Aktorja Hajrie Rondo ka rrëfyer për publikun sfidën e saj me sëmundjen e rëndë. E ftuar në emisionin e pasdites në Televizionin Klan, “Rudina”, ajo tregoi kalvarin e vuajtjeve në luftën ndaj sëmundjes. Gjatë shfaqjes së një kolazhi me rolet e saj ndër vite aktorja është përlotur dhe tregoi se ndonëse vazhdonte kimioterapinë u rikthye në skenën e teatrit, me dramën shqipe “Tre Dhëndurët”.
“Unë jam në fazën e mjekimit, me kimioterapi. Kam bërë ndërhyrje kirurgjikale të zorrës së stomakut. Kjo më dobësoi dhe nuk e mora dot veten, por luftoj, luftoj aq sa unë kam në dorë, sa mund të bëj. E para është optimizmi, që është gjëja më e mirë, pastaj ushqyerja, këshillat me mjeken. Të gjithë mjekët më thonë: shikoje jetën me ngjyra të bukura”, tha aktorja në studio.
Aktorja dha edhe një mesazh për të gjitha femrat shqiptare: “Femrat të bëjnë kontrolle sa më të shumta, që ta kapin në kohë. Kjo është dhe porosia dhe këshilla e gjithë mjekëve. Tek mua rezonanca manjetike tregoi një masë që duhej bombarduar, që të luftohej. Në këtë sëmundje me mijëra njerëz me kanë mbështetur dhe kjo është një terapi. Ngjitja ime në skenë ishte për të dhënë një mesazh me këtë rol, kush ka rëndesa të tilla dhe në veçanti grave që të luftojnë, ta mbajnë jetën me dhëmbë. Jeta është e bukur dhe duhet jetuar”.
Një ditë pas shfaqjes, aktorja mori dhe medaljen e Mirënjohjes, në shenjë vlerësimi nga Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
“Unë përdor një shprehje të popullit që thotë: Çdo të mbjellësh do të korrësh. Unë besoj se në jetën time, në karrierën time kam mbjellë mirë. Kjo ishte si qershia mbi tortë, nuk di gjë me thënë të drejtën. Pas premierës vajza më thotë: mami nesër ke sebep. Dua t’i jap uratat sa një pash vajzës sime, për shërbimin që më ka bërë, siç bëjnë bijat për nënat, por ajo vërtet shkëlqeu dhe në këtë pikë. Pastaj më thotë që kryebashkiaku do t’ju dekorojë. Ngriva, por pastaj fillova të merrja masa. Pastaj vajti mirë çdo gjë, ishte një pritje shumë njerëzore. Unë u ndjeva mirë”, tha e emocionuar aktorja Rondo.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.