Marrëdhënie

February 23, 2016 | 14:10

Perceptim i një magjie prej romantiku

Manjola BaçiNga: Manjola Baçi

M.Sc. Psikologe Klinike

Me skepticizëm ende shtrohet pyetja: a përjetohet më romantizmi te njerëzit? Nuk duhet të kemi dyshime për të tillë ndjesi, por për thellësinë e saj të përshkruar te secili nga partnerët e dashuruar. Marrëdhënia në çift ka një zhvillim dhe një histori, e cila kërkon të plotësohet e ushqehet nga njëri-tjetri. Në një mënyrë të pashmangshme, ajo kërkon të posedojë tjetrin dhe krijon një domosdoshmëri për të. Uni, si më i përkëdheluri, shpërfaq kërkesat jo vetëm si kënaqësi, por edhe si abuzues me dëshirat kapriçoze dhe të tepruara, ku vjen si pasues egoja cinike dhe sipërfaqësore përkundrejt simbolit: dashuri dhe dhembshuri. Marrëdhënies në partneritet, me epsh i thithet gjaku, por nga këta dy psiko-vampirë, janë po këta të cilët duan të kenë lidhje të gjatë dhe të lumtur. E vërteta e saj e pazbuluar apo pa vetëdije, është ajo që kur lidhen dy njerëz mendojnë kur do të ndahen. Sa jemi të vegjël mundohemi shumë të marrim atë që duam, qajmë. Kjo vështirësi na përndjek edhe kur rritemi, për t’i fituar zemrën dikujt. Mundohemi e bëjmë përpjekje për ta përvetësuar, mirëpo të kthehemi pas në kohë, pasi kemi qarë e kemi marrë atë që donim, dhe e kemi flakur më pas, nuk është efektive qoftë edhe kur tregojmë se i mbajmë inat partnerit me këtë sjellje. Kështu veprohet edhe kur rritemi, pasi ngulmojmë për të pasur dikë, apo diçka, ia marrim energjinë pa pasur ende, kur e kemi plotësohet kjo kënaqësi dhe nuk mendon më sesi duhet trajtuar kjo ndjenjë në këtë rast. Ajo ç’ka i mungon marrëdhënies, e cila nuk është tregues, romanca, edhe pse lind dhe besohet si nevojë për të mbajtur gjallë lidhjen, është mungesa e vlerave, besimi, respekti, mirëkuptimi dhe toleranca. Lidhja krijon pushtet, e cila fillon si romancë dhe humbet gjatë rrugës, jo nga dëshira, por nga një skemë që ndiqet sesi të jesh romantik. Po të vëmë re, njëri nga partnerët është më romantik se tjetri, pasi joshja është një spektër për një fillim romance dhe ndjell pasionin. Ku ka pasion, ka edhe romancë, e përligjur si një formulë, një tregues kundërthënës midis tyre. Harmonia te një marrëdhënie, dukuri e një komunikimi të hapur dhe të sinqertë, sjell mirëqenie, e cila vepron si mekanizëm mbrojtës përkundrejt keqkuptimeve. Kjo e fundit i jep interpretim sjelljeve tona, të cilat hera-herës duken si ngërçe dhe bëhen manipuluese për nxitjen e konfliktit emocional. Gjendja emocionale është motivi për të reflektuar mbi lidhjen dhe gjetjen e ekuilibrit, në besim dhe vlerësim të vetes. Kur çifti ka nevojë për këshillim, nuk do të thotë se problemet vijnë nga mosmarrëveshjet, apo nga heshtja e tyre përkundrejt jetës seksuale, si dhe mungesa e komunikimit. Marrëdhënia përfshin historinë e një lidhjeje në çift, personalitetin, karakteristikat mes tyre, të cilat e bëjnë më të mistershme dhe më ngazëlluese atë. Ja dhe pse romanca midis dy individëve përfshin në të pasionin dhe intimitetin. Ka një kulm të saj, të periudhës ku kjo gjendje kalon në këtë përvojë që të gjitha marrëdhëniet në çift e kalojnë, edhe pse në ndryshim të një kohë më të gjatë apo më të shkurtër, intensiteti mbetet matësi më i saktë i romancës. Mund t’ju duket diçka e paqartë midis romancës dhe romantikës, romancë në lidhje dashurie, ku e përjetojnë të dy këtë ndjesi, dhe romantikë e individit, i cili është më i shprehur për të krijuar surpriza e për të ndezur pasionin.

