Mirëqenie

December 6, 2016 | 9:22

Për mirëqenien mendore dhe trupore

1• Pushoni mjaftueshëm – Kur jeni të lodhur, nuk ndiheni mirë me veten dhe të tjerët, ndaj është e nevojshme të njihni limitet tuaja dhe të mos e mbingarkoni veten nga stërmundimi.

• Ushqehuni shëndetshëm – Hani mirë, pasi është e shëndetshme për fizikun dhe mendjen. Gjëja e mirë është që me një ndjenjë pozitive në shpirt, edhe ushqimet që më parë mendonit se ishin të shpifur, mund t’ju duken shumë të shijshme.

• Shmangni pijet alkoolike, duhanin – Pavarësisht se kur i konsumoni japin një ndjesi të menjëhershme çlirimi, lënia e duhanit dhe alkoolit do të ketë efekte afatgjata, të cilat janë shumë pozitive për trupin dhe mendjen.

• Kini vetëdisiplinë – Vetëkontrolli çon në evitimin e dëshpërimit, ndjenjës së pamundësisë dhe të tjera mendime negative.

• Mësoni të zbuloni gjëra të reja – Është një lloj “karamele” për trurin: që nga vizita në një muze deri te mësimi i një gjuhe të huaj.

Shijoni bukuritë e natyrës apo artit – Ka shumë studime që tregojnë se të shëtisësh në një lëndinë me lule, mund të ulë tensionin e gjakut dhe të minimizojë stresin. E njëjta gjë ndodh në një ekspozitë arti, në një qytet të bukur…

• Kufizoni zakonet e pashëndetshme – Siç mund të jenë mendimet negative për veten dhe botën që ju rrethon, të cilat kanë si efekt të vetëm humbjen e kohës, shterimin e energjisë, shtimin e ankthit, frikës dhe depresionit.

• Stimuloni kreativitetin – Bëni diçka që ju shtyn të rrisni kreativitetin dhe ju bën të ndiheni produktivë. Përkushtojuni luleve, pikturoni, ndërtoni, qëndisni etj.

• Jepuni përparësi gjërave të këndshme – Vërini detyrë vetes të bëni gjëra që ju dhurojnë kënaqësi dhe për asnjë arsye mos iu dedikoni aktiviteteve që nuk ju pëlqejnë.

• Bëni ushtrime fizike – Latinët thoshin “mens sana in corpore sano” (mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë) dhe është botërisht e ditur se të kujdesesh për trupin është thelbësore për një gjendje të ekuilibruar psikologjike. Të merresh me aktivitet fizik i bën mirë mendjes: ul stresin, largon ankthin dhe ndjenjën e depresionit, lufton pagjumësinë dhe ndihmon vetëvlerësimin; stimulon enforfinën – substancë që e prodhon truri, e cila gjeneron një ndjenjë mirëqenieje dhe është ilaç për mendjen dhe trupin. Po si të ndiqni një regjim të duhur për trupin? Së pari hartoni një plan që të jetë i lehtë për t’u ndjekur dhe mbajtur – duhet të bëhet pjesë natyrale dhe integruese për jetën: zgjidhni një aktivitet argëtues që ju pëlqen. Të ushtrohesh, duhet të jetë një gjë e këndshme, jo e mërzitshme, ndaj mundohuni të mos ju kthehet në bezdi. Nëse zgjidhni të vraponi apo të bëni ecje sportive, mundohuni të mos kryeni të njëjtën rrugë çdo ditë. Takoni njerëz të ndryshëm, dëgjoni muzikë të zhanreve të ndryshme që ju pëlqejnë. Sapo ta bëni këtë ritual pjesë të ditës, edhe efektet pozitive do të jenë të kënaqshme dhe do të shihni që çdo ditë do të jetë më e këndshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top