Intervistoi: Marjana Bulku
Zonja Iris, ju e keni lënë Shqipërinë në vitin 2009. Çfarë do të thotë për dikë që ka investuar aq shumë intelektualisht ta rinisë jetën në një tjetër vend?
Tomas Eliot ka një varg brilant te poema “Këngë Dashurie e Alfred Prufrok’’ – “Ta çosh momentin në krizën e vet”. Me këtë varg, në mendje e kam lënë atdheun, dhe ky është vargu që më shoqëron sa herë kujtoj atë vendim. Ne ikëm se na vdiq shpresa. Shpresa, apo e thënë në formë poetike, ëndërrimi, çka e bën njeriun aktiv e vital, e bën energjik. Unë e kam fituar Green Card në vitin 1999 dhe e kam lënë Shqipërinë në vitin 2009. Ky fakt flet më shumë se çdo koment se sa shumë e kam dashur unë qëndrimin në atdhe. Të rinisësh jetën në një vend tjetër është pikërisht të rifillosh të rindërtosh ëndrrën, pasionin, të rigjesh shpresën. Njeriu në vetvete vjen në këtë botë për të realizuar një mison dhe brenda qenies së cdo njërit prej nesh punojnë forcat e brendshme në arritje të këtij misioni. Kur njeriu ndjen që misoni i ndërpritet për arsye të faktoreve të ndryshëm, atëherë instiktivisht ai do të largohet nga këta faktor. Ikja është e dhimbshme, por e gjen forcën pikërisht te misioni që instiktivisht të gjithë ne mbajmë brenda nesh, mision që na bën të ndihemi të lirë për të realizuar ëndrrën.
Irisi, studente ekselente, pedagoge, këshilltare në qarqet më të larta të politikës, studiuese e letërsisë, çfarë ka mbetur vitale tek ju nga këto fusha që i keni ezauruar në Shqipëri?
Asgjë nuk humbet, cdo gjë transformohet. Të gjitha çfarë kam realizuar në Shqipëri janë brenda meje në përmbushje të misonit për të cilin kam ardhur në këtë botë. Nga letërsia ka mbetur çdo gjë; unë jam e tëra kjo që jam falë saj. Mendoj se kam qenë me shumë fat që kam dashur dhe vazhdoj të mbetem e dashuruar me artin e të gjitha arteve, letërsinë-kryeartin! Po sjell këtu një kujtim që e kam nga viti 1997 kur ndoqa një shkollë amerikane në Greqi. Shkolla ishte verore dhe kishte bazë politikën, lidershipin, Naton etj. Të ftuar si lektorë ishin profesorë të Harvardit, Georgetoun etj. Mes atyre që më tërhoqi më shumë vëmendje ishte profesor Michael Collins, në atë kohë, ai ishte shef i katedrës së politikës në Georgeotoun Univeristy. Në një çast pushimi, ju afrova e i kërkova mendim duke e pyetur: -Unë dashuruoj letërsinë, por më pëlqen politika, ka ndonjë kontraditë në të? Ai m’u përgjigj gjithë entuziazëm: -Përsorsur, ku ka më bukur, ty të pëlqen dija që i jep përgjigje më mirë se kushdo politikës; ja ku e ke shembullin, dhe tregoi drejt vetes: Unë në profesion jam shekspirolog, dhe jap leksione politike e të së drejtës sociale. A ka më bukur?!
Dhe kjo është mëse e vërtetë. Nuk ka mendje që të ketë lexuar e kuptuar letërsi, e të mos kuptojë nga psikologjia, historia, politika, gjeopolitika, gjeografia, kulturat e çdo lloji. Është një botë e madhe dhe e pakrahasueshme ajo e letërsisë, është një botë që e fiton dhe e ke dhuratë tërë jetën. Ajo e bën individin më shumë spiritual se religjoz, më shumë pasionant se praktik; më shumë njeri se makinë. Unë mendoj se kjo botë nuk të ndahet, pavarësisht ku jeton apo si jeton. Ajo vetëm ta bën shpirtin më të bukur, pasi të ndihmon të kesh një raport shpirtëror me veten, gjë që të krijon mundësinë të kesh veten shok të denjë në çdo mjedis, sado i huaj dhe i ashpër të jetë ai.
