Këshilla & Arsye

November 15, 2016 | 6:22

Për të kapërcyer një traumë psikologjike

2Një traumë psikologjike mund të jetë rezultat i një ngjarjeje të dhunshme, një përplasjeje, agresioni, aksidenti, lufte, sëmundjeje të rëndë apo edhe një divorci. Këto ngjarje mbartin në vetvete gjendje traumatike evidente. Por edhe ngjarje të vogla, të përditshme mund të përjetohen si një shok: përdorimi i një gjuhe të egër e të dhunshme, një akuzë, një fyerje, një largim. Simptomat kryesore janë: ankthi, pagjumësia, pasiguria, frika, pështjellimi, ndjenja e fajit apo një ndjenjë e turbullt hakmarrjeje…

 

 

1. Mposhtja

Gjithçka është e lidhur me arsyet që kanë shkaktuar traumën psikologjike, por e rëndësishme është të dish ta mposhtësh këtë ndjenjë mbytëse që mund të të ngërthejë e të bëjë rob të saj gjithë jetën. Mposhtja e menjëhershme e kësaj traume është një mekanizëm mbrojtjeje që lejon të përballosh dhimbjen,të largosh urrejtjen, që të lejon të ndërgjegjësohesh pak e nga pak, të integrohesh, të përshtatesh – secili sipas kapaciteteve të tij – me një situatë të re. Për të ndihmuar një të afërt të kalojë këtë periudhe të vështirë, më e mira është t’i krijosh ndjenjën e sigurisë, një mjedis familjar e miqësor, t’i japësh dashuri, forcë, besim që ai ta ndjejë se nuk është vetëm. E kjo është një etapë e domosdoshme që ndihmon në shërimin mendor, një etapë që sidoqoftë është kalimtare, që s’mund të vazhdojë pafundësisht nën peshën e shkëputjes nga ai realitet me të cilin duhet të ndeshet që të mund ta përballojë.

2. Përballimi

Shpesh dëshira e mirë për ta ndihmuar dikë që ka kaluar një traumë të rëndë, mund të ketë një efekt të kundërt. Ai që i përballon më mirë këto situata është ai që ia del mbanë vetë: Kjo i jep sigurinë dhe e ndihmon të rindërtojë personalitetin e tij duke u ndeshur me pasojat. Përballja me realitetin i heq atij statusin e viktimës duke vënë në lëvizje ato mekanizma të ndërgjegjes individuale e sociale që i japin kuptimin e vërtetë jetës.

3. Trajtimi

Një traumë e rëndë psikologjike kërkon të ndiqet edhe nga një psikoterapist. Për trajtimin e sindromës së stresit post-traumatik sot po përdoret gjerësisht një terapi moderne, një rrugë mes psikologjisë dhe neurobiologjisë, që konsiston në përdorimin e lëvizjeve të syve ose shqisave të tjera për të ndryshuar rrjedhën e kujtimeve në trurin e njeriut e për t’i kaluar ato nga statusi «aktual,stanjativ», në statusin e «lëvizjes». Mbrojtësit e kësaj metode thonë se rezultatet e deritanishme kanë qenë shumë të mëdha (rreth 10 seanca me efekte mjaft të dukshme).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top