Pas përmbushjes së një muaji sakrifice në emër të Zotit, Allahut të Madhëruar, besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë sot Fitër Bajramin. Kjo është festa që bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo që myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, për ta festuar së bashku këtë ditë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu dha urimin e tij me këtë rast.
“Pas muajit të Ramazanit, muaj ku ndërlidhen përkushtimi e sakrifica, muaj në të cilin qenia jonë u shkëput nga përditshmëria materiale e muajve të tjerë, nesër, të gjithë besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, festën që kurorëzon sakrificën e këtij muaji, dhe siç na ka premtuar Zoti (xh.sh.) në Kuranin Famëlartë, pas vështirësisë vjen lehtësimi”, shprehet ai.
Spahiu thotë se sakrifica dhe devotshmëria e muajit të Ramazanit duhet të jenë shembull i angazhimit të besimtarëve myslimanë.“Urojmë që sikurse në këtë ditë kur ata që kanë më shumë japin për nevojtarët (ZEKATIN), t’i gjendemi për herë pranë të varfërve dhe të angazhohemi për ditë për një shoqëri të drejtë e solidare”, shprehet Spahiu.
“I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithësecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë. Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Fitër Bajramin me urimet më të përzemërta, në emrin tim personal dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë! Shëndet e mirësi për çdo familje shqiptare”, përfundon urimi i Spahiut.
Fiter Bajrami kremtohet pas 30 ditëve të agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit. Fitër Bajrami konsiderohet një ndër festat me të rëndësishme të besimit islam, ku të gjithë luten për më shumë paqe dhe dashuri mes njerëzve.
Revista Psikologjia ju uron të gjithë besimtarët myslimanë Gëzuar Fiter Bajramin. Qoftë ky një vit sa më i mbarë për ju.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.