Ai vjen direkt nga Parisi, por nuk ka lidhje me pasarelat e modës. Antoni Çako është djali i sopranos Inva Mula dhe kompozitorit Piro Çako. 22-vjeçari duket se ka trashëguar nga familja e tij genin e artistit. Ai ka lindur dhe është rritur në Paris, ka disa kohë që i është përkushtuar muzikës dhe gjatë këtij viti është gati të debutojë si producent në skenën europiane të muzikës elektronike.
Në një intervistë për “Jo Vetëm Modë”, i riu rrëfen se përfshirja në këtë pasion të tij ka qenë sfiduese.
“Shkova në Londër për të vijuar studimet për politikë, por pas disa muajsh kuptova se nuk ishte gjëja e duhur për mua… në atë moment mora vendimin për të lënë shkollën”.
E pavarësisht se nëna e tij, sopranoja Mula nuk ishte shumë dakord, Antoni thotë se iu fut shkollës për muzikë elektronike në kryeqytetin britanik. Tashmë, kjo zgjedhje duket e mëse e logjikshme.
Objektivi i Antonit tashmë është që të nxjerrë disa “single” dhe të bëjë festivale, ato të disa prej producentëve dhe DJ më të famshëm në botë, të cilët kanë qenë dhe frymëzimi i tij. Ai ka publikuar pak punë në internet, por ajo që ka më përzemër është remiksi që i ka bërë një kënge të Elvana Gjatës.
Në “Jo Vetëm Modë”, 22-vjeçari foli edhe për look-un e tij ekstravagant që jo pak herë është komentuar në media e rrjete sociale. Ashtu sikurse historia e tij e dashurisë me 17-vjeçaren Mari.
“Jemi bashkë, kemi një vit, e duam njëri-tjetrin shumë. Por me fol për martesë apo gjëra të tilla, nuk ka sens. Mund të kemi 20 vjet bashkë dhe mund të mos martohemi. Maria jeton në veri të Francës, jo në Paris. Por kishim një shok të përbashkët, ndaj Mari vinte shpesh në Paris dhe kështu u njohëm dhe u lidhëm”.
Antoni flet edhe për marrëdhënien me motrën e tij 5-vjeçare dhe bashkëshortin e nënës së tij, Hetem Ramadani.
“Kam një marrëdhënie siç mund të ketë një 22-vjeçar dhe 5-vjeçare. Mezi pres që të rritet që të kemi një marrëdhënie edhe më të afërt. Me Hetemin kemi një marrëdhënie shumë të mirë, kam shumë respekt. Është burrë shumë i mirë, kemi marrëdhënie shumë të mirë, e respektoj shumë”.
Në “Jo vetëm modë” ai shpreh edhe vlerësimin që ka për dy prindërit e tij.
“Jam fansi më i madh i babait, jam shumë krenar për muzikën që ka bërë. Jo sepse jam djali i tij, por mendoj se është kompozitori më i madh, të paktën i gjeneratës së vet…” Sa i përket sopranos Mula, ai thotë: “Mami im është zëri më i madh i rrymës operistike në Shqipëri edhe kjo është krenaria tjetër më e madhe e jetës time…”
Nëse bëhet i famshëm, Antoni emrin e artit dëshiron ta mbajë thjeshtë, “Çako”.
Burimi TvKlan.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.