqemi ta zgjojmë këtë cilësi si nevojë dhe domosdoshmëri njëherësh.
Korriku është muaji kur gjithçka duket më e ngadaltë, më e butë, më e ndjeshme ndaj vëmendjes. Është një ftesë për të kthyer dritën nga brenda, për të pyetur: ku po e çoj energjinë time? Kujt po i kushtoj kohën më të mirë të ditës? Dhe a po i jap vetes mundësinë të jem plotësisht në diçka, qoftë edhe një bisedë, një libër, një pushim i heshtur?
Ky editorial është një kujtesë për mua dhe për ty. Se ndoshta nuk kemi nevojë të bëjmë më shumë, por të jemi më shumë aty ku jemi. Me vëmendje. Me fokus. Jo si detyrim, por si mënyrë jetese. Si zgjedhje për të jetuar më pak të hutuar dhe më shumë të vetëdijshëm.
Sepse në fund të fundit, çfarëdo që të kërkojmë, qetësi, kuptim, lidhje, krijimtari, e gjejmë vetëm kur ndalojmë dhe fokusohemi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.