Marrëdhënie

September 1, 2016 | 10:15

Për xhelozinë dhe demonë të tjerë

Si, kur dhe përse shfaqet xhelozia në çift? Këshillat për ta hedhur pas krahëve këtë “sëmundje” kur është e tepruar:

Sipas antropologëve, xhelozia i ka rrënjët që në lashtësi dhe ishte një ndjenjë që i përket kryesisht mashkullit. Edhe sot e kësaj dite, xhelozia e meshkujve është mbi të gjitha seksuale. Brenda disa limiteve, frika nga tradhtia është një ndjenjë shumë normale, madje pozitive. Xhelozia është një mënyrë për të shfaqur interesin për partnerin, por ndonjëherë, ajo shndërrohet në një sëmundje të vërtetë, e cila e çon marrëdhënien në çift drejt një krize. Më poshtë do të lexoni disa këshilla për t’u orientuar më mirë rreth kësaj ndjenje kaq komplekse, e cila e ka zanafillën shumë herët. Nga njëra anë lind me historinë e njeriut dhe, nga ana tjetër, varet nga historia personale e gjithsecilit.

 

Mjafton një shenjë për të shpërthyer xhelozia

• Një shkëmbim i vazhdueshëm shikimesh nga ana e partnerit me një person tjetër

• Zakonet e partnerit, të cilat ndryshojnë papritmas

• Mesazhe apo e-maile me persona të panjohur

• Një telefonatë e mbyllur, menjëherë sapo hyn partnerja në dhomë

• Rënia e marrëdhënieve intime apo zakone të reja në shtrat

Këto shenja perceptohen si kërcënim për ekuilibrin në çift, ndaj duhet ndërhyrë sa më shpejt për ta mbrojtur marrëdhënien. Që këtu fillon dëshira për t’i shkuar çështjes deri në fund, për të kontrolluar lëvizjet e partnerit dhe për të hetuar në kërkim të ndonjë gjëje, që ndonjëherë nuk ekziston fare.

 

Si shfaqet?

Sapo vendoset dyshimi në mendje, femra bëhet dyshuese dhe është gjithë kohës në ankth.

• Fiksohet, mendon dhe analizon çdo lëvizje të partnerit

• Shton kontrollin dhe kujdesin përkundrejt partnerit

• Pyet vazhdimisht partnerin ku shkon dhe me kë, duke vlerësuar menjëherë përgjigjet që ai i jep

• Ndien mëri dhe inat ndaj partnerit e rivales së mundshme, edhe sepse druhet dhe ka frikë se mos tallen me të. Këto ndjenja shfaqen nëpërmjet grindjeve, ose sipas karakterit, mbulohen nga një gatishmëri dhe përkujdesje e rreme, në pritje për të kuptuar se si janë gjërat realisht.

 

Dramatizimi i bën të palumtur

Njerëzit xhelozë janë të palumtur, pasi shkatërrojnë besimin në marrëdhënie. Kjo situatë kuptohet nga disa sinjale alarmi, të cilat janë:

• Dhimbje të vazhdueshme pa asnjë arsye konkrete

• Dyshim dhe mosbesim përkundrejt partnerit në çfarëdolloj momenti

• Kanë të njëjtin mendim të fiksuar në kokë dhe kjo ndikon në aktivitetin normal të ditës

• Vuajnë nga pagjumësia dhe dhimbja e kokës

 

Kur xhelozia është e tepruar

Në rastin kur xhelozia është e tepruar, nuk ka nevojë për arsye reale. Mjafton të besosh se një femër mund të jetë e interesuar për partnerin, pavarësisht nga çka mund të bëjë ajo dhe se si mund të reagojë ai. Rivalja imagjinohet si femra perfekte dhe me karakteristikat që partnerja xheloze dëshiron ta shohë. Në këtë mënyrë “tjetra” bëhet pasqyra e asaj çka xhelozja nuk ofron dot. Ky rol i jep rivales një fuqi dhe një joshje, që pothuajse gjithmonë është imagjinare. Reagimi mund të jetë përçmimi i tjetrës, duke menduar se tradhtohet për një që nuk ka asnjë vlerë. Kështu shpëton konsideratën që ka për veten dhe shkatërron mendimin e mirë e vlerësimin rreth partnerit.