Por erdhi një çast që unë vendosa të marr një shans dhe ta provoj veten në një tjetër fushë. Kështu, pas shumë viteve në fakultet si pedagoge e letërsisë moderne botërore dhe letërsise feministe, në vitin 2002 unë fillova punë si shefe kabineti e Presidentit Moisiu. Pranova të hyj pakuptuar në një botë tjetër, atë të politikës, korridoreve, pushtetit. Hyra në botën e luftës për pushtet pa u ndjerë kurrë aktore e denjë. Letërsia tashmë e kish bërë punën e saj! Megjithatë mund të them se ishte një ekperiencë e shkëlqyer për ta parë botën nga tjetër këndvështrim, me të tjera vizione dhe me të tjera përpjekje për të arrirë e bërë më të mirën. Këtë fazë të karrierës sime unë do ta quaja një arritje të bukur të jetës, po të mendosh se kam patur fatin të takoj gjithë elitën e lidershipit botëror të kohës, i kam dëgjuar nga afër, kam shtrënguar duart me ta dhe kam parë si zhvillohet politika në sferat më të larta. Ishte një përvojë e shkëlqyer për t’ju afruar realitetit nga një tjetër dimension, tashmë jo poetik, por më praktik.
Si konkluzion do të thoja se, gjithë çfarë jetova, e ndërtuar në edukim e karrierë në Shqipëri, më bëri të marr vendimin për t’u thelluar më tej në dije, dhe kjo ishte arsyeja që kreva shkollën e doktoratës në SHBA pikërisht për edukimin në leadership! Pa dyshim, asnjë vit të jetuar në Shqipëri nuk e quaj vit të humbur kot, ashtu sikurse kur mora vendimin për të ikur, isha ndërgjegjësuar plotësisht se, misioni brenda vetes kish ngecur dhe duhej vazhduar. Ndaj e quaj veten me fat që erdha në SHBA për ta vazhduar!
Jeni integruar më së miri në jetën amerikane, a mund të na e përshkruani këtë proces parë nga prizmi personal? Sa jeton Shqipëria te një intektual, duke parë edhe mungesën e perspektivës integruese të saj në kushtet e një politike primitive, revanshiste dhe aspak vizionare.
Unë kam fatin të punoj me individë nga të gjitha racat e botës, pasi pikërisht drejtoj departamentin e burimeve njerëzore dhe lëvizjeve në “Century Ship Service”, e cila është një firmë Amerikane me shumë traditë në lidershipin global. Kjo ka qenë një eksperiencë fantastike, pasi kam patur shansin të njoh individë nga shumë nacionalitete dhe pa droje mund të them se, ne Shqiptarët jemi një racë shumë e zgjuar dhe vitale. Nga ana tjetër unë mendoj se janë disa tipare tonat kulturore që nuk na kanë lejuar kurrë të arrijmë majat. Këto dy tipare kyçe, unë i shoh tek analizoj veprimet e shqiptarëve ndër shekuj si për shembull: pranimi që ne i bëmë për afro gjysmë shekulli izolimit që na bëri diktatura dhe mohimi që i bëmë fesë. Janë këto dy momente që duket se idenfikojnë natyrën tonë kulturore. Ne jemi një shoqëri kolektiviste dhe si e tillë çdo shqiptar e sheh veten me një distancë të dukshme ndaj pushtetit, çka do të thotë se, ne e gjejmë veten gjithmonë të varuar nga pushteti dhe larg nga pjesëmarrja në vendimarrje. Gjithashtu, sërish pranimi masiv i diktaturës komuniste si dhe mohimi i fesë rrëfen se, ne si shoqëri karakterizohemi nga një indiferencë kolektive, apo një mosmarrje të asgjëje me seriozitet, gjë që padyshim, së pari është individuale te çdo shqiptar dhe që sjell vetvetiu dhe mungesën e frymës së revoltës sidomos kur vihet në diskutim çështja e principeve morale apo shpirtërore.
