Aktualitet

February 6, 2025 | 7:02

Orjona Tresa: Nevoja për punonjës socialë për prindërit e vetëm: Një emergjencë sociale dhe psikologjike

Nga Orjona Tresa
Shtimi i rasteve të divorceve në Shqipëri vitet e fundit ka sjellë një fenomen shqetësues që ndikon drejtpërdrejt tek mirëqenia emocionale e fëmijëve. Nënat që mbajnë të vetme përgjegjësinë për rritjen e fëmijëve shpesh gjenden në situata të rënduara psikologjike. Këto gra të lënduara dhe të mbingarkuara emocionalisht, në disa raste, kanalizojnë ndjenjat e zemërimit dhe frustrimit ndaj ish-bashkëshortëve ose familjarëve të tyre përmes sjelljeve të dhunshme ndaj fëmijëve.
screenshot_20250205_224548_youtube

Një rast i publikuar në emisionin investigativ “Fiks Fare” nxori në pah një situatë të dhimbshme: një nënë e dhunonte fëmijën e saj psikologjikisht dhe fizikisht. Një situatë që u bë publike pasi babai i fëmijës kërkoi ndihmë nga autoritetet dhe media për mosrespektimin e vendimit të gjykatës për takimin e fëmijës me të. Vendosja e një kamere të fshehtë vërtetoi dhunën që po ndodhte brenda mureve të shtëpisë.

Ky është vetëm një ndër shumë raste që tregojnë mungesën e strukturave sociale të posaçme për të trajtuar situatat e ngarkuara psikologjike të prindërve të vetëm dhe për të mbrojtur fëmijët nga pasojat e konflikteve familjare. Në zonat jashtëqytetase, problematika bëhet edhe më e madhe për shkak të mungesës së punonjësve socialë. Në shumë raste, rolin e tyre përpiqen ta plotësojnë mësuesit ose dashamirës rrethanorë, të cilët shpesh tejkalojnë përgjegjësitë morale për të ndihmuar si prindin, ashtu edhe fëmijën.

screenshot_20250205_224649_youtube

Ndërkohë, fëmijët mbeten viktimat kryesore të një divorci konfliktual. Ata nuk janë fajtorë për ndarjen e prindërve dhe nuk duhet të trajtohen si të tillë. Shoqëria duhet të mësojë të trajtojë divorcin jo si një betejë ku duhet medoemos të ketë viktima, por si një sfidë që kërkon zgjidhje të kujdesshme dhe mbështetje institucionale.

Për këtë arsye, nevoja për punonjës socialë dhe mbështetje psikologjike për prindërit e vetëm është emergjente. Punonjësit socialë mund të ndihmojnë në ndërmjetësimin e konflikteve, edukimin për prindërim pozitiv dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për fëmijët.

Siç sugjeron një teori psikologjike, “Nëse dëshiron të rritësh një fëmijë të shëndetshëm, duhet të fillosh të edukohesh për përgjegjësinë e prindërimit 20 vjet para konceptimit.” Kjo thënie merr një rëndësi të veçantë sot, kur rastet e dhunës familjare janë dëshmi e dështimit të kësaj përgatitjeje. Nëse nuk ndërmarrim hapa konkretë, do të vijojmë të rrisim fëmijë të gjymtuar emocionalisht, që potencialisht mund të bëhen dhunues në të ardhmen.

Për një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë, duhet të investojmë në prindërim të ndërgjegjshëm dhe në mbështetje të mirëstrukturuar sociale.

screenshot_20250205_224604_youtube

Situata e prindërve të vetëm, veçanërisht pas divorcit, dhe ndikimi negativ tek fëmijët kërkojnë një përgjigje shumëdimensionale. Këtu janë disa hap për ta adresuar këtë problematikë:

1.Forcimi i kapaciteteve të punonjësve socialë
Shtim i profesionistëve në zonat rurale; Trajnime të specializuara për të identifikuar dhe ndërhyrë në rastet e abuzimit fizik/psikologjik;  Menaxhimin e stresit të prindërve, dhe teknikat e komunikimit jodënues, bashkëpunim përmes programeve shtetërore ose projektesh me organizata joqeveritare.

2.Ndërhyrje sistematike dhe koordinim
Krijimi i një sistemi online ku të afërmit, mësuesit, ose fqinjët mund të raportojnë raste dyshimi abuzimi, me mekanizme për reagim të shpejtë; Koordinim midis gjykatës, policisë, shkollave, dhe shërbimeve sociale për të monitoruar zbatimin e vendimeve (p.sh., takimet e fëmijëve me prindin jo-bashkëjetues).  

3.Programe mbështetëse për prindërit e vetëm
Ofrimi i kurseve falas për prindërit e divorcuar për menaxhimin e konflikteve, komunikimin me fëmijët, dhe shpërndarjen e detyrave. Këto mund të organizohen në bashki ose nëpërmjet platformave online; Rishikimi i politikave sociale për të përfshirë ndihma financiare të drejtpërdrejta, qasje në kujdestari me kosto të ulët, dhe oferta pune fleksibele për prindërit e vetëm.  

4.Mbrojtja e fëmijëve si prioritet
Krijimi i një mekanizmi për të larguar fëmijën nga mjedisi abuziv menjëherë, duke përfshirë strehime të sigurta dhe psikologë për trajtim emergjent; Futja e programeve shkollore që mësojnë fëmijët për të drejtat e tyre dhe si të kërkojnë ndihmë, si dhe trajnime për mësuesit për të njohur shenjat e abuzimit.  

5.Ndërgjegjësimi dhe lufta kundër stigmës
Përdorimi i mediave për të ndërgjegjësuar shoqërinë rreth pasojave të abuzimit dhe rëndësisë së përgjegjësisë parentale; Nxitja e dialogut për divorcin si një proces ku fokusi është mirëqenia e fëmijës, jo fajet. Kjo përfshin terapinë familjare dhe marrëveshje paqësore ndërmjet prindërve.  

6.Përfshirja e komunitetit
Inkurajimi i iniciativave lokale (p.sh., grupe mbështetëse për prindërit e vetëm, mentorim nga familje me përvojë të ngjashme); Angazhimi i personaliteteve të njohura për të thyer tabutë e divorcit dhe abuzimit.  

Fëmija duhet të jetë qendra e çdo politike. Ndërsa divorci mund të jetë i dhimbshëm, përgjigja e shoqërisë duhet të jetë parandalimi i vuajtjeve të panevojshme për fëmijët. Kjo kërkon jo vetëm burime financiare, por edhe një ndryshim kulturor drejt empatisë dhe përgjegjësisë kolektive.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top