Prekja, përqafimi, janë forma thelbësore komunikimi joverbal për marrëdhëniet njerëzore. Ato kanë një rol të rëndësishëm për mirëqenien dhe shëndetin fizik e psikik që në çastin kur lindim. Fëmijët e lindur para kohe, të cilët që të vegjël shpesh i prekin me dashuri dhe i përqafojnë tregojnë në vitet e mëvonshme të jetës se kanë aftësi më të mira konjitive, janë më të aftë të përballojnë stresin, me një ekuilibër më të madh në ritmin gjumë-zgjim.
Psikologia e famshme, Virginia Satir, eksperte e madhe e terapisë familjare, pranon se kemi nevojë për katër përqafime në ditë që të mbijetojmë, tetë përqafime për të mbajtur veten dhe dymbëdhjetë për t’u rritur. Ky është një numër për të gjeneruar nivele të mjaftueshme oksitocine, një hormon që çlirohet nga gjendja sitoksine pituarie, e cila rrit ndjenjën e lidhjes dhe gjeneron mirëqenie për shëndetin psikofizik.
Më 21 janar 1986 nga prifti Kevin Zaborney u krijua në Amerikë një festë kombëtare që inkurajon përqafimin. Qëllimi i kësaj feste ishte që njerëzit të tregonin në publik ndjenjat e tyre, në një komb ku ky veprim nuk është shumë i zakonshëm.
Kultura perëndimore është më pak e prirë drejt kontaktit. Në një studim të bërë nga Sidney Jourard