 

Nëse shndërrohet në një sëmundje

Në rastet më të rënda, xhelozia mund të degjenerojë edhe në sëmundje. Nëse e gjeni veten në një nga shqetësimet e mëposhtme, ju sugjerojmë t’i drejtoheni një psikologu për ta përballuar me sukses situatën.

1) Sindroma e Mairet Kush ka këtë sindromë nuk shqetësohet për pabesinë e partnerit, por trembet në mënyrë obsesive mbi çdo gjë tjetër se mos e braktisin. Marrëdhënia në çift, për ata që vuajnë nga frika e braktisjes, përjetohet në mënyrë kronike me sfond plot dhimbje.

2) Sindroma e Otellos Ata që vuajnë nga kjo sindromë kanë bindjen se partneri i tradhton. Nuk ka asnjë rëndësi për të, nëse partneri është në të vërtetë besnik apo jo. Ka bindjen se tradhtia tashmë ka ndodhur. Asnjë “dëshmi pafajësie” e partnerit nuk ia heq këtë bindje. I kërkon në mënyrë “mbytëse” vazhdimisht partnerit të rrëfejë tradhtinë që ka bërë. 3) Xhelozia obsesive Ndryshe nga dy rastet e mëparshme. Kush vuan nga kjo lloj sindrome, e percepton në mënyrë perfekte situatën e vet. E kupton se e ekzagjeron, por e ka të pamundur të heqë nga mendja dyshimin e vazhdueshëm të tradhtisë, i cili e shtyn të shndërrohet në një “inspektor policie” në kërkim të provave që vërtetojnë dyshimet që ka.

 

Kur xheloz është partneri

Edhe pse ajo e do, ai ia bën jetën të pamundur, për shkak të akuzave dhe dyshimeve. Në vend që të ankohet, gruaja duhet të reagojë ashtu si duhet, në mënyrë që të mënjanojë dyshimet e partnerit dhe të hedhë pas krahëve problemet që shkakton xhelozia e tij e tepruar.

1) Mundohuni të mos e bëni dyshues Ata që vuajnë nga xhelozia e partnerit, duhet t’i tregojnë se sa e duan me fjalë dhe me vepra. Duhet të keni kujdes të mos bëni sjellje që mund të ngjallin dyshime! Bëni të mundur të mos e inatosni dhe ta sqaroni kur ju kërkon pafundësisht shpjegim, por bëjeni këtë duke mbrojtur personalitetin dhe mos humbisni dinjitetin.

2) Mos u përshtatni ndaj tiran.isë Ai që është viktimë e xhelozisë, nuk duhet t’i bindet vullnetit të partnerit dhe ta lejojë të kontrollojë çdo lëvizje dhe veprim që bën. Nëse e lejon këtë, do të shkatërrojë marrëdhënien në çift.

3) Shmangni gënjeshtrat Për një femër është më mirë të tregohet e sinqertë dhe të grindet me partnerin, sesa ta vendosë në rrezik besimin e tij në momentin kur ai kupton se ajo ka gënjyer atë apo edhe njerëz të tjerë.

 

Kur tradhtia ndodh realisht

Xhelozia bëhet më e dhimbshme kur zbulon që tradhtia ka ndodhur realisht, kur rivalja është një person dhe jo imagjinatë. Kur ajo është reale ndikon në vlerësimin për veten dhe, për këtë arsye, xhelozia është më se e justifikuar e shfaqet me reagime si ankthi, shtim kontrolli ndaj partnerit dhe gjithçkaje që i përket atij, mosbesim, mendime negative të vazhdueshme. Një fakt konkret si tradhtia lejon të përballosh në mënyrë racionale ndjenjat që provon. Është ndoshta më e lehtë të kesh të bësh me një kundërshtare sesa me një fantazmë të pasigurive personale apo nga brishtësia individuale psikologjike. Në disa raste, personi i tradhtuar shfaq një forcë të madhe shpirtërore, saqë partneri është i detyruar të pranojë superioritetin e saj moral dhe të tentojë riafrimin. Ndërsa kur xhelozia nuk përballet me realitetin, është më e vështirë ta hedhësh pas krahëve.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top