Këto janë dy momente nga historia e Shqipërisë, që dhembin, dhe unë personalisht, sa herë që dua të përshkruaj kulturën shqiptare më vijnë në mendje këto dy shembuj, pasi mes tyre unë mendoj sikur përmbledh gjithë pse-në, arsyen që ne kurrë nuk kemi mundur të dalim nga gjendja ku na vendosin faktorët negativë. Të njëjtët faktorë ndikuan edhe në vitin e mbrapshtë 1997 që mbetet ndoshta kthesa më e madhe regresive e kohëve të demokracisë. Ky vit është sintezë që rrëfen se, ne shqiptarët edhe kur arrijmë diçka të bukur, sikur ishte demokracia e brishtë e pas ’90, e gëzojmë atë pak ose aspak. Unë mendoj se, kushdo para ’97-tës kishte shpresa për një Shqipëri më të mirë, kishte idealizma, kishte vërtetësi. Pas ’97-tës erdhi kthesa e madhe, ku korrupsioni u instalua nën mentalitetin, çdo gjë blihet, shitet, korruptohet, dhe kjo bëri që të vriteshin pak nga pak idealet e nisura në ’90. Dhe gjithë ky “ajër i ndotur” prodhoi vdekjen e iluminizmit të fillim ’90-tës, ëndrrave për një Shqipëri si e gjithë Europa, pasi një Shqipëri pa idealistë, është një Shqipëri e destinuar të humbasë çdo betejë për të drejtën, humanen, progresin. Fatkeqësisht, unë shoh se ka vdekur shpresa. Shoh mungesë entuziazmi, frymëzimi, besimi. Fjala -vjedh -mund të zgjedhohet në të gjitha vetat dhe ka vlerë vërtetësie në çdo vetë. Pjesa më dramatike është se, shqiptaret si natyrë u pëlqen “show” dhe duke qenë natyrë e tillë vjedhin jo për t’i fshehur e shijuar në hije, por përkundrazi, kanë dëshirë për t’i publikuar hapur këto “arritje”: Shitmendja me paranë e vjedhur është normale dhe kjo është drama më e vërtetë dhe amoraliteti që po e shesim si moral te brezat e rinj.
Cila është zgjidhja sikur e mendoj unë: Korrupsioni nuk luftohet vetëm me ligje, korrupsioni luftohet me dënime për këdo që e ka bërë atë. Në fakt, ne si kulturë kemi dhe dy probleme të tjera. Po t’i kthehemi sërish historisë do të vërejmë se, ne asnjëherë nuk kemi qenë të drejtë me vlerësimin dhe dënimin. Ne, në më të shumtën e herëve kemi vlerësuar apo dënuar gabim. Ne, më së shumti ndër shekuj kemi vlerësuar antivlerën dhe dënuar apo mohuar vlerën. Historia jonë ka qenë ajo e ndërtimit dhe shembjeve të monumenteve. Ne vazhdojmë po njëlloj dhe kjo është vërtet për të ardhur keq. Po nuk zgjidhëm edhe këtë kontraditë, nuk besoj se do të përparojmë atje ku duhet dhe sërish do të vazhdojmë të përsërisim vetveten gjithmonë e gjithmonë…
Historia jonë fatkeqësisht rrëfen se, dënimet në më të shumtën e herës kanë qenë false dhe më tepër për hakmarrje inatçore personale. Apo kemi vlerësuar sot atë që kemi urryer dje?! Kjo të bën të mendosh se ka gjithashtu një lloj ambivalence në kulturën tonë, dhe kjo na bën të jemi gjithmonë në një kontraditë të brendshme për vlerën dhe antivlerën.
Çështja më e madhe që unë shoh sot është se, ne nuk kemi vetëm një elitë politike dhe oligarkike të korruptuar. Çështja është se liderët janë ata që formësojnë shoqërinë dhe ne tashmë kemi një shoqëri totalisht të korruptuar! Duhet ta pranojmë se, ne të gjithë jemi fajtorë për atë që është krijuar atje, pasi ne të gjithë vuajmë nga ajo çka citova më parë, jemi indiferentë dhe nuk i marrim çështjet sociale serizisht, pasi e shohim veten të varur vetëm nga pushteti dhe nuk dalim dot nga furiku ynë personal!
Amerikanët kur bënë Uatergating nuk është se donin të dëbonin presidentin Nikson, pasi deri në ato çaste ai ishte shumë i dashur për ta. Ata e bënë se donin të jepnin leksionin e madh që askush nuk mund të abuzojë me postin e dhuruar nga populli. Lidershipi është pikë së pari dhuratë që populli i jep të zgjedhurve të tij, është një kontratë ku ndjekësit dhurojnë pushtetin e tyre, besimin e tyre dhe presin të drejtohen sipas kësaj kontrate të vetvetishme, por që duhet të jetë së pari e ndershme dhe racionale!
Për mua ndryshimin e sjellin vetëm të rinjtë. Një brez tjetër duhet të vazhdojë atë që ne lamë përgjysëm në ’90. Unë kam shumë besim tek ata që studiuan jashtë dhe vendosën të kthehen në atdhe. Vetëm ata mund të sjellin një frymë ndryshe, një mentalitet tjetër, parime të tjera, drejtësi tjetër!
