Psikologu amerikan Gordon Allport e përkufizon paragjykimin si një ndjesi, në favor apo jo, kundrejt një personi, para apo e pabazuar, në një eksperiencë aktuale. Është një ndjesi apo mospëlqim i padrejtë ndaj një personi apo grupi, bazuar te gjinia, statusi social, mosha, paaftësia, feja, seksualiteti, etniciteti/raca, gjuha apo kombësia, si dhe të tjera karakteristika personale. Duke qenë se si koncept ai është i gjerë, kjo shpjegon pse si influencë sociale paragjykimet janë kaq prezente në jetën tonë. Kur ne paragjykojmë, jemi të padrejtë, të paarsyeshëm e aq më pak logjikë ndaj aktorëve apo grupeve të tjera sociale. Nuk ka fakte që shoqërojnë (para)gjykimin tonë, thjesht perceptime që vijnë nga influenca socio-kulturore ku ne rritemi. Paragjykimi nuk është vetëm negativ, si për shembull ndjesitë, mendimet që mund të shfaqen rreth komunitet rom, homoseksualitetit, apo përkatësisë krahinore; ato përgjithësisht parashtrojnë paragjykime të konetacionit negativ. Paragjykimet mund të jenë edhe pozitive, si për shembull vlerësime përgjithësuese për individë që studiojnë jashtë vendit, duke i pozicionuar ata në hapë- sira më elitare në krahasim me ata që kanë studiuar brenda vendit; apo qëndrimi ndaj një nxënësi që është me rezultate të mira në matematikë, shpesh mësuesit e përgjithësojnë performancën e tyre mbi bazën e kësaj lënde, që shpesh cilësohet si “baza” për çdo lëndë, duke anashkaluar aftësitë dhe dhuntitë personale të individit. Paragjykimet mund të jenë personale dhe kolektive. Personale, kur dikush paragjykon një njeri (unë karshi një personi tjetër, p.sh. ndaj një individi me inteligjencë të kufizuar), një grup njerëzish (unë karshi një grupi, p.sh. grup fetar) apo objekteve të ndryshme (psh. makina X ia vlen). Kolektive, kur një grup individësh paragjykon një njeri (p.sh. militant të një partie kundrejt liderit të një partie tjetër, i cili mund të mos jetë sprovuar më parë), kur një grup paragjykon një grup tjetër (p.sh. njerëzit e bardhë kundrejt atyre me ngjyrë, e anasjelltas), si dhe kur një grup paragjykon objekte të ndryshme (p.sh. pikëpamjet ndaj institucioneve arsimore private). Paragjykimi si fakt social është universal, ai prek këdo. Profili psikologjik i personave që paragjykojnë, prezanton imazhin e një njeriu krenar, të painformuar, xheloz, përbuzës, të paarsyeshëm. Në mënyrë që ta kuptojmë më mirë se si ne i mësojmë paragjykimet mjafton të analizojmë fëmijërinë, aty ku dhe paragjykimet ushqehen. Ka disa lloj stereotipash që ne i mësojmë që fëmijë, për shembull: mos u shoqëro me atë që është i palarë; shoqërohu me atë që është më i mirë se ty në mësime; vlonjatët janë X, tropojanët janë Y; kujdes, ky është autik, ai ka sindromën daun etj. Si fëmijë, ne nuk jemi të aftë t’i testojmë, derisa përballemi me këto fakte më vonë në jetën tonë dhe automatikisht sillemi në një mënyrë përjashtuese të pavetëdijshme ndaj dikujt apo diçkaje, si pasojë e këtyre stereotipave të ushqyer nga prindërit, motrat/vëllezërit, kujdestarët tanë, ndonjëherë edhe mësuesit. Deri në momentin që jeta na vë përballë sfidave ndryshe, këta stereotipa që përbëjnë thelbin e paragjykimeve, krijojnë realitetin tonë. Më vonë, ne zhvillojmë një sistem besimi më aktiv. Ne jemi të aftë t’i vlerësojmë paragjykimet që mbartim dhe kemi mundësinë të marrim vendime. Shpesh, individi paragjykues përballet me një konflikt të brendshëm midis mësimeve të vjetra të marra në