“Problemi i kësaj bote është se njerëzit e ditur janë plot dyshime ndërsa kokëboshët plot siguri”; “Kurrë nuk duhet nënvlerësuar fuqia e të paaftëve të vetëkënaqur në grupe të mëdha, ata të ulin në nivelin e tyre e më pas të mposhtin me eksperiencë”; “Armiku më i madh i diturisë nuk është padija, por iluzioni se je i ditur!”. Këto janë thënie të filozofëve të mëdhenj, të cilat kanë mbijetuar ndër vite, të vjetra sa vetë njerëzimi.
Pseudointelektualët kanë qenë dhe janë një problem i madh i shoqërisë, të cilët, për shkak të një superioriteti të brendshëm iluzionar, i shohim so të ngrefosur, nën petkun e kostumit dhe kollareve, e që mundohen të drejtojnë fusha ku nuk janë aspak kompetentë, duke na udhëhequr drejt së
ashtuquajturës “fuqizimi i injorancës”. Ky realitet i trishtë që daton me Sokratin dhe Shekspirin, është vërtetuar dhe finalizuar vetëm 17 vitet e fundit si Efekti Dunning Kruger. Pjesa më e rrezikshme e gjithë kësaj është se të vetëquajturit intelektualë brohorasin fort kotësinë e tyre dhe ata me vlera të vërteta po fillojnë t’i duartrokasin masivisht.
Efekti Dunning Kruger u shpjegua shkencërisht në 1999 si rezultat i tendencës së personave jokompetente të një fushe të caktuar për të mbivlerësuar aftësitë e tyre dhe për të klasifikuar veten mbi nivelin mesatar, ndërsa specialistët e po së njëjtës fushë për t’u vlerësuar në një nivel të barabartë me të tjerët, duke e konsideruar veten më se të zakonshëm.
Mendjemadh, pompoz, arrogant, kokëfortë, i vetëkënaqur, i bindur se ka gjithmonë të drejtë, se di të bëjë gjithçka e që është më i miri përqark, a ju vjen ndokush në mendje?
N.q.s këto janë tipare që i adresoni në ndonjë apo disa të njohur tuaj, ta dini se me shumë mundësi të njëjtën gjë po mendojnë dhe disa të tjerë për ju.
Është ky përfundimi i një studimi të gjatë, që ka arritur të përcaktojë natyrën njerëzore si të paaftë për të gjykuar objektivisht vetveten. Bëhet fjalë për një defekt të lindur, të pagëzuar me emrin Efekti Dunning Kruger në nder të zbuluesve të saj (David Dunning dhe Justin Kruger). Ky defekt përmblidhet në mbivlerësimin e aftësive fizike dhe intelektuale të vetvetes dhe si rrjedhojë nënvlerësimin pa motiv të tjetrit. N.q.s ndonjëherë ju ka rastisur të përballeni me një situatë ku nuk keni ditur se çfarë të bëni, nuk keni pasur rezultatin që prisnit apo dikush ju ka habitur me arritjet e veta,
atëherë edhe ju keni përjetuar Efektin Dunning Kruger. Është e lehtë të biesh në rrjetën e tij!
Sipas neuropsikiatërve, një problem i tillë i ka rrënjët në aftësinë e trurit për të kuptuar dhe për t’i dhënë gjithçkaje një kuptim, madje edhe duke përdorur informacione të pjesshme apo të pasakta. Në të njëjtën rrjedhë me këtë, psikologët e shohin si një manifestim të pastër të asaj që quhet Ego, askush nuk pëlqen ta konsiderojë intelektin e vetes nën nivelin mesatar dhe kjo i pengon për të gjykuar objektivisht këtë të fundit. Për më tepër, njerëzit e kanë më të lehtë të shohin paditurinë e tjetrit sesa të vetes dhe krijojnë iluzione se peshojnë më shumë sesa “peshorja” e tyre tregon.
E thënë ndryshe, ekziston një ligj i pashkruar, sipas të cilit personat jokompetentë tentojnë të mbivlerësojnë aftësitë e veta për shkak se nuk kanë mjaftueshëm njohuri për të kuptuar limitin e pafundmë të zotësisë,
si një koncept i përgjithshëm, ndërsa kompetentët e njohin zotësinë e tyre dhe janë të ndërgjegjshëm se ka një hapësirë të pafundme për të shtuar në
të. Nga sa duket, në këtë rreth vicioz askush nuk del pa mëkatuar! Pra, Efekti Dunning Kruger nuk ka të bëjë vetëm me të paaftët që nuk arrijnë të
kuptojnë paaftësinë e tyre, efekti është vetë psikika njerëzore në themel të saj. Qenia njerëzore dyzohet sistematikisht për kompetencat e veta dhe jeton me rrezikun për të mos i shuar kurrë këto dyshime.
Terapia më efektive për këtë fenomen abstrakt është skepticizmi shkencor: aplikimi i një procesi logjik, empirik dhe, mbi të gjitha, modest. Përveç
aspekteve të ndryshme të të menduarit kritik, e rëndësishme është që shkalla e vlerësimit të vetes të fillojë nga niveli zero. Nëse supozojmë se ju jeni më pak të zotë nga ajo që pretendoni se dini të bëni dhe se ka më shumë njohuri përqark nga sa ju jeni të vetëdijshëm, rrjedhimisht do të rezultoni më kritik dhe më të saktë në vlerësimin e vetes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.