Me ngrohjen e motit, të gjithë priremi të ç’montojmë gardërobën, duke i gjetur vendin veshjeve dimërore dhe zëvendësimin e tyre me teshat më të lehta, ato të pranverës. Natyrisht që e gjithë kjo ngarkesë, që zakonisht na e lë peshqesh fundjava, shoqërohet dhe me një dorë pastrimi gjeneral. Për të fituar kohë, shpresën e mbajmë te detergjentët e gatshëm, sidomos ato aromatikë, për të lënë një erë të këndshme mes kanatëve të dollapëve. Por në fund të gjithë kësaj, (besoj kujtdo mund t’i ketë ndodhur), lëkura e duarve na dëmtohet, thonjtë po ashtu, hunda ngacmohet nga tështimat alergjike, kusuri i gjithë asaj pune që na është dashur të bëjmë. Por si t’i shmangim këto ngarkesa të panevojshme me disa kurthe praktike dhe tejet natyrale, sidomos pa kosto të lartë.
UTHULLA – Nuk është vetëm për t’i dhënë shije sallatës. Uthulla e verës apo ajo e mollës është produkti ideal për pastrim. I shkëlqyer për heqjen e njollave madje dhe yndyrës. Spërkateni ose lagni pecetën që do të përdorni për të pastruar. Uthulla është gjithashtu super si anti-kalkare, në bigorrin e tubave, hekurit, lavatriçe dhe një zhbllokuese e menjëhershme.
SODË BUKE – Përbërës krejt natyral i cili nuk mund të mungojë në shtëpi. Falë një luge kafeje, gjithçka pastrohet në mënyrë perfekte. Soda pastron në ujë të bollshëm e spërkatur te fruta-perimet, e shkëlqyer për larjen e hidro-sanitareve, ku jep dhe një shkëlqim të paparë. Soda e bukës është e mrekullueshme për zbardhjen e dhëmbëve, kurimin e mishrave, lëkurën e trupit si një scrub i vërtetë.
VAJI I PEMËS SË ÇAJIT – Dezinfektues për dyshemeve pa nevojën e përdorimit të substancave toksike. Ky vaj esencial me origjinë australiane, tashmë i njohur si antibakterial, antiparazit dhe antiviral, ka efektet e tij të mahnitshme. Thjesht, hidhni disa pika në sfungjer bashkë me uthullën ose vetëm sapun të lëngshëm për të pastruar sa më mirë sanitaret.
LËNG LIMONI – A e dini se për të pastruar sobën, në qoftë se ju nuk jep efekt uthulla, ju mund të përdorni lëng limoni? Kjo është e vërtetë. Mjafton të shtrydhni 4-5 limonë për të përftuar një antikalkare që do ta bëjë të shkëlqejë pianurën e sobës. E njëjta formulë është efikase kur bigorri është i vështorë të hiqet. Të njëjtën masë lëngu lëreni më gjatë të për disa orë.
THJESHTË UJË – Pluhuri është i gjithëpranishëm edhe pas fshirjes së dytë. Sidomos në pranverë, kur lëmë dritaret më shpesh hapur, pluhuri ngjit më shpejt në mobilje. Për ta eliminuar këtë, mjafton të lagni pecetën e pluhurave me ujë të ngrohtë, mundësisht një leckë mikrofibër dhe përdoreni në të gjitha sipërfaqet. Edhe syzet mund të lahen në këtë mënyrë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.