fëmijëri dhe atyre të reja, të cilat sfidohen në kontakt me të ndryshmen, me kontekste të ndryshme sociale e kulturore, ndonjëherë edhe multikulturore. Çfarë sjell paragjykimi? Si influencë sociale, paragjykimet përkufizojnë jetën tonë. Vendoseni veten në një situatë ku individë të caktuar kanë paragjykuar sjelljen tuaj, formimin, punën e realizuar, dashamirësinë, përkatësinë gjinore, krahinore, klasore, kulturën, atë çka ju jeni, dhe i kanë dhënë formën që nuk ju përket, si rrjedhojë e mendjengushtësisë së tyre? Si do të ndiheshit? Pa dyshim, në varësi të kontekstit psiko-social, efektet variojnë. Në rastin më të mirë, do përmendja këtu Nelson Mandelën, i cili pasi u përball me paragjykimet, u ngrit për të fituar lirinë e tij dhe të të gjithë popullit të tij. Në rastin më të keq, paragjykimet do të ndikonin në ndjesi dhe imazh të ulët të vetes, rritje të zemërimit, kufizime sociale, pasiguri fizike e të tjera çështje të spektrit emocional, social dhe psikologjik. Paragjykimi përshkallëzohet në diskriminim, akti që pason pasi ne kemi paragjykuar. Bazuar në kërkimet e Allport, psikologët rekomandojnë: Votimin e ligjeve dhe rregullave që përcaktojnë një trajtim të barabartë për të gjithë njerëzit, në punë, shkolla etj.
• Ndërgjegjësim publik për norma sociale kundër paragjykimit.
• Ndërgjegjësim të njerëzve, të cilët mbartin pikëpamje paragjykuese.
• Rritje të kontaktit me njerëz të grupeve të ndryshme sociale dhe kulturore.
• Përqasje të principit “Të gjithë të ndryshëm, të gjithë të barabartë”. Në përfundim, novela e njohur e autores së mbarënjohur, Jane Austen (Xhejn Austin), Pride and Prejudice (Krenari dhe Paragjykim), është një histori romantike që i ka qëndruar kohës që prej vitit 1813. Qysh atëherë, qindra mijëra kopje të librit janë shitur. Si film gjithashtu është shfaqur botërisht. Mesazhi që përcjell është tipik i paragjykimit mbi bazën e statusit klasor, fenomen i cili është prezent dhe i prekshëm edhe sot. Pasazhi i mëposhtëm, i shkëputur nga novela, ka në fokus një sekuencë ku protagonisti Zt. Darsi i bën autokritikë sjelljes së tij paragjykuese ndaj Elizabetës, nga një familje e varfër dhe shtresë sociale “e ulët” sipas tij, me të cilën ra në dashuri. “Unë kam qenë një egoist gjithë jetën time, në praktikë, por jo në parim. Si fëmijë, unë kisha mësuar se çfarë ishte e drejtë, por nuk kisha mësuar të korrigjoja temperamentin tim. Më ishin dhënë parime të mira, por isha lejuar t’i ndiqja ato me krenari dhe mendjemadhësi. Fatkeqësisht, një fëmijë i vetëm (për shumë vite një fëmijë i vetëm), u llastova nga prindërit e mi, të cilët, dhe pse të mirë (babai im në veçanti ishte vetëm dashamirës dhe i dashur), lejuan, më inkurajuan, pothuajse më mësuan të jem egoist dhe imponues, të kujdesesha për asnjë jashtë rrethit tim familjar; të mendoja poshtërisht për pjesën tjetër të botës; të paktën të uroja se do mendoja në mënyrë të poshtër rreth sensit dhe vlerës së tyre në krahasim me timen. I tillë kam qenë nga mosha tetë vjeç e deri në njëzet; dhe i tillë mund të kem qenë, por, për ty, më e dashura Elizabet! Çfarë nuk të detyrohem! Ti më mësove një mësim, mjaft i vështirë në fillim, por më i dobishmi. Nga ti, unë u përula si duhet. Unë erdha te ti pa asnjë dyshim që do më pranoje. Ti më tregove se sa të pamjaftueshme ishin pretendimet e mia për të kënaqur një grua të denjë për të qenë e lumtur”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.