Kur dy njerëz dashurohen, kërkojnë të gjejnë te partneri virtytet e tij, dhe kështu mund të kuptojnë natyrën e tij romantike apo jo. Nëse varen turinjtë, kur bie fjala për partnerin, të qenit romantik me keqardhje shprehin të kundërtën, pra thonë: ah këtë gjë nuk e ka që nuk e ka. Të qenit natyrë e tillë, lidhet me temperamentin e individit, sa më melankolik të jetë, aq më i predispozuar është drejt kësaj natyre të ndjeshme. Ky nuk është përcaktim definitiv, por janë edhe disa karakteristika të mësuara, bazuar në modelet familjare dhe përvojat e fituara. Sot në këto kohë të zhvilluara, për hir të së vërtetës, modelet se si duhet të jemi, janë të huazuara, me të rinj të përgatitur në sjellje deri në detaj se çfarë mund të thonë dhe si të jenë të depërtueshëm, tërheqës dhe joshës, parë nga këndvështrimi i një jetë luksoze dhe jo reale, për kushtet se si mund të konservohet një tipar prej romantiku. Të qenit romantik nuk të bën më pak të pavlerë për lidhjen, apo të dashuruar jo mjaftueshëm. Është një ndjesi që ose e ke ose nuk e ke. Mund të mësohet, patjetër që po, mjafton dëshira. Por a do të ndiheshit ju mirë nëse veproni dhe mendoni gjithë kohës se si duhet të jesh apo të sillesh gjatë një marrëdhënie? Ndaj psikologët këshillojnë që secili të jetë vetvetja. Kjo jep më tepër mundësi suksesi në lidhje.

Si të jetojmë me një partner nëse nuk është romantik

Në një lidhje të pjekur, nuk shihet ky tipar. Kontributet janë vlerësuar me diçka tjetër, romancë dashurie, ku të dy partnerët kanë investuar për këtë magji. Me pak fjalë, ka vlera të shtuara më tepër se një që kërkoni të keni. Nuk rrezikohet lidhja juaj, nëse nuk jeni tipa romantik, pasi ju e dini më mirë se kushdo tjetër, se si e keni mbushur njëri-tjetrin në romancën tuaj. Vetëm mos i paralelizoni me lidhjet e tjera, pasi secila zgjedh të jetë dhe vepron për shkak të temperamentit të individit, dhe bëhet e udhës që lidhja të identifikohet si e tillë. Ne zgjedhim lidhjen që është afër nesh si natyrë, por njëkohësisht zgjedhim edhe të kundërtën për të balancuar lidhjen dhe jetesën me të. Lidhja në proces të saj, ka një mori ndjesish të përjetuara, dhe mos u ankoni nëse mungon romantiku, për një kohë, pasi ky është perceptim i juaji, po të pyesësh palën tjetër thotë ka më romantik se unë që të them gjithë kohës: je dashuria e jetës time. Ka të bëjë thjesht me atë se si e perceptoni ju të jesh romantiku. Komunikimi është transaksioni që përcjell molekulat e lidhjes dhe që buron tek individi si tipar i qartë dhe i nevojshëm, i cili më shumë se gjithçka tjetër i lidh partnerët. Kërkojmë gjithë kohës atë që të tjerët kanë, dhe nuk shohim se sa e pasur mund të jetë lidhja juaj, që edhe nëse nuk keni buqeta me lule, apo dhomë gjumi me petale përherë, do të mendoni se nuk ka dashuri dhe magji. Aspak mos e mundoni veten dhe mos e krahasoni atë me lidhje të tjera, mendoni që maturimi i një lidhjeje vjen si atashimi i një nëne me fëmijën e saj. Nëse e provoni këtë gjë në lidhjen tuaj, ju i keni të gjitha mundësitë për të eksploruar dhe demonstruar magji dhe një lidhje romantike.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top