Instituti i Shëndetit Publik rekomandon masat e mëposhtme për parandalimin, kufizimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive nga përhapja e virusit të gripit:
Masa të higjienës dhe kontrollit të infeksioneve:
– Mbulimi i gojës dhe hundës me shami (mundësisht letre) gjatë kollitjes dhe teshtitjes, e cila të hidhet menjëherë në koshin e mbeturinave.
– Teshtitje apo kollitje duke përdorur gropëzën e bërrylit si mburojë.
– Të mos pështyhet në tokë.
– Larja e menjëhershme dhe sa më shpesh e duarve me ujë të rrjedhshëm dhe sapun ose pastrimi i tyre me alkool apo dezinfektantë.
– Mënjanimi i prekjes së syve, hundës dhe gojës.
– Përdorimi i maskave gjatë kollitjes apo teshtitjes, apo në mjedise të mbyllura ku ka grumbullim masiv të njerëzve për një kohë të gjatë.
Masa të distancimit social
– Mënjanimi i kontaktit të ngushtë me njerëzit, të cilët janë të sëmurë, pra çdo i sëmurë duhet të mbajë distancë nga të tjerët për t’i mbrojtur ata.
– Qëndrimi në shtëpi për çdo të sëmurë.
– Njëkohësisht, në këtë sezon gripi, duhet të përpiqemi të kufizojmë sa më shumë takimet dhe grumbullimet.
Vaksinimi
– Mjeti më i mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi.
– Ministria e Shëndetësisë pas rekomandimeve të grupit të ekspertëve dhe ISHP po kryen falas vaksinimin e punonjësve shëndetësorë si grup i rëndësishëm risku.
– Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP kanë siguruar 93 250 doza vaksinë kundër gripit, të parakualifikuar nga OBSH.
– Kjo vaksinë po shpërndahet në të gjitha DRSH/DSHP-të sipas një plani të përgatitur nga ISHP dhe më pas shpërndahet në qendrat shëndetësore dhe aplikohet falas për të gjithë personat, kryesisht si më poshtë:
– Persona të moshuar mbi 60 vjeç
– Persona që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare
– Persona që vuajnë nga diabeti
– Persona që vuajnë nga sëmundje obstruktive të aparatit respirator
– Persona që vuajnë nga astma bronkiale
– Persona me sëmundje kronike të veshkave, apo sëmundje kronike të tjera (hepatike etj.)
– Persona me sëmundje tumorale
– Persona obezë
– Gra shtatzëna
– Personel shëndetësor
– ISHP rekomandon vaksinimin gjatë të gjithë këtij sezoni të gripit, për të mbrojtur çdo person nga gripi dhe për të parandaluar format e rënda të gripit sidomos tek personat e sipërpërmendur.
Masa të tjera të kujdesit shëndetësor
– ISHP rekomandon trajtimin me medikamente antivirale për gripin me rekomandimin e mjekut, kryesisht në mjediset spitalore, pasi këto medikamente lehtësojnë shenjat e gripit, kufizojnë kohën e sëmundjes me 1 ose 2 ditë, dhe parandalojnë komplikacionet e gripit si pneumonitë, sidomos në personat që bëjnë pjesë në grupet e përmendura më lart.
– ISHP rekomandon trajtimin simptomatik të gripit sipas rekomandimeve të mjekut.
– Të mos neglizhohet asnjë shenjë e gripit por sidomos vështirësia në frymëmarje e cila kërkon oksigjenim dhe kujdes shëndetësor të menjëhershëm so dhe të funksionojë menjehere sistemi i referimit për kujdes spitalor sipas nevojës.
– Gjatë këtij sezoni të gripit përpiquni të menaxhoni stresin, konsumoni sa më shumë lëngje, fruta dhe sidomos ushqime të shëndetëshme dhe përpiquni të jeni fizikisht aktivë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.