Familjarë, dashamirës, figura të njohura publike, politikanë shqiptarë dhe të Kosovës i kanë dhënë lamtumirën e fundit kolosit të letrave shqipe. Bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë, Helena Kadare u shoqërua nga dy vajzat e tyre, Gresa dhe Besiana Kadare.
Në ceremoninë shtetërore, homazhet për Ismail Kadarenë po mbahen me simbolin e Nënë Terezës, ndërsa poezitë dhe prozat e shkrimtarit lexohen në sfond.
Kryeministri Edi Rama iu është bashkuar homazheve në nder të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare. Rama shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Në shenjë nderimi, Rama u përkul para arkëmortit ku qëndron trupi i pajetë i shkrimtarit me famë botërore, ndërsa la dhe një shënim në librin e kujtimeve për Ismail Kadare.
Në fjalën tij Rama tregon dhe për polemikat që vijuan për shkrimtarin e madh edhe pas vdekjes për vendin se ku do të varrosej Kadare.
Po montohej për një shfaqje sonte në darkë. Lëreni aty. Nuk ka më mirë. Askujt nuk do ti shkonte në mendje rastësia që solli këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, asesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës. Nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndihej i marrë në mbrojtje nga të tërë ata që s’e donin.
Personalitete të larta të vendit, dhe jo vetëm personalitete nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë udhëtuar në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Ismail Kadaresë. Mes tyre presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i bashkisë së Tetovës.
Në shenjë respekti dhe nderimi për veprën e Ismail Kadaresë, janë vendosur korora me lule dhe homazhe pranë arkëmortit të shkrimtarit me famë botërore.
Presidenti i Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu ka marrë pjesë sot në homazhet në nder të kolosit të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare.
“Sot është ditë trishtë për gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit! Shkrimtari Ismail Kadare e ngriti emrin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në atë pikë, sa që krenohet çdo shqiptarë me emrin e tij! Ju prehtë shpirti në paqe!”- U shpreh Presidenti i Hysenbelliu Group.
Botuesi i Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri, në një prononcim për mediat nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, ku po mbahen homazhet për shkrimtarin, ka treguar momentet e fundit të jetës të kolosit te letrave shqipe.
“Mendoj se nuk do t’ja ndjej që ai nuk është më, se ai është diku. Kjo diku sot quhet pantetoni i letërsisë botërore”, tha ai, ndërsa theksoi se vepra e tij është pasuria më e madhe që i ka lënë këtij kombi.
Një shkrimtar të pavdekshëm dhe një shkollë letrare e ka cilësuar Fatos Kongoli mikun e tij, për të cilin u shpreh se e ka adhuruar gjithmonë si autor.
Më tej, Kongoli tha se vitet e fundit ishin miqësuar shumë së bashku dhe se takoheshin shpesh për të biseduar në banesën e Kadaresë.
“Kadarenë do të kujtoj gjithmonë si një mik të dashur dhe një shkrimtar të madh e të përmasave botërore. Është njeriu që ka bërë për Shqipërinë”, tha ai.
Vala e nderimeve për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, shkrimtarit që e bëri Shqipërinë të njihej në gjithë botën atëherë kur ishte më e izoluar se kurrë u ngjit deri në pallatin presidencial të Francës.
Në një deklaratë për shtyp, zyra e presidentit Emanuel Makron shpreh nderimet më të larta për atë që e konsideron si “shkrimtarin franko-shqiptar, i cili jetoi dhe krijoi si një njeri i lirë, në Shqipërinë komuniste të pasluftës nën zgjedhën e hekurt të Enver Hoxhës.
“Ai ishte një nga ata për të cilët të shkruarit ishte luftë, nga ata të cilëve çdo fjalë i shkëputet nga heshtja, nga ata të cilëve çdo rresht rrezikon t’i shtohet në dosje, nga ata që çdo roman i kërcënon t’i shtohet në epitafin e karrierës së tyre, sepse ai jetoi dhe krijoi si një njeri i lirë, në një vend që nuk ishte: Shqipëria sovjetike e pasluftës nën zgjedhën e hekurt të Enver Hoxhës”.
Ismail Kadare është nominuar 15 herë për çmimin më të lartë Nobel, për arritjet më të mëdha letrare nga një (ose disa) autorë brenda një viti.
Shkrimtari shqiptar me famë botërore, i përkthyer në më shumë se 45 gjuhë, Ismail Kadare u shua mëngjesin e së hënës në moshën 88-vjeçare në ambientet e QSUT, ndërkohë që sot trupi i tij përcillet për në banesën e fundit.
Ismail Kadare do të përcillet me ceremoni shtetërore, ndërkohë që homazhet kanë nisur prej orës 09.00.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.