Në fokus

November 11, 2016 | 11:03

Pasojat e stresit të zgjatur në punë

2Stresi në punë është një problem i përmasave të mëdha jo vetëm në vendin tonë, por edhe i miliona njerëzve në të gjithë botën, si për punonjësit, por edhe për vetë punëdhënësit. Stresi në punë ka të bëjë me shumë faktorë ndër të cilët vlen të përmenden standardet e larta të disa pozicione të punës, ose paaftësia individuale për të punuar nën presion, orët e zgjatura të punës e plot probleme të tjera që lidhen kryesisht me natyrën individuale të gjithsecilit për t’u përshtatur në profile të veçanta pune. Kjo shumëllojshmëri e faktorëve të shumtë që kontribuojnë në stresin në punë, mund të krijojnë një presion të vazhduar mbi punonjësit, duke çuar në shfaqjen e stresit në punë.

Kultura e punës dhe stilet e komunikimit lënë shumë për të dëshiruar në vendin tonë. Një element shumë i rëndësishëm dhe i lënë pas dore është kultura e përshkrimit të qartë të detyrave dhe përgjegjësive. Stresi i vazhdueshëm në punë pavarësisht nga shkaku e redukton dukshëm energjinë dhe rendimentin në kryerjen e detyrave individuale. Stresi i zgjatur i punës e ul dukshëm gjithshtu edhe rezistencën e organizmit ndaj sëmundjeve të ndryshme. Sipas statistikave shkencore, stresi në punë favorizon manifestimet klinike të sëmundjeve koronare kardiovaskulare, duke vepruar si një faktor i lartë rreziku për to.

Një stres i zgjatur i punës me kalimin e kohës shndërrohet në një gjendje konsumimi fizik e mendor (që në literaturë quhet ‘’Burnout’’), i cili është me pasoja shumë të rënda për individët. Në vendin tonë veçanërisht stresi dhe konsumimi janë të një niveli të lartë edhe për shkaqe tipike shqiptare . Njerëzit gjithnjë e më tepër po e humbasin entuziazmin e tyre dhe po shfaqin tendencën e një qëndrimi negativ ndaj punës në përgjithësi për shkak të fenomenit të “drejtuesve militantë”, që fatkeqësisht në më të shumtat e herëve janë aprofesionalë, me një kulturë të munguar si atë të përgjithshme, por edhe të stileve të ashpra të komunikimit profesional, të patrajnuar mirë, shumë prepotentë dhe cinikë. Ky stres që gjenerohet vazhdimisht shkakton përveç rënies së dukshme të produktivitetit edhe një ndjesi të përgjithshme të pesimizmit e mungeses së shpresës për ndryshime pozitive, çon pa kuptuar herët a vonë në depresion. Dihen efektet shkatërruese të depresioneve.

Njerëzit për të cilët puna dhe drejtuesit propotentë dhe të paaftë janë shndërruar në burim ankthi. Fillimisht, nisin të zgjasin “kohën e kafesë”, duke e shtyrë për më vonë punën e ditës, ndihen të mërzitur, bëhen nervozë, manifestojnë shenja somatike të ankthit, të cilat kanë një ndikim negativ në jetën familjare dhe personale dhe shoqërohen gjithnjë me një ndjenjë të lodhjes kronike. Disa të tjerë, pavarësisht nga përvoja dhe aftësitë e tyre shumë të mira profesionale arrijnë deri aty sa të dyshojnë seriozisht në aftësitë e tyre të spikatura, duke u shndërruar në “robotë”që mezi presin të mbyllin ditën e punës për t’u tërhequr në vetminë e tyre. Mungesa e vazhdueshme e motivimit, ndonjëherë shoqërohet edhe orët e zgjatura të punës për të kompensuar kohën e kafes ose të rendimentit edhe si pasojë e mungesës së tyre përqendrimit.

Këto gjendje shoqërohen shpeshherë me shenja trupore si: dhimbje koke, dhimbje qafe, rëndim prapa kokës, luhatje emocionale, rishfaqje e beftë e ankthit, shtrëngime në zemër, rrahje të shpejta të zemrës, probleme me frymëmarrjen etj.

Çfarë duhet bërë ?

SË PARI:

Përpiquni të ndërgjegjësoheni sadopak mbi realitetin në të cilin jetoni, sqaroni vetes tuaj gjërat që nuk mund të ndryshoni dhe gjërat që janë në dorën tuaj për t’u ndryshuar. Tingëllon pak si e përgjithshme dhe e pakuptimtë por jo, kjo duhet bërë në kohën e duhur, sa pa u rënduar dhe më tej situata.

E DYTI:

Bisedoni me shefin apo shefen tuaj sidomos nëse vërtet jeni të mbingarkuar me punë, se ndonjëherë pamundësia për të thënë jo, ju shndërron si pakuptuar në një “kalë pune” duke bërë edhe punën e të tjerëve. Kjo ka rëndësi, veçanërisht kur dihet se në Shqipëri shumë pozicione drejtuese pune i kanë “ufot militantë” dhe jo profesionistët e vërtetë.

SË TRETI :

Nëse e keni të nevojshme, merrni ca ditë pushim nga ditëpushimet tuaja vjetore, që të rimerrni energjinë dhe të riktheni motivimin. Këta janë disa këshilla të thjeshta, por shumë efektive, që do jua rekomandonte çdo specialist si fillim.

Por kurrë mos harroni: Kontakti me një specialist të shëndetit mendor do të ishte zgjidhja më e mirë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top