Pushime, pushime, pushime. Gjatë të gjithë vitit mendojmë shumë për pushimet verore. Shumë më tepër se sa ato dimërore. Pa përmendur pushimet e ndërmjetme, që janë fundjavat apo ditët e festave zyrtare. Kjo ngase vera na qetëson më shumë. Temperaturat rriten, jemi më të lehtësuar nga veshjet e rënda, rrezet e diellit përçojnë energjinë e nevojshme që na jep adrenalinë, dhe natyrisht, kemi detin si zgjedhjen më argëtuese për të marrë qetësinë e dëshiruar.
Dhe vërtet, kështu është. Efekti i detit, ujit si materie, është kaq i papërballueshëm emocionalisht, sa na bën të harrojmë çdo gjë, duke u përfshirë në energjinë që na fal. Dhe po t’i shtosh efektin e kripës dhe jodit mëngjeseve dhe buzëmbrëmjeve, ai na udhëheq në një dimension kaq magjiplotë dhe relaksues. Pa harruar dhe rëndësinë e kontaktit fizik me rërën, teksa zgjedh të ecësh sheshtë me shputat zbathur, në një proces që lidh tokën me trupin dhe shpirtin. Është si një terapi psikologjike apo një afrodiziak, që na mbërthen dhe na bën të ndihemi shumë mirë me veten.
Unë personalisht nuk do ta hiqja kurrë detin nga zgjedhja e parë e pushimeve verore, ndërsa t’ju them të drejtën, e zgjedh edhe në fundjavat dimërore. Nuk kam ç’i bëj! Deti është i pazëvendësueshëm për mua. Ka një tërheqje universale saqë çdo rrugë drejt një pushimi të afërt, më bën të mendoj për të. Ai është i magjishëm. Dhe, nuk më lodh asnjëherë, edhe nëse arrij vetëm ta shoh ulur në një bar me pamje drejt tij me një kafe përpara. Pushime të tilla i kam të rëndësishme dhe i quaj cilësore. I japin vlerë mirëqenies time.
Natyrisht, jo çdo herë është kaq bardhezi, apo e thjeshtë për t’i përjetuar të tilla. Vetëm natyra mundet të na i garantojë 100%. Ka faktorë të tjerë të cilët ndërhyjnë në standardin e cilësisë së pushimeve që ti dëshiron. Dhe janë jo pak gjatë verës, plazhit, ku pushimet cilësore shpirtërore shndërrohen në stres. Për ta nisur nga çmimet, të cilat ndryshojnë me qytetin sepse justifikimi ‘je për turizëm’ mbizotëron; lypësat, që mbijnë si kërpudhat dhe sado të përmbahesh të nxjerrin nga vetja; fëmijë lozonjarë dhe prindër të papërgjegjshëm që lirinë e kuptojnë duke cenuar dhe privatësinë e tjetrit; shitësa ambulantë që me kaçile, kova boje të adoptuara për fruta e perime, dhe gomarë që shesin prodhimet e tyre në xhiron mes përmes rërës; sipërmarrës që ta masin kokën mirë sepse transparenca mungon…; a nuk janë pra këto një arsye për t’i bërë jo të lira shpirtërisht pushimet aq të dëshiruara verore?! Për të mos folur më për ca e ca të tjera, që natyrisht janë të rëndësishme: cilësia e ushqimit që t’i ha dhe cilësia e ujit në bregdet, që të gjithë e ndotin pa përjashtim.
E megjithatë, të gjitha këto nuk duhet të na dorëzojnë para asaj që është dhe e meritojmë, mirëqenien që na fal deti. Duke u përpjekur t’u themi JO të gjitha pengesave që na shfaqen, le të përpiqemi ta kemi vëmendjen më shumë tek organizimi i pushimeve për së mbari! Tek planifikimi dhe vendosja e qëllimeve që do të na i bëjë më të bukura ditët e pushimeve. Më shumë kredhje në ujë, ecje, lojëra apo sport si dhe ushqim i kujdesshëm, në plazh janë gjithçka.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.