Ftoin e përdorin për reçel, ëmbëlsira, puding, gliko, por edhe në mënyra të ngjashme me dardhën. Vlerat e vërteta të ftoit gjenden jo vetëm te lëkura, por edhe te tuli i brendshëm që është i mbushur me ushqyes të rëndësishëm, vitamina, minerale, antioksidantë dhe fibra. Me ndihmën e pak ëmbëltuesi ose edhe të mjaltit, fruti merr një shije fantastike, si dhe ndihmon për rënien në peshë.
Ftoi ka pak kalori, kripë dhe yndyra. Nga ana tjetër është i mbushur me fibra dhe vitaminë C, ndaj nuk keni asnjë pengesë që ta përfshini në planet tuaja për një dietë të shëndetshme. Ftonjtë mund të piqen ose të zihen për t’i dhënë nuanca të tjera shijes së tij. Ka veti antibakteriale. Shfrytëzoni farat e ftoit. Ziejini në ujë, kullojini dhe lëreni lëngun të ftohet. Më pas përdoreni për të luftuar erën e keqe të gojës, për të shëruar fytin dhe lëndimet e ndryshme në gojë. Mund ta përdorni edhe direkt në lëkurë për ta bërë atë më të lëmuar dhe për të eliminuar njollat.
Ngrënia e ftoit parandalon virozat dhe çrregullime të tjera. Ftoi mund të ndihmojë në shërimin e ulcerës peptike, zvogëlon problemet me zorrët dhe parandalon diarrenë, sepse në të vërtetë ftoi ndihmon tretjen për shkak të përmbajtjes së lartë të fibrave. Reçeli i ftoit kombinohet mjaft mirë me mishin dhe djathin, pasi e bën më të lehtë përthithjen e këtyre proteinave. Ftoi përmban fibrën e tretshme, që njihet për aftësitë e saj në uljen e nivelit të kolesterolit.
Rrjedhimisht, ftoi mbron nga sëmundjet e zemrës, forcon arteriet dhe e bën zemrën më të fortë. Kaliumi që gjendet te ftoi ndihmon në uljen e tensionit të gjakut. Përmbajtja e lartë e hekurit te ftoi e bën këtë frut të shkëlqyeshëm për parandalimin e anemisë, së bashku me një sërë problemesh të gjakut. I bën mirë sistemit imunitar. Ftoi ka vitaminë C me tepricë e cila e bën atë një mburojë fantastike për sistemin imunitar. Për më tepër ftoi ka edhe veti të mrekullueshme kundër plakjes. Si çdo frut tjetër, ftoi është i mbushur me antioksidantë që luftojnë radikalet e lira në trup, duke ndaluar tendencat e trupit për t’u prekur nga qelizat e dëmshme.
Burimi / gsh.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.