Në tempin e një jete frenetike, ku çdo gjë më shumë është në funksion të parasë dhe materies, ndodh ta gjesh veten në paplotësinë tënde. Diçka apo dikush të është bërë pjesë e rutinës tënde. Ti dorëzohesh pafuqishëm për t’ia bërë një nder, ndërsa ai/ajo të ka përfshirë për interesat e tij, duke të dobësuar dhe të bërë të pafuqishëm për veten tënde. Faktorë që çojnë në këtë degradim apo shpërdorim të kohës personale, padyshim që janë shumë. Por një prej tyre je ti vetë, sepse i ke lejuar ata, që përmes altruizmit tënd të të vjedhin energjinë dhe kohën tënde. Dhe ti, sërish në fund mbetesh personi që e drejta jote jo vetëm mohohet, por edhe shkelet.
Në një ditë pune të zakontë, për dikë që funksionon ende me bllok shënimesh, që ka një disiplinë dhe ruan parimet e të punuarit dhe mbajtjes së detyrave me laps e letër, që lëviz lart e poshtë me aktivitete profesionale, ky steriotip natyrshëm shihet si qenie produktive, por edhe si një individ që mund të shfrytëzohet pa masë. Sepse duhet thënë, natyra të tilla nuk i thonë kurrë jo punës. Ky është një lloj përfitimi detyrues, i cili nuk ka dallim nëse vjen nga eprori, vartësi apo një i jashtëm, që janë mësuar të mos ua prishësh asnjëherë. Dhe, ajo që ndodh në një proces kaq ngushtues dhe shfrytëzues energjish, për çdokënd që ndodhet në të tilla kushte, ndodh ta gjejë veten bosh, të mërzitur dhe pa asfare kohën që do t’i nevojitej atij vetë për t’ia dalë detyrimeve të vërteta që i takojnë.
Është për të ardhur keq që në situata të tilla shumë individë, pa dashur, gjenden jo më vetëm të shfrytëzuar, por edhe të zhgënjyer dhe të fyer. Përgjegjësitë ekstra jo vetëm e ngarkojnë, e lodhin dhe e mërzisin, por u veshin dhe emocione të padëshiruara marrëdhënies (të lindur nga mirësia se nuk thonë dot jo), duke shkuar deri aty sa të marrë doza fyerjeje të pamerituara në një nxitim e sipër apo hatërmbetjeje të nxituar. Një shprehje e goditur dhe që vjen mëse aktuale dhe i shkon për shtat kësaj situate është ajo që skenaristi i njohur Ruzhdi Pulaha vendos në një prej personazhe të tij filmikë thotë: “Ma bëre një herë, ta quaj për nder. Herën e dytë e dua, se e ke për detyrë”!
Dhe lind pyetja, po koha për veten, familjen apo për fëmijët, (për ata që kanë), ku shkon për këta njerëz që nuk dinë të thonë jo? Ajo nuk kthehet, dhe kush e mban faturën e kësaj humbjeje emocionale? Kush i zëvendëson ato orë të mohuara ndaj vetes apo të dashurve, vetëm e vetëm për t’i bërë mirë dikujt që ecën në një paralele profesionale me ty, apo që kursen veten për të të detyruar t’i bësh një nder…? Dhe, përfundimi, zbrazëti shpirtërore, emocionale, zhgënjim… kujt i vlen e gjitha kjo?
Kjo është mëse aktuale Borxhi kohor është një temë tejet aktuale për të cilën psikologët japin një shpjegim më analitik që kemi përzgjedhur këtë numër në revistë t’ua sjellim më të sqaruar. Duke iu rikthyer punës intensive pas pushimeve le të reflektojmë mbi qëndrimet tona, në marrëdhënie me veten, të tjerët, le të përpiqemi të vëmë balanca në raporte profesionale, duke respektuar njëri-tjetrin, duke zbatuar kushtet e përcaktuara dhe jo detyrimet ekstra që na i kërkojnë si favore.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.