Mirëqenie

November 25, 2015 | 17:22

Parandalimi i dhunës ndaj grave?! I mundur dhe i domosdoshëm!

25 Nëntori 2015 shënon vitin e 24-t të 16 ditëve të aktivizimit në fushatën kundër dhunës me bazë gjinore, e iniciuar në vitin 1991 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Gruas, është një shenjë përkujtimi dhe nderimi për motrat Mirabal, të cilat u vranë në mënyrë brutale në Republikën Dominikane në vitin 1960.

35% e grave dhe vajzave në nivel global përjetojnë ndonjë formë të dhunës fizike dhe seksuale në jetën e tyre. Këtë vit fushata do të përqendrohet në të drejtën për arsimimin e gruas. Nga vlerësimet më të fundit rezulton se 31 milionë vajza janë me arsim fillor, 34 milionë me arsim të mesëm, ndërsa 15 milionë të tjera nuk kanë shkelur asnjëherë në klasë.

Dhuna ndaj grave vazhdon të jetë një epidemi globale, por nuk është e pashmangshme. Parandalimi është i mundur dhe i domosdoshëm.

Përgjatë viteve janë mbledhur, dëgjuar dhe mbështetur shumë femra, por ka ende shumë për të bërë. Fenomeni i dhunës ndaj grave është i konsiderueshëm dhe po rritet gjithnjë e më shumë në Shqipëri, siç tregojnë faktet e shumta të kronikës së zezë.

Dhuna nga partneri, bashkëshorti, i fejuari apo babai është shkaku i parë i vdekjes për femrat nga mosha 16 deri në 35 vjeç. Shumë është bërë ndër vite ndaj femrave, të cilat kanë pësuar dhunë dhe keqtrajtime fizike, psikologjike, ekonomike në familje dhe shoqëri. Institucionet përkatëse ofrojnë këshillim psikologjik e ligjor, por hapin e parë është mirë ta ndërmarrin vetë të dhunuarat, duke denoncuar dhe kërkuar ndihmë.

Manifestimet e ndryshme të dhunës

Dhuna fizike është çdo formë dhune me trupin dhe mbi trupin, e shprehur me shkelma, grushte, kafshime, shuplaka, të shtyra etj.

Dhuna psikologjike është çdo formë dhune dhe mungese respekti që gjeneron frikë, ankth, mungesë vlerësimi, vetëfajësim, depresion, imazh të zhvlerësuar për trupin, ndjenjë të fortë faji, frikë për të folur.

Dhuna ekonomike është çdo formë kontrolli mbi pavarësinë ekonomike, shantazh, varësi ekonomike.

Ngacmimet seksuale janë batuta apo shaka me sfond seksual, ekzibicionizëm, telefonata të turpshme, propozime këmbëngulëse apo shantazhe për marrëdhënie seksuale të padëshiruara, prekje. Bëhet fjalë për sjellje me sfond seksual të natyrave të ndryshme, që zakonisht ndodhin në vende publike apo ambientet e punës, të cilat janë degraduese, poshtëruese dhe të padëshiruara për personin që i merr.

Dhuna seksuale është çdo formë detyrimi për akte seksuale jo të dëshiruara, të marra nëpërmjet kërcënimeve, forcës, dhunës apo shantazheve.

Stalking është dhuna psikologjike nëpërmjet telefonatave të vazhdueshme, përndjekjet, sharjet, përdorimi i miqve dhe të afërmve për të kontrolluar dhe ngacmuar, ndërhyrja në jetën private dhe në punë. Ky është një persekutim i vërtetë që ndodh për shumë kohë. Viktima ndihet në një gjendje tensioni dhe rreziku të vazhdueshëm. Shpesh ndodh pasi përfundon një lidhje apo në rastin kur personi nuk merr vëmendjen e dëshiruar.

Efektet e dhunës

Femrat që pësojnë dhunë reagojnë në mënyrë të ndryshme ndaj keqtrajtimit, por të gjitha e njohin dhimbjen nga izolimi apo indiferenca sociale, të cilat prej kohësh e shoqërojnë këtë fenomen.

Njohja e pasojave të dhunës ndihmon për ta luftuar atë dhe për të kuptuar se përse viktimat sillen apo reagojnë në një mënyrë të caktuar: mohojnë problemin, durojnë grushtet për hir të “dashurisë”, mendojnë se dhunuesi mund të ndryshojë, ndihen të domosdoshme, besojnë se po shpëtojnë martesën.

Hapat që ndihmojnë për të dalë nga dhuna:

  • Duhet të pranoni se po përjetoni një situatë dhune
  • Duhet të kuptoni se dhuna nuk është asnjëherë e justifikueshme
  • Duhet të pranoni dhe të jeni të vetëdijshme se sa keq ndiheni
  • Duhet të kuptoni se personi që dhunohet nuk është asnjëherë përgjegjës për dhunën e marrë
  • Duhet të mposhtni frikën dhe turpin se mos ju gjykojnë
  • Duhet të kuptoni se, duke folur për problemin, është mënyra më e mirë për t’ia dalë mbanë
  • Duhet t’u drejtoheni shoqatave kundër dhunës dhe autoriteteve përkatëse

Nëse ikni nga shtëpia kini parasysh:

  • Mblidhni të gjitha dokumentet e nevojshme për ju dhe për fëmijët: kartën e identitetit, patentën, pasaportën, librezën shëndetësore, diplomën, librezën e punës, adresat dhe numrat e telefonit, denoncimet që keni bërë më parë (nëse jeni dhunuar), certifikatën mjekësore në rast se pas dhunës keni shkuar në urgjencë apo te mjeku.
  • Nëse keni një llogari rrjedhëse, certifikata pronësie në emrin tuaj, merrini me vete. Gjithashtu mos harroni bllokun e çeqeve, kartën e bankomatit, certifikatën me numrin e llogarisë bankare.
  • Siguroni gardërobën, gjërat me vlerë dhe ato që keni më për zemër.
  • Bëjuni të ditur autoriteteve të policisë se po largoheni nga shtëpia për arsye “sigurie” dhe se po merrni me vete dhe fëmijët. Bëjuni të ditur adresën e shtëpisë ku do të shkoni. Ky akt nuk është një denoncim ndaj partnerit, por ju shërben në rast se ai ju denoncon se i keni rrëmbyer fëmijët e mitur.

Konventa e Këshillit të Europës kundër dhunës ndaj femrave

Konventa e Këshillit të Europës kundër dhunës ndaj femrave është miratuar nga komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës më 7 prill 2011 dhe firmosja e saj nisi më 11 maj 2011 në Stamboll (Turqi). Traktati propozon parandalimin e dhunës, favorizon mbrojtjen e viktimave dhe ndalon pandëshkueshmërinë. Është firmosur nga 32 shtete dhe më 12 mars 2012 Turqia u bë i pari vend që ratifikoi konventën, pasur nga shtetet e tjera në 2014: Shqipëria, Portugalia, Mali i Zi, Italia, Bosnje-Hercegovina, Austria, Serbia, Andorra, Danimarka, Franca, Spanja dhe Zvicra.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top