Editorial

June 18, 2025 | 8:30

Orjona Tresa: Qytetaria po jep shpirt

 

Nëse do të mund ta dëgjonim, qytetaria do të kishte një zë të ngjirur. Do të fliste ngadalë, e lodhur, si një gjyshe e harruar në një cep pallati, që i flet murit, sepse askush s’e dëgjon më. Ajo po jep shpirt. E braktisur, e keqkuptuar, e shkelur.

Nëse një herë e një kohë i mëkohej fëmijës që në djep  me një “faleminderit”, një “të lutem”, apo një “ndjesë”, sot këto fjalë janë bërë si relike, sikur t’i përkisnin një gjuhe të vjetër që nuk flitet më. Qyteti i madh (për Tiranën e kam fjalën, si kryeqytet) është bërë justifikim për gjithçka: për arrogancën, për shpërfilljen, për mosrespektin, për çakërdisjen kolektive.

Po jo! Mënyra se si zgjedhim të sillemi nuk është pasojë automatike e turmës, është zgjedhje. Dhe përgjegjësi.

Rregullat lindin në shtëpi, jo në parlament, dhe as në polici apo në rrjete sociale. Lindin pikërisht në dhomën ku fëmija ha, aty, përballë prindit. Në momentin kur një i rritur i thotë “mos bëj kështu” dhe ia shpjegon “pse”. Etika mësohet me shembuj, jo me fjalë. Dhe kur flasim për mungesë qytetarie, e kemi fjalën për boshllëkun që vjen nga ky “moskujdes”.

qytet-tirane-lulishte-2

Nuk është as varfëria fajtore, apo mungesa e pasaportës blu. Është neglizhenca në ndërtimin e njeriut. Të një njeriu që nuk e hedh cigaren nga dritarja e makinës; që nuk i ngre zërin kamerierit; që respekton vijat e bardha dhe semaforin; që nuk përplaset nga shkujdesja me tjetrin; që nuk i tërheq pandoflat (zvarrit) këmbët me një zhurmë gërricëse; që nuk e shkund cigaren nga dritarja e shtëpisë; që nuk shkund leckat në sheshpushimin e përbashkët tek shkallët (ka dhe raste nga dritarja); që nuk i lë plehrat, këpucët, pandoflat, karrocën e bebit, madje dhe furnelën me gaz të gatimit në korridorin e përbashkët; që nuk ulëret nga lart-poshtë apo anasjelltas në pallat, rrugë e kudogjetkë; që provon gjithçka me dorë në treg se i duket se po zgjedh më të mirën; të një njeriu që nuk i shkund hundët ku të mundë; që vë dorën përpara kur “i shqyhet” nga hapja fiziologjike; që nuk kruan hundët apo ndonjë gjë tjetër nga pamundësia për të diktuar instinktet; që nuk bën poça çamçakëzi rrugës apo në autobus, duke t’i pëllcitur me nerv në vesh; që nuk ha me gojë hapur për t’i parë procesin shëmtirë të bluarjes; që nuk e trajton keq të moshuarin, pse reflekset e tij janë zbehur nga mosha… janë edhe më shumë. Që s’e quan fëmijën “i përkëdhelur” kur ai thotë “të lutem”. Që respekton radhën në postë. Që i ngre sytë, jo hundën, kur i flet tjetrit.

kepucet-sheshpushim

Qytetaria po vdes në mënyrën si njerëzit shpërthejnë me fjalë fyese në rrugë, në komente online, në diskutime publike, sikur çdo debat duhet fituar me poshtërim. Në mënyrën si adoleshentët sot imitojnë më shumë TikTok-un se sa nënën a gjyshen që dikur rregullonte flokët para pasqyrës me një ndjenjë dinjiteti. Në mënyrën si askush nuk kërkon më falje. Sepse kërkimi i ndjesës u kthye në dobësi, jo në qytetari.

Se kur them janë shumë arsye, një prej tyre është dhe kodi i veshjes. Është thelbësor madje. Dikur një akt respekti ndaj vetes dhe të tjerëve, është zëvendësuar nga një zhveshje simbolike dhe shpirtërore në sa më shumë ekspozim, dhe aq më pak substancë.

tapeti-ne-shkalle

Dinjiteti, dikur një dritë e brendshme që nuk lejonte të flisje me ton të lartë në publik, po zëvendësohet nga agresioni si normë komunikimi. Në trotuare nuk ka më “të ndjeshëm”, vetëm nxitim e mospërfillje. Në rrugë nuk ka më “të edukuar”, por vetëm të fortë dhe të parët. Në institucionet publike nuk ka më “shërbim”, por arrogancë dhe njerëz të inatosur që të shohin si barrë. “Hajde goce”, me të tremb thirrja në radhë për të shlyer pagesën e dritave, apo “Përshëndetje, si jeni” pasuar me heshtje vdekjeje kur do paguash ujin. Me të zënë frika me kë do përballesh në vazhdim, sepse etikës i është dhënë me kohë lamtumira. Mos të përmend linjat e transportit, autobusë apo taksi, që pavarësisht pozitave, të kap paniku me kë do përballesh.

Nuk jemi më në kohën kur një qytetar i vërtetë quhej burrë apo grua me klas. Sot qytetaria është kthyer në diçka që duhet justifikuar, si një anomali e rrallë. Dhe ata pak që përpiqen të jenë të sjellshëm, të kujdesshëm, me etikë… e ndiejnë veten të huaj në vendin e tyre.

Dhe kjo është më tragjikja: qytetaria po jep shpirt jo nga mungesa e ligjeve, por nga mungesa e kujdesit. Sepse askush nuk kujdeset më për këtë virtyt të thjeshtë, që na bën bashkë si shoqëri.

qytet-tirane-lulishte-3A mund ta ringjallim? Vetëm nëse fillojmë nga vetja, nga fëmija që shikon si sillemi. Nga “mirëmëngjesi” i harruar në ashensor. Nga mospirja e kafesë në vendin e gabuar. Nga zëri që ulet kur flasim për të mos ngritur barrierë me tjetrin. Nga gjesti i vogël që mbjell një shpresë.

Sepse, në fund, qytetaria nuk është vetëm çfarë themi. Është çfarë jemi.

qytet-tirane-lulishte-1

qytetari-3 qytetari-2 qytetari-1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top