Shumë prej nesh, në momentin kur vendosim të fillojmë aktivitetin fizik ose stërvitjen në palestër, gjendemi para një dileme shumë të madhe. Le ta pranojmë. Palestra mund të jetë një vend që si fillim na bën të hezitojmë, sidomos kur nuk e kemi frekuentuar kurrë më parë atë ose e kemi lënë pas dore për një kohë të gjatë. Por, si funksionon saktësisht një regjim i rregullt në palestër? Instruktore Linda Kalemi, me përvojë akademike në këtë fushë, na orienton me disa këshilla të domosdoshme për një trup të rregullt para se të shkojmë në plazh.
Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka filluar ta kuptojë rëndësinë e palestrës. Kjo vihet re më tepër kur fillojnë problemet shëndetësore sidomos tek moshat e mesme. Ndërsa tek të rinjtë shfaqet si modë dëshira për të gjetur një ambient ku të socializohen me shoqërinë, të hedhin stresin e ngarkesës së studimeve. Këto kategori kanë një marrëdhënie të gjatë dhe shumë të rregullt me palestrën. Masa muskulore, ulja e masës dhjamore, pesha perfekte, ushtrime me pesha, kardiovaskulare, argëtime në programe aerobie, janë disa nga pretendimet e tyre.
• Në rastet kur nuk ka mundësi, frekuentimi i palestrave mund të bëhet me ecje sportive në ajër të pastër herët në mëngjes ose pas orës 19:00. Gjithmonë stomaku nuk duhet rënduar:
• I pangrënë me një kafe + biskotë ose 2 orë pas buke. Gjatë ecjes në grupe nuk duhet biseduar gjatë, krijon mbilodhje, ul performancën, dëmton kordat e zërit. Ky program mund të finalizohet me ushtrime tonifikuese. Ushtrimi më klasik, por më i efektshmi për zonën e barkut:
• Mbi bar vëmë një shtrojë apo peshqir, shtrirë mbi shpinë. Gjunjët e thyera, duart i vendosim poshtë qafës dhe ngrihemi-shtrihemi disa herë. Ndërsa për vithet:
• Qëndrojmë në të njëjtin pozicion, shtrirë mbi shpinë, vetëm ngremë-shkëpusim dhe vendosim përsëri vithet në tokë disa herë. Këto ushtrime mund të aplikohen në ambientet e shtëpisë, por jo në shtresa të buta si shtrat apo divan, mjafton një peshqir mbi tapet.
• Nëse jeni në buzë të detit, është mirë të ecni në breg brenda në cektësinë e ujit. Kjo shërben për të ngarkuar forcën që ushtron uji te këmbët. Mund të krahasohet me peshat e veglave të palestrës. Ushtrimi tjetër mund të bëhet në thellësi mesatare. Bëhet vrap në ujë duke lëvizur maksimalisht këmbët, trupin, duart, supet. Është vërtet e lodhshme, por e efektshme. Kjo bëhet sa herë laheni në det, ndërsa noti, qoftë edhe në cektësi, duke zgjatur krahët e këmbët, shërben si program streching-u, tonifikimi, joga. Pasi t’i bëni këto lëvizje, në intervale mund ta lëshoni trupin të lirë në ujë, nën lëkundjet e valëve. Lëreni që uji t’ju përkëdhelë trupin në çdo skaj. Ky është një lloj masazhi, relaksi. Dëgjoni tingujt që lëshon uji. Shkëputeni vëmendjen nga realiteti, por lëreni imagjinatën tuaj të krijojë ambiente të tjera. Ky është një meditim ideal natyral. Do të shihni që stresi do largohet.
Botuar në revistën Psikologji, nr.72
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.