Nuk është ndonjë sekret që shfletimi i imazheve të panumërta, shpalljeve të fejesave, pushimeve, bebeve të reja e ngritjeve në pozitë në punë mund t’ju bëjë të ndiheni sikur nuk keni arritur asgjë. Por, është thuajse e pamundur që thjesht të ç’kyçeni përgjithmonë dhe asnjëherë të mos ktheheni prapë.
Por, lajmi i mirë është se mund të ketë një periudhë të caktuar kohore që mund ta shpenzoni në rrjete sociale pa pasur efekte negative.
Sipas hulumtimeve të publikuara në ‘Journal of Social and Clinical Psychology’, shpenzimi i vetëm 30 minutave në ditë në rrjete sociale mund të çojë në shëndet më të mirë mendor.
Pas eksperimenteve me 143 studentë, ku hulumtuesit kishin monitoruar sasinë e kohës që shpenzojnë në rrjete sociale si; Facebook, Instagram dhe Snapchat ata në fund u vlerësuan për shëndetin mendor në bazë të shtatë faktorëve të ndryshëm: mbështetja shoqërore, frika se mos liheshin mënjanë, vetmia, vetë-pranimi, vetëbesimi, ankthi dhe depresioni.
Më vonë, autorët i ndanë studentët në dy grupe dhe e vazhduan eksperimentin për tri javë. Njërit grup iu ishte kërkuar t’i përdornin rrjetet sociale si zakonisht; grupit tjetër iu ishte kufizuar koha e shpenzuar në rrjete sociale në vetëm 10 minuta për secilën platformë të rrjeteve sociale (pra 30 minuta në ditë).
Pas kësaj, hulumtuesit kishin analizuar se si kishin ndryshuar studentët në shtatë kategoritë e mëparshme. Siç tregojnë shkencëtarët, kur studentët e këtij studimi e kishin kufizuar kohën e shpenzuar në rrjete sociale në vetëm 30 minuta në ditë, ata kishin pasur një përmirësim të dukshëm në mirëqenien e tyre, përcjellë nga reduktimi i ndjenjave të vetmisë dhe depresionit.
Burimi / Telegrafi.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.