Deri ku shkon pangopësia, dashakeqësia, papërgjegjshmëria dhe neglizhenca?
Në Gramsh, 70 fëmijëve të mitur të një kopshti publik iu rrezikua jeta, pasi ushqimi që iu shërbye në institucionin që supozohet t’i mbrojë dhe edukojë, rezultoi i kontaminuar me salmonelë, një nga armiqtë më të rrezikshëm të shëndetit, që vepron ngadalë por pa mëshirë. Analizat laboratorike konfirmuan praninë e këtij bakterit në ushqimin e shërbyer.
Shenjat e para ishin të qarta: simptoma helmimi. Si pasojë, fëmijët kanë shfaqur simptoma të tilla si të vjella, diarre, dhimbje barku dhe temperaturë të lartë, duke kërkuar trajtim mjekësor në spital. Dhe nuk u desh shumë për të vërtetuar se në trupin e këtyre fëmijëve ishte futur bakteri Salmonela. Ky nuk është thjesht një rast. Ky është një akt i rëndë i shpërfilljes njerëzore dhe institucionale.
Salmonela është një lloj bakteri që mund të shkaktojë sëmundjen e quajtur salmonelozë. Ushqimet që janë në rrezik më të lartë të kontaminimit përfshijnë mishin, pulën, vezët, frutat dhe perimet e papërpunuara dhe erëzat.
Prej më shumë se një viti, në Shqipëri flitet hapur për praninë e salmonelës në mishin e importuar të pulës, për skandalet me analizat që “humbasin”, për produktet që hyjnë në treg pa kontrollin më minimal. Por çfarë ndodh? Asgjë. Tregtarët vazhdojnë të jenë të papërgjegjshëm, kuzhinierët të pakujdesshëm, autoritetet… inekzistente. Askush nuk ndëshkohet, askush nuk reagon me seriozitetin që kërkon situata. Dhe ndodh që helmimi të trokasë në derën e kopshteve, në barkun e fëmijëve tanë.
Ky nuk është një gabim teknik. Ky është një akt i rëndë dhune institucionale ndaj fëmijëve tanë, në një vend ku lindshmëria ka rënë në mënyrë dramatike. Vetëm në vitin 2024, në Shqipëri u regjistruan më pak se 22 mijë lindje, një nga shifrat më të ulëta historike. Po, fëmijët po i kemi me pikatore, e edhe ata që i kemi, po i helmojmë.
Dhe çfarë bëjnë “të mëdhenjtë”? Asgjë. Nuk e vënë ujin në zjarr. Nuk marrin masa. Nuk e ndiejnë urgjencën. Thua se jeta e një fëmije është një statistikë më shumë, një titull lajmi që harrohet nesër.
Po sa shpresë na ka mbetur se ky vend mund të ndryshojë për mirë, kur nuk jemi në gjendje të mbrojmë më elementaren, shëndetin dhe jetën e një fëmije?
A është vërtet kaq e vështirë të jesh human?
Ky incident ka shkaktuar shqetësim të madh tek prindërit, të cilët kanë ngritur alarmin për sigurinë ushqimore dhe mungesën e informacionit nga ana e institucioneve përgjegjëse. Ata kanë paralajmëruar protesta për të kërkuar përgjegjësi dhe përmirësim të kushteve të sigurisë ushqimore në kopshte. Ky rast thekson rëndësinë e kontrollit të rreptë dhe transparencës në menaxhimin e ushqimit në institucionet edukative, për të siguruar shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.