John Gray – “Pse nuk më dëgjon kur të flas” ishte një libër me një sukses të jashtëzakonshëm, ndaj u bë e domosdoshme rishfaqja e tij, herën e dytë me titullin origjinal të propozuar nga autori: “Burrat vijnë nga Marsi, gratë nga Venusi”. Libri është bestseller numër një në Amerikë, i shitur në 4 milionë kopje – në 34 vende – praktikisht në të gjithë botën. Kurse autori i tij, John Gray, njihet tashmë si “guru i çiftit”. Ajo që Gray thotë në librin e tij është se burrat dhe gratë janë persona tërësisht të ndryshëm, jetojnë në mënyra të ndryshme dhe sidomos flasin gjuhë të ndryshme. John Gray, psikoseksolog, është 45 vjeç, i divorcuar dhe lumturisht i rimartuar. Nga gruaja e dytë ka tre fëmijë dhe jetojnë të gjithë së bashku në San Francisko. Në SHBA është një personalitet i vërtetë.
Një javë pas lindjes së vajzës sonë, ime shoqe Bonnie dhe unë ishim mjaft të lodhur. Vajza çohej çdo natë, gruaja përdorte qetësues për dhimbjet pas lindjes. Qëndrova 5 ditë në shtëpi për ta ndihmuar, pastaj shkova në punë. Gjatë mungesës sime ajo mbeti pa qetësues. Në vend që të më telefononte mua në zyrë, i kërkon tim vëllai, që kishte shkuar ta takonte, që t’ia blinte qetësuesit në farmaci dhe t’ia sillte. Ai harroi dhe ajo mbeti e bllokuar nga dhimbjet për gjithë ditën. Kur u ktheva në shtëpi e gjeta shumë keq dhe të acaruar. “Kam qenë keq gjithë ditën, – më tha – m’u mbaruan qetësuesit, u bllokova në shtrat dhe askush s’e vrau mendjen”. “Pse s’më telefonove?”, – replikova në sulm. “I kërkova tët vëllai të m’i blinte qetësuesit, por ai harroi, e prita gjithë ditën. Çfarë të bëja. Jo vetëm që nuk ecja dot, por edhe u ndjeva e shpërfillur”. Në këtë moment shpërtheva, edhe unë kisha pasur një ditë të ngarkuar, por sidomos isha i nxehur ngase s’më kishte telefonuar. Pas një shkëmbimi të shkurtër fjalësh, u nisa të dilja. Ishim të dy në kufijtë e durimit. Në këtë moment ndodhi diçka që do të ndryshonte jetën tonë. “Të lutem mos ik, – më tha Bonnie. – Në këto momente kam më shumë nevojë për ty. Kam dhimbje dhe nuk fle prej ditësh. Të lutem më dëgjo”. Ndala. “John Gray, je miku im prej pak kohësh. Sa kohë jam mirë, jam ajo Bonnie e dashur, ti rri me mua. Sapo situata ndryshon, ti ia mbath”. Sytë i kishte me lot. Toni i saj ndryshoi kur tha “Jam keq… Ky është momenti kur kam më shumë nevojë për ty. Të lutem, eja të më përqafosh. Nuk ka nevojë që të thuash diçka. Kam thjesht nevojë të ndjej krahët e tu rreth meje. Mos ik”. Pas pak minutash më falënderoi që nuk ika. Më tha se të më ndjente afër ishte gjithçka për të cilën kishte nevojë. Në këtë moment fillova të kuptoj domethënien e vërtetë të dashurisë… të dashurisë së pakushtëzuar. Më ishte dukur gjithnjë vetja një njeri i dashur, por Bonnie kishte të drejtë. Paskësha qenë një mik që vleja pak. Për sa kohë ajo ishte e lumtur dhe ofronte shoqëri të këndshme, unë i shkëmbeja me zjarr ndjenjat me të. Por nëse kishte probleme, apo ndihesha i qortuar, ose filloja të kundërshtoja, ose ikja. Këtë mbrëmje për të parën herë nuk ika. Por të rrija me të qe shumë bukur. Ia dola t’i jap atë për të cilën kishte nevojë. Dhe, sidomos, kuptova se kjo është dashuria e vërtetë: t’i japësh kujdes tjetrit, të kesh besim dhe të të besojë, të jesh i pranishëm në momente nevoje. Bonnie paskësh pasur nevojë – unë nuk e kisha kuptuar – që thjesht t’i rrija pranë, butësia dhe gatishmëria për ta dëgjuar ishin kaq të rëndësishme për të. Duke marrë në vëmendje këto ndryshime, fillova të krijoj një raport të ri me time shoqe. Nuk e kisha imagjinuar se mund të ndihesha kaq mirë. Në marrëdhëniet që kisha pasur më parë, sillesha me shpërfillje në situata të vështira, ngaqë nuk dija ç’të bëja. Për shkak të kësaj sjelljeje, martesa ime e parë ishte shkatërruar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.