Lifestyle

November 17, 2016 | 13:25

Pastori rrëfen çastet e fundit të Dr.Florit: Donim të të vendosnim në divan, por u rrëzova

1Pastori Fitor Muça ka kujtuar në dyvjetorin e ndarjes nga jeta, çastet e fundit të këngëtarit Floran Kondi, i njohur për mbarë publikun shqiptar si Doktor Flori. Doktor Flori u nda nga jeta në  moshë të re, ndërsa la  pas dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.

Postimi i plotë i pastorit Fitor Muça:

Flori, sot duhet të ishim duke e pirë kafen e mëngjesit bashkë, si në të shumtën e herës. Dhe nuk kisha menduar kurrë se atë mëngjes nëntori do të vija në shtëpinë tënde për takimin e fundit me njëri-tjetrin.

Nuk do t’i harroj kurrë sytë e tu, ndërsa hyra në dhomën ku ishe bashkë me Albanin. As sot nuk jam në gjendje ta deshifroj shikimin tënd, por e di që ishte më shumë se një mesazh i vetëm. Dhe e kam lënë të të pyes kur të shihemi bashkë në qiell, sepse një ditë do të takohemi.

Donim të të ngrinim, të të vendosnim në divan bashkë me Albanin, miku im, por ti ishe i rëndë, shumë i rëndë, dhe u rrëzova duke të mbajtur nga shpatullat, dhe koka jote e pafuqishme u mbështet nga krahu i zemrës sime. Albani u nis për të shkuar tek ambulanca që s’po vinte dhe ishim vetëm ti, unë dhe vdekja që po përpiqej të të merrte.

Pastaj u përmenda se duhej të bëja diçka, por nuk e dija miku im, nuk e dija se çfarë. Një moment, me shumë kujdes të anova dhe të shtriva në dysheme. Vendosa veshin në krahun e zemrës tende. Po rrihte shumë ngadalë, shumë ngadalë, mezi dëgjoheshin të rrahurat dhe një moment m’u duk se nuk e dëgjova më.

Kishe ikur? As këtë nuk e dija.

Mjekët hynë dhë nisën të merren me ty. Dukej se ishte vonë. Shumë vonë!

Tashmë ti ishe nisur. Dola prej andej, duke të lënë shtrirë në duart e mjekëve, si atë ditë kur po dhuroje gjak për fëmijët talasemikë… me proporcionin e dashurisë që shumë herë nuk ta lexuan dot.

Atletet ishin tek pragu i derës, ato që nuk i lidhje asnjëherë, ishe për rrugë, dhe në rrugën ku do të shkoje, që e kishe zgjedhur dy vite më parë, ato nuk të nevojiteshin më …

Ambulanca u nis dhe pak minuta më pas, një telefonatë e Albanit që ishte në të bashkë me ty…”Pastor, mbaroi…”

Isha i bindur se kishte udhëtuar vetëm trupi i yt. Kisha dëgjuar rrahjen e fundit, ndërsa zemra jote kishte pushuar së qeni, miku im! Flori.

Iku.

Rrahja e fundit e zemrës së tij ia kishte lënë vëndin rrahjes së parë në një jetë të re.

Une e di se ku është, dhe një ditë do të takohem me të dhe kam kaq shumë pyetje për t’i bërë.

Mos u bëni merak për shenjtërinë apo denjësinë e tij për qiellin.

Ai është atje ku ishte besimi i tij!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top