Në fokus

October 2, 2018 | 11:55

Paragjykimi & diskriminimi social

Paragjykimi është një imazh paraprak që kemi kundrejt diçkaje apo dikujt. Një vizion që nuk është aspak pozitiv dhe që ndikon kur e konsiderojmë atë gjë apo person në një mënyrë të caktuar. Zakonisht vendi ku lindim na bën të fitojmë që në fëmijëri, disa paragjykime, të cilat i rrënjosim në mendjen tonë dhe për të cilat ndonjëherë nuk jemi të vetëdijshëm

Cilat janë ato bindje të rrënjosura në mendjen tonë të cilave, ndoshta, ua injorojmë ekzistencën? Një shembull mund të jetë: ‘të gjithë meshkujt njësoj janë’ ose edhe ‘të gjitha biondet janë mendjelehta’. Ndoshta e keni pyetur ndonjëherë veten nëse i keni realisht këto paragjykime, por kur flisni dhe ndërveproni me persona të tjerë, me shumë gjasa këto shprehje i thoni pa qenë as vetë të vetëdijshëm.

Çlirohuni nga paragjykimet!

Të çliroheni nga paragjykimet nuk është e thjeshtë, megjithatë, asgjë nuk është e pamundur. Duhet ta kemi të qartë se paragjykimet na kushtëzojnë. Na pengojnë të hapim në mënyrë të plotë mendjen, të shijojmë realisht lirinë e të menduarit. Siç thotë edhe vetë shprehja “paragjykim”, kjo gjë bazohet në gjykimin e diçkaje që në të vërtetë nuk e njohim akoma. Është një gjë tmerrësisht absurde. E vërteta është se të kesh paragjykime do të thotë dy gjëra:

  • Të marrësh për të mirëqenë apo të sigurt pa pasur as arsye dhe as baza;
  • Të kuptosh dhe parakuptosh gjykime me vlerë dhe formë negative.

Është e vërtetë se ndodh e njëjta gjë kur gjykojmë një njeri para se ta njohim? A jeni habitur ndonjëherë kur keni zbuluar se nuk ishte ashtu siç mendonit? Kështu ndodh dhe me paragjykimet. Nuk është mirë të mendoni keq para kohe, pasi ju mbush me negativitet.

Gjykimi, një zakon i njerëzve të frustruar

Pavarësisht nga besimet personale, nga pozicioni social apo prejardhja familjare, njerëzit shqetësohen deri sa të bëhet drejtësi në shoqëri. Të flasësh për drejtësinë përfshin çështje të panumërta, por në këtë shkrim po përqendrohemi në një këndvështrim që nuk ka të bëjë fare me drejtësinë, por me anën psikologjike të të gjykuarit dhe të qenit të gjykuar në përditshmëri. Mund të themi se disa njerëz nuk i gjykojnë situatat të ndara, por marrin rolin e gjykatësit edhe për gjërat e vogla të të tjerëve, edhe kur askush nuk ia kërkon këtë gjë. Është e qartë se bëhet fjalë për një gabim, sepse as një gjykatës i vërtetë nuk duhet t’ia lejojë vetes të kryejë këtë rol jashtë vendit të tij të punës.

Përse shoqëria është kaq e mbushur me gjykatës të rremë? Përse këta njerëz i konsiderojnë mendimet e tyre të vlefshme për ta dhe për të tjerët? Si kanë arritur në këtë pikë? Ka disa karakteristika interesante që i bashkojnë këta individë, fjalët e të cilëve janë pabesueshmërisht të dëmshme dhe toksike.

Njerëzit që gjykojnë të tjerët

Zakonisht, këta njerëz, të cilët i has kudo e ngado kanë disa karakteristika dalluese, që i kemi listuar më poshtë:

  • Urrejnë pjesën më të madhe të jetës së tyre dhe për këtë arsye, mundohen me të gjitha mënyrat që të helmojnë jetën e të tjerëve.
  • Nuk janë të kënaqur nga ajo që bëjnë dhe nuk durojnë që dikush tjetër të jetë i lumtur në jetë.
  • Nuk i dallon lehtë, pasi nuk janë njerëz të ftohtë dhe nuk kanë as ndjenja negative. Megjithatë, janë ekstremisht të frustruar, gjë që i bën të jenë agresivë, sjellje kjo që shfaqet në mënyra të ndryshme.
  • Torturohen nga vendimet që kanë marrë, ndoshta të imponuara nga të tjerët, pa qenë ata që i kanë dashur vërtetë këto vendime. Ruajnë një marrëdhënie konflikti psikik me këto lloj ngjarjesh në jetën e tyre.
  • Duan të justifikojnë trajektoren e jetës së tyre duke diskredituar të tjerët. Shpesh shprehin fraza të tipit: “Në fund të fundit, nuk jam dhe aq keq. Shiko atë tjetrin sa keq është”.
  • Flasin për njerëz dhe jo për ide.
  • Kur shprehin mendimin e tyre për dikë tjetër, nuk e bëjnë që të reflektojnë mbi gabimet apo lëvizjet e duhura që personi në fjalë ka bërë. Gjykojnë duke u bazuar në paragjykime që i shndërrojnë në njerëz të vegjël, të thjeshtë e të paanshëm.
  • Vlerat e tyre nuk janë për t’i falur qetësi vetes dhe ambientit, por për të gjykuar vazhdimisht të tjerët.
  • Kanë pak pasione dhe aktivitete që u interesojnë.
  • Nuk janë kritikë ndaj vetes për gjërat që bëjnë. Nuk dëshirojnë të ndihen të gjykuar për detyrat që duhet të çojnë deri në fund.
  • Acarohen lehtë.
  • Fitoret e të tjerëve i konsiderojnë si të pajustifikuara, si fryt i faktorëve të jashtëm. Ndërsa fitoret e tyre i quajnë të justifikuara dhe të merituara.
  • Janë të bindur se, duke gjykuar të tjerët, ata nuk do t’i gjykojnë ata.
  • Nuk shprehin mendimet e tyre në praninë e shumë njerëzve.
  • Pjesën më të madhe të rasteve, kritikat e tyre reflektojnë dëshirën që kanë për të eksperimentuar atë që jeta u ka mohuar ose që nuk ia kanë dalë t’i arrijnë.
  • Nuk shqetësohen që të përmirësohen. Mendojnë se mënyra më e mirë për të ecur përpara në jetë është që të minimizojnë të tjerët dhe t’i bëjnë ata të duken keq.

Duhet t’i injoroni këta njerëz dhe nuk duhet t’i jepni asnjëherë fuqinë për të dëmtuar reputacionin tuaj personal apo profesional, në veçanti përpara një numri të madh miqsh, familjarësh. Indiferenca është arma e vetme kundër këtyre njerëzve, por duhet gjithmonë të qëndroni në gjendje alarmi e të kujdesshëm, në mënyrë që të mos e kalojnë kufirin e intimitetit tuaj në mënyrë të mjerueshme.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top