Jini mirënjohës
Zhvilloni mirënjohjen dhe mbani një ditar. Shënoni çdo ditë tri gjëra për të cilat ndiheni mirënjohës. Po ju japim një shembull: mund të jeni mirënjohës për shtëpinë, për faktin që jeni në punë, ndërkohë që shumë të tjerë nuk punojnë, për një libër që jeni duke lexuar, për trupin, për partnerin, për fëmijët; me pak fjalë për çdo gjë që ju fal kënaqësi. Secili prej nesh, nëse dëshiron, mund të gjejë shumë gjëra të bukura në jetën e tij dhe të jetë sinqerisht mirënjohës për to. Gjejini këto gjëra të bukura dhe shkruajini në një listë. Bëjeni këtë ushtrim çdo ditë dhe pas 4-5 ditëve të para, gjërat për të cilat do të jeni mirënjohës do të jenë aq shumë sa nuk do t’ju mjaftojë një fletë për t’i shkruar të gjitha. Do ta keni shumë të lehtë, pasi mirënjohja shërben për ta parë jetën me shumë pozitivitet dhe përmirëson gjendjen shpirtërore.
Takoni njerëz pozitivë
Shoqërohuni me njerëz pozitivë, njerëz që kanë ndërtuar vetë një jetë të lumtur, njerëz të cilët në të gjitha vështirësitë e jetës kanë gjetur kohën për t’u buzëqeshur të tjerëve, njerëz që ia kanë dalë të realizojnë ëndrrat e tyre. Këta persona do t’ju ndihmojnë të përqendroheni në gjithçka pozitive që ofron jeta.
Jini të mirësjellshëm
Zhvilloni sa më shumë mirësjelljen. Mundohuni të jeni të sjellshëm me veten, sidomos kur flisni për karakterin dhe personalitetin. Shmangni sjellje të tipit: “duhet ta bëj këtë punë”, por përdorni fjalë dhe folje më të ëmbla dhe të sjellshme si për shembull: “mund ta bëj këtë punë”. Jini të mirësjellshëm edhe me njerëzit që ju rrethojnë, drejtojuni atyre gjithmonë me buzëqeshje, kërkoni gjithmonë leje kur hyni në një dhomë dhe jini gjithmonë në harmoni kur keni të bëni me njerëz që janë po aq të mirësjellshëm me ju.
Buzëqeshni
Sa herë shikoni apo takoni njerëz të tjerë buzëqeshni. Buzëqeshni edhe kur flisni në telefon, edhe kur jeni vetëm. Buzëqeshja është ngjitëse dhe është arma më e çmuar që kemi për të ndryshuar botën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.