Në fokus

May 5, 2016 | 8:14

Për të drejtat e kafshëve, por mbi të gjitha të njerëzve!

Nga Orjona TRESA

Jam shumë dakord me dëshirën për të mbajtur kafshë shtëpiake, qen, mace, dhi, derr, lopë apo kalë. Deri këtu nuk kam asnjë kundërshti me preferencat e ndokujt, që mund të ma marrë edhe për ofezë, nëse tendenca përmes këtij shkrimi e prek. Bëni çfarë të doni me kafshën tuaj, por mos na e kufizoni edhe atë liri që na ka mbetur, lirinë e të ecurit në këmbë për qejfin tonë, shijimin dhe prekjen e butë të këmbës në tokë dhe soditjen e asaj cope rruge që na kthen andej nga kemi dalë në mëngjes, pragu i shtëpisë.

Para disa vitesh, Lordi, qeni i mëhallës më tregoi se çfarë fobie kisha. Edhe pse e shihja mëngjes për mëngjes kur nisesha për punë, përshëndetesha me të zotët e tij, (me frikë natyrisht) më bindën se vetëm lehte e nuk të bënte gjë. Por ai ma punoi. Ndërsa kthehesha një pasdreke në shtëpi, Lordi, me pulla kafe dhe të zeza, m’u hodh me të dyja putrat përpara dhe ia dha një të lehure aq fort, saqë u shtriva në këmbët e pronarit të vet. U bëra për ujë të ftohtë. Më spërkatën mirë e mirë me një bidon të shpuar për të ujitur perimet që shisnin aty jashtë si ambulantë. Për fat kisha takuar nënën rrugës. Dëgjoja vetëm zëra që kundërshtonin njëri-tjetrin. Të zotët e tërhoqën brenda “flamën” pa gojë, ndërsa unë nisa të marrë veten.

Prej asaj dite, zemra më rreh fort sa herë shoh qen rrugës, kalimtarë në disa raste me mua. Mora qenin si shembull, pasi ata kohët e fundit po dalin në raport të barabartë në numër me njerëzit. Nuk jam kundër mbajtjes së qenve, POR, çfarë taksirati u kemi të lëmë fëmijët rrugëve nga frika se mos na kafshojnë a na lënë ndonjë gjurmë të pashlyer në kujtesë!

Kjo ishte sa për hyrje. Se frika nga dëmi, bën gjëmën. Më e pakta, infarkti.

Plot raste të ngjashme çdo ditë e më shumë po shënohen edhe në Parkun Kombëtar të Liqenit Artificial.

Se m’u kujtua edhe një rast tjetër…

Teksa kisha dalë me kolegun tim fotograf për të bërë një shërbim artistik me një personazh publik për në revistën “Psikologjia”, pranë amfiteatrit, një djalosh i ri lëshoi qenin e tij pa maskë dhe pa zinxhir në lëmë, si të ishte në bahçen e vet. Aty mbaj mend që ia dhashë kodrës me të përpjetë, e u fsheha te Kisha e Shën Prokopit. E shava dhe e mallkova atë bir nëne sa kisha. Epo si mësuam kështu? Nuk di ç’të bëjë njeriu i shkretë?! E njëjta situatë i ngjau dhe një mikeshës time. Ajo për shëtitje me të fejuarin në kodrat e liqenit, duke shijuar piknikun e tyre në gjelbërim, një pitbull pa maskë ia pret. I fejuari, atë që kishte në dorë e flaku, si shkopi që është mësuar të kapë qeni në lojë, në sulm. Kjo skenë i la pa fjalë. U ngeci në fyt. U çuan dhe nuk ditën nga ia mbathën.

Të gjitha këto kanë ngarkesën e vet emocionale, por ajo që ta shpif dhe ta pështiros gjatë gjithë ditës, sa del prapë nga pragu i derës, është jashtëqitja e tyre. Po, po. Është stres i paparë. Mbetëm duke shkelur, sa njomë e sa thatë jashtëqitjet e qenve. Nuk ka ditë të mos na shohin sytë çlirim të kafshëve sa në parqet e vegjël pranë shtëpisë, në oborrin e hyrjes së banimit, nëpër shkallët e pallatit dhe në sa e sa vende të dukshme që të vjen ndot. Jemi bërë me katër sy. E bëjmë rrugën me pengesa të vështirësisë së lartë. Tani kush e kategorizon këtë? Ja më thoni, nuk ngjan çdo mëngjes edhe për ju i njëjtë me tjetrin?

Kodi Civil, Detyrimet që rrjedhin nga shkaktimi i dëmit, dispozita të përgjithshme pjesa IV, kreu i, neni 621 saktësohet qartë se:

Neni 621 – Përgjegjësia nga përdorimi i kafshëve

Pronari i një kafshe ose ai që e përdor atë është përgjegjës për dëmin e shkaktuar prej saj, përveç kur provon se ka patur kontrollin e sjelljes së kafshës nga e cila është shkaktuar dëmi dhe nuk ka mundur ta mënjanonte atë.

***

Disa pyetje për institucionet në varësi kam:

1-A ekziston gjobitja e pronarëve të qenve?

2-A janë vënë gjoba konkretisht?

3-A janë marrë masat pas rastit të fundit, ku një qytetar ekzekutoi qenin se i kish kafshuar të shoqen?

4-A ka injeksion klinik për frenimin e agresivitetit të qenve?

5-Siç paguajnë njerëzit taksa, por për qentë a është menduar taksë specifike ndaj familjarëve që i mbajnë?

***

Ja dhe një video e postuar nga një qytetar, Artur Rodhe, ku qeni pitbull sulmon pabesisht fëmijën e vogël.

Nuk zbatohet ligji, qentë pa maska.
Sot në Shqipëri sidomos në Tiranë, ky problem është kthyer në ankth dhe rrezik për qytetarët. Policia duhet të vendosë rregull që këta qen t’i nxjerrë larg njerëzve ose t’u vendosë maska mbrojtëse.
Por mesa duket, në Shqipëri ligjet nuk zbatohen dhe ne duhet të ruhemi vetë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top