Editorial

February 12, 2025 | 15:29

Orjona Tresa: Pandjeshmëria është bërë modë, po kemi frikë njeriun!

 

Bullizmi merr jetë. Nuk është më rastësi. Mes nesh është shndërruar në një realitet të dhimbshëm. Askush nuk është imun nga sulmet nënçmuese dhe keqdashësia e dikujt për të të bërë të vuash deri në palcë. Të gjithë e kemi provuar qoftë dhe një herë të vetme në jetë (në fakt e kemi në lëkurë çdo ditë). Si ka mundësi që edhe pse propagandohet e flitet pafund me të gjitha të mjetet, të konsiderohemi një shoqëri kaq e pandjeshme sa të shkojmë deri aty sa ta rrisim numrin e viktimave si patëkeq. A keni gjak o njerëz apo mendoni se të pandierët ju bën të paprekshëm?

lule-e-vyshkur

Një adoleshente në qytetin e Gjirokastrës ra preh e sulmeve të vazhdueshme, dhe as familja, as shoqëria dhe institucioni ku studionte nuk ia kishte vënë veshin ndjenjave të asaj fëmije. E reja ndërroi jetë me mënyrën më të tmerrshme, duke u vetësakrifikuar. Ndërkohë që për pjesën tjetër asnjë gjemb nuk u hyri në këmbë. Dhe pastaj, asgjë, jeta vazhdon si patëkeq, sepse mesa duket jeta e një të riu kaq vlen në Shqipëri. Jemi një shtet kaq i vogël në popullsi, sa me gjithë humbjet e jetëve që dëgjojmë moshë e pamoshë, më duket sikur po shuhemi dita-ditës.

Nuk gjej dot një fjalë ngushëlluese për ngjarjen e trishtë. Kam vetëm një urrejtje të madhe, që më shtohet çdo ditë nga kaq shumë raste të tilla që dëgjojmë. Fëmijët nuk janë thjesht numër o njerëz! Janë ata që na përkasin neve në radhë të parë, familjarëve, pastaj shoqërisë e me radhë.

Si prind kam shumë dhembje, sepse më ngacmon plagë së brendshmi. Por kjo nuk më ka bërë më pak vigjilente, përkundrazi ma ka shtuar dozën. Sepse duhet ta pranojmë, (me të drejtën që na është dhënë për ta jetuar jetën), sot bullizmi tek fëmijët apo adoleshentët nuk vjen nga njëri-tjetri në mënyrë rastësore. E kundërta është më e frikshme. Të rriturit janë bullizuesit madhorë, ata që ushqejnë ‘përbindësha’ të egër në shoqëri, të etur për të mos qenë më ata viktima por viktimizuesit. Dhe ky ushqim i thartuar që ata kanë marrë aty ku janë ngjizur dhe rritur, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shtuar radhët e tyre. Por deri sa ata ‘të hanë’ njëri-tjetrin, (kur të kenë mbaruar ata që janë të pastër), ç’do mbetet?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top