Çfarë mendoni se e ka tkurrur më fort perspektivën integruese të Shqipërisë, çfarë do ta nxiste atë?
Fatkeqësisht, sot numri i shqiptarëve jashtë është më i madh se i atyre brenda vendit. Sinqerisht, shpresën për një Shqipëri më të mirë nuk e mbështes te Diaspora, apo siç dua ta quaj unë, të ikurit. Historia, si dija më e vyer, na rrëfen se, fatet e Shqipërisë asnjëherë nuk i ka zgjidhur diaspora, sado e fuqishme të ketë qenë ajo. Shqiptari kur shkon jashtë integrohet më shumë se racat e tjera, madje në shumë raste edhe asimilohet. Për këtë të fundit mjafton të shikosh faktin që pjesa më e madhe e fëmijëve të shqiptarëve të ikur pas ’90-tës nuk dinë të flasin gjuhën e nënës dhe ky është fakti më domethënës i një fillim asimilimi. Megjithatë, të kuptohemi, unë kam besim tek aktet e diasporës.
Por, të jesh aktiv me çështjen shqiptare, kërkon dashuri, energji dhe kjo nuk është se na mungon ne të ikurve, por kjo kërkon edhe kohë dhe mbështetje nga faktorët e brendshëm. Të ikurit, kanë ikur një herë e përgjithmonë. Ne nuk mund të pretendojmë të ndërtojmë diçka që e kemi braktisur. Ne ikëm dhe morëm me vete edhe shpresën e vdekur. Energjia jonë edhe po u kthyem, ka mbetur gjithmonë ajo e një momenti në krizën e vet. Unë mendoj se, Shqipëria nuk ka nevojë për këtë energji pesimiste, por vitalitetin, optimizmin dhe kurajën maksimale të atyre që vendosën të jetojnë atje, ose atyre që u larguan për njëfarë kohe për t’u rritur intelektualisht dhe u kthyhen të gatshëm për të afruar gjithë energjitë në arritje të misionit që i bën të ndihen të realizuar. Patjetër, ne jemi një shtysë e fortë mbështetëse për ndryshimet që duhen, por si pikë mbështetje e levës së Arkimedit, jo leva vetë. Leva janë, sikur e thashë, rinia brenda vendit, e udhëhequr nga vizioni largpamës i gjithë elitës që ka studiuar jashtë dhe ka vendosur të kthehet në vend.
Studentëve shqiptarë jam e bindur që u mungon metodika, mjeshtria komunikative, elokuenca brilante, polemika dinamike, si mund ta plotësoni këtë boshllëk?
Kur isha pedagoge në fakutet dhe jepja leksione mbi Letërsinë moderne të shek. 20, qëllimi im në mësimdhënie nuk ishte të jepja thjesht një informacion letrar, por ishte t’i bëja studentët të zbërthenin teksin letrar në mënyrë që mes atij jetësimi të mësonin sekretet e jetës, të gjenin thelbin e saj. Mes shumë teorive që shpjegoja e komentonim, unë kisha krijuar një si test, që për mua ishte i denjë të vlerësohej automatikisht me notën 10 çdo student që i përgjigjej korrektësisht. Kisha zgjedhur një pyetje nga shkrimtari i madh Nobelist Ernest Heminguej, pikërisht nga kryevepra e tij “Plaku dhe Deti”, që mbahet njëkohësisht edhe si kryevepra e letërsisë simboliste. Pyetja që i shtroja studentëve ishte: Çfarë simbolizon skeleti i peshkut nç momentet e fundit të kryeveprës? Përgjigja alternative që unë vlerësoja, është: skeleti simbolizon kujtimin mbi peshkun e dikurshëm, për të cilin plaku luftoi aq shumë që ta kapte, u përpoq aq shumë që ta shpëtonte nga peshkaqeni dhe që në fund, megjithëse e humbi, ai sërisht ishte i lumtur për përpjekjen e tij. Ai skelet simbolizon gjithçka kish mbetur nga gjithë përpjekjet e Santiagos. Mes asaj simbolike gjeja shkak t’u mësoja studentëve se, në fund të fundit jeta jonë nuk është vetëm një grusht kujtimesh, dhe se në fund të jetës ne do te jemi të rrethuar vetëm prej tyre, njëlloj si Plaku Santiago.
