Është cilësuar gjithnjë si sëmundje e grave, por osteoporoza mund të prekë edhe meshkujt. Përveç ndryshimeve hormonale si shkak i menopauzës, faktorë të tillë si niveli i ulët i testosteronit, cilësia e ulët e jetës, konsumi i tepërt i alkoolit dhe konsumi i duhanit kontribuojnë në osteoporozë, sipas mjekëve.
“Megjithëse gratë janë më të prirura për t’u prekur nga osteoporoza, ajo mund të prekë dhe meshkujt. Zakonet e jetës që përfshijnë konsumin e duhanit, alkoolin dhe mungesën e ushtrimeve, veç të tjerash janë faktorët rriskues”, thotë Rana Chengappa, drejtor i klinikës “Sport medicine”, një qendër rehabilitimi ortopedike.
Një studim i kohëve të fundit në shkollën mjekësore të Harvardit zbuloi se obeziteti ose barku i madh është një tjetër faktor risku për dobësimin e kockave te meshkujt. “Është e rëndësishme që burrat të jenë të vetëdijshëm se yndyra e tepërt e akumuluar rreth belit nuk është vetëm një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës dhe diabetit, por edhe për dobësimin e masës kockore”, thotë një nga studiuesit, Miriam Bredlla.
Osteoporoza është një sëmundje serioze, që çon në dobësimin e kockave e me shumë gjasë çon në thyerjen e tyre. Mjekët thonë se ka shumë probleme shëndetësore, të tilla si inflamacioni i zorrëve, veshkat ose mëlçia, kanceri dhe artriti reumatoid, që gjithashtu mund të rrisin riskun për osteoporozë.
Ndaj, rekomandohen së tepërmi ushtrime fizike, si vrapimi, ecja, ngjitja e shkallëve dhe joga për ruajtjen e kockave. Sakaq, në dietë duhet të përfshihen produkte si qumështi me nivel të ulët yndyre, kosi, djathi, fruta të freskëta dhe perime të gjelbra.
Problematika e osteoporozës është se ajo është një sëmundje e heshtur, me të cilën personi njihet vetëm pasi të ketë thyer një masë kockore nga një shkak i parëndësishëm. Ndaj, sipas mjekëve, duhet informacion në kohë pasi osteoporoza kufizon lëvizshmërinë, por edhe mund të çojë në izolim dhe depresion afatgjatë.
Burimi / Panorama ONLINE
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.