Ka njerëz që pa pasur një hajmali fatsjellëse me vete, apo nëse kalendari shënon e premte dhe 13, nuk dalin nga shtëpia. Por çfarë fshihet pas këtyre gjesteve? “Qysh e vogël prindërit më kanë ushqyer me disa gjeste besëtyte. Për shembull nëse një mace e zezë të pret rrugën duhej të ndalësh derisa një kalimtar tjetër, të kalojë më parë; nëse kripa derdhet duhet të hedhësh pak prej saj prapa krahëve; nëse thyhet një pasqyrë paralajmërohet një tragjedi. Pandërgjegjshëm u rrita me to dhe vazhdoj të jem e kujdesshme ndaj tyre, duke kryer gjeste “magjike”- thotë Miranda. Si ajo, shumë njerëz rriten me supersticionet dhe i lënë ato që t`ua kushtëzojnë jetën. Atëherë si t’ia bëjmë për t’i shmangur? Ja tri këshilla që mund t`u vijnë në ndihmë.
Cili është rasti juaj
Njerëz të ndryshëm janë supersticiozë për arsye të ndryshme. Një nga arsyet lidhet me mjedisin kulturor në të cilin janë rritur. Një tjetër arsye ka të bëjë me një formë të shqetësimit për të kontrolluar ngjarjet. Cili është rasti juaj? Kryeni një akt “magjik” sepse është bërë gjithnjë kështu në mjedisin tuaj? Apo diçka konkrete dhe personale ju tremb? Çfarë frikërash jeni duke u përpjekur të fshihni?
Filloni të pyesni veten
Thellohuni nëse i përkisni rastit të dytë: Pse keni nevojë të menaxhoni ngjarjet? Për çfarë arsyeje e lini veten të paralizoheni duke menduar se mos dita juaj do t`u shkojë keq nëse nuk i bëni gjestet “magjike? Ndoshta e bëni thjesht për t`u larguar prej qëllimeve themelore që i keni vënë vetes. Provoni të jeni të sinqertë me veten duke e pranuar atë nga e cila realisht keni frikë.
Informohuni
Nëse nuk mundeni t’i shmangni ritet kundër fatit të keq, përpiquni të kërkoni disa informacione, së paku të internet, për të kuptuar se pse qëndrojnë ende në këmbë besime të tilla. Me të zbuluar origjinën e këtyre sjelljeve dhe veprimeve “magjike” ka mundësi t’i jepni vetes një hapësirë të re dhe të gjerë të domethënies së këtyre gjesteve.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.