Marrëdhënie

January 23, 2016 | 7:00

Përputhja kundrejt përshtatjes së karaktereve në çift

Nga: Diola Malasi

Cilado qoftë arsyeja, arsye të cilën nuk mund ta kuptojnë as vetë partnerët, shpeshherë shkaku i shkurorëzimit etiketohet “mospërputhje karakteresh”. Por cili mund të ketë qenë kuptimi i vërtetë i kësaj shprehjeje? Si mund të përputhen të bekuarat karaktere kur ato shkencërisht as nuk mund t’i përafrohen njëri-tjetrit? E vlerësuar pak më ndryshe dhe pak më gjerë, pikërisht kur karakteret e partnerëve duken të jenë kaq të “papërputhshme” mund të flitet për një potencial të shëndetit të marrëdhënies. Po “karakterit” ç’kuptim mund t’i jetë dhënë në kontekstin e gjykimit të marrëdhënies martesore në atë kohë?

Kuptimi i “personalitetit”?

Në psikologji karakteri përfaqëson vetëm një pjesë të personalitetit, pikërisht atë të ndryshueshmen për shkak të ndërveprimit të temperamentit me eksperiencat jetësore të individit. Në vazhdim, karakteri vetëm mund të evoluojë, e për rrjedhojë nuk mund të jetë kurrë i njëjti, e për më tepër me karakterin e dikujt tjetër. Në kushtet e “barazisë absolute” te individët që jetuan e martuan në një kulturë komuniste, përvojat personale të individëve ishin ose më saktë, priteshin të ishin të përafërta, pa dallime, duke përjashtuar dëshirat dhe fantazitë e tyre. E thënë ndryshe, temperamenti duhet të ishte një me karakterin. Temperamenti ka qenë i destinuar (sipas ideologjisë së kohës) t’i nënshtrohej “karakterit të një komunisti të denjë” (që shënonte standardin e një karakteri të shëndetshëm) pavarësisht materialit gjenetik që përcillej në të. Gjenet duhet të kenë qenë kastruar gjatë këtij procesi. Morali komunist i kohës ka qenë kaq kërkues e ndëshkues, sa ia ka arritur në mënyrë perfekte të prodhojë një “karakter tip” të individit që konsistonte në një ego që stërmundohej të orientonte pozitivisht energjitë e frustruara (të pashfrytëzuara, të paidentifikuara). Kështu individi punonte të realizonte dhe të tejkalonte planet, por nuk lodhej asnjëherë. Ai nuk kursente asgjë, sepse stimujt moralë ishin të përcaktuar për “fatin” “lumturinë në marrëdhënie” të asaj kohe. Ky ishte me hir ose pahir qëllimi i jetës së tij. Ndoshta emërtimi “mospërputhje karakteresh” në atë kohë kur është aplikuar, nuk është konsideruar si “mospërshtatje e karaktereve”. Ndërsa përshtatja në një marrëdhënie është një term që nënkupton ndryshueshmëri, ku partneri vë në lëvizje veten për veten, ku individi ka fuqinë dhe mbështetet në të për të krijuar atë që ai/ajo do. “Përputhja” është një term statik, që e shfuqizon partnerin, që e mban atë të mbërthyer në një skemë të përcaktuar, të cilës ai/ajo është i/e detyruar t’i bindet. Nisur prej këtyre përcaktimeve, “mospërputhja” mund të konsistojë në përpjekje të partnerit ose partneres për të dalë nga skema dhe për t’ju afruar më shumë vetes, që do të thotë, partneri ose partnerja fillon të përshtatet me veten e panjohur, dhe me partnerin/partneren e panjohur. E nëse kjo është ajo që ndodh vërtet gjatë martesës, (mospërputhja) atëherë mund të themi që martesa ofron ndër të tjera edhe mundësi “rritjeje” për palët, mundësi kontakti me veten dhe me tjetrin/ën. Nga ana tjetër, partnerët në atë kohë kanë qenë të orientuar ndaj besimit se “ata që martoheshin, duhet të përputheshin, përndryshe martesa humbet qëllimin e saj, d.m.th përputhjen”. Po me çfarë të përputheshin? Me “ideologjinë e kohës” apo me “ideologjinë e palës më të shëndoshë”? “Pala e shëndoshë” duhet të ketë qenë “ajo” me pirgun e stimujve moralë të arave, fabrikave dhe kantiereve. Kjo ndodhte atëherë. Një pjesë e mirë e çifteve duhej të rrinin të përputhur, sepse kjo i bie të ketë qenë pritshmëria. E ndërsa “të pashëndetshmit” kuptonin që duke ju afruar me palën e “shëndoshë” rrezikonin të përputheshin, d.m.th të largoheshin nga vetja, ata hiqnin dorë nga martesa. E nëse mund të ketë qenë kështu, “mospërputhja e karaktereve” është terminologjia përshkruese më e saktë për shkakun e shkurorëzimit në kulturën komuniste. Po në ditët e sotme pse përdoret ende ky lloj etiketimi? Ndoshta pavarësisht ndryshimeve kontekstuale, partnerët vazhdojnë të funksionojnë si më lart, me të njëjtat besime dhe qëndrime për veten dhe martesën. `

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top