Ky motiv më ka drejtuar gjthmonë në jetë, ndaj dhe përpiqem t’i gëzohem çdo feste, buzëqeshjeje, miqësie, gatimi, shtrimi tavoline, mjedisi, çdo çasti që i jep jetës një ndriçim tjetër dhe e bën një ditë ndryshe nga e mëparshmja. Dashuria për jetën, në fakt, është dashuri për njerëzit.
Erik Fromi, autori i librit më të shitur për dashurinë “Arti i të dashuruarit” i ndan njerëzit në dhënës dhe marrës. Ai thotë se, dashuria i takon “dhënësve”. Unë kuptoj bukurinë e jetës vetëm te dashuria, dhe them se asnjë vlerë e arritjeve njerëzore nuk mund të arrijë madhështinë e dhënies së dashurisë. Unë përpiqem çdo ditë të ndikoj te djali im këtë ndjenjë sublime që na bën më të ndjeshëm, na bën më njerëzor dhe më në kontakt me Zotin sipas vetë shprehjes biblike: Kush takon dashurinë ka takuar Zotin!!!
Zonja Iris, mjaft prej brezit tonë, le ta quajmë të humbur edhe pse i 90-tës ka rol të madh në jetën sociale dhe atë politike shqiptare, a mendoni se ka ende hapësirë dhe mundësi për të zhvilluar vizionin e mbetur përgjysëm përmes publikimeve apo prezencës së protagonizmit tuaj intelektual në distancë.
Kontakti me kulturat nga e gjithë bota, kontakti çdo ditë dhe orë me individë nga i gjithë globi, si pjesa më entuziaste e punës që nga eksperiencat e mija në njohje dhe pranimin e kulturave, duke prezantuar edhe tonën gjithashtu. Zoti, mesa duket, ia plotëson njeriut dëshirat kur sheh vullnetin që ai ka në arritje të tij. Edukimi im letrar ka qenë një botë e madhe virtuale drejt njohjes së kulturave globale, përvoja pranë presidentit dhe më pas në qeveri, ku pata sërish shansin të takoj elita dhe të vizitoj shumë vende të botës, më bëri të tejkaloj hendekun e mangësive me të cilat brezi ynë ishte formësuar. Megjithatë as letërsia, as takimi me liderë dhe as vizita nëpër botë nuk të bëjnë t’i njohësh kulturat sikur i njeh kur bashkëpunon apo punon çdo ditë me individë të thjeshtë, që prezantojnë shumë kultura, që janë rritur dhe zhvilluar në liri sikurse Amerika garanton. Duke punuar me kolegë amerikanë, anglezë, turq, polakë, brazilianë, spanjollë, latinë, haitianë, suedezë etj., do të kuptosh se, standartet e jetesës kushtëzojnë vizionet shpesh, e mbase pikërisht, ai izolim kulturor i yni la përgjysëm mjaft prej ëndrrave tona në terrenin shqiptar. Në kushtet e një kohe globale, ku siç thotë dhe Fridman, “bota është bërë tashmë e sheshtë, falë epokës së informimit në të cilën po jetojmë, kulturat janë afruar më shumë, por shumë herë shohim se, kulturat janë acaruar edhe më shumë! Përshtatja me këtë botë globale është pika kyçe e mbijetesës. Kjo është një botë e ëndërruar ndër shekuj nga njerëzit, në fakt, është misioni ynë që jetojmë në këtë kohë t’i japim asaj më të mirën dhe kjo vjen vetëm nëse ne përpiqemi t’i duam kuturat e tjera, t’i njohim ato dhe t’i pranojmë”.
Në punën time, shpesh shoh sa e përkryer është teoria dhe sa e vështirë është që gjithë ato teori me vlera të realizohen e konkretizohen në jetë. Është pikërisht kjo që më nxit që të botoj dy libra, një për lidershipin, pasi mendoj që mjedisit shqiptar i mungon një trajtesë e tillë. Do të jetë një përmbledhje e studimeve që kam bërë në vitet e shkollës së Doktoraturës. Ndërkohë, i kam premtuar tim biri dhe ish-studentëve të mi, që do të ribotoj një libër me punime të letërsisë moderne, që kam pas botuar gati 20 vjet më parë. Aty do të vendos edhe disa esse të tjera, të botuara ndër vite, dhe kjo më duket se më kthen përsëri te dashuria e parë për dijen, letërsia.
Burimi: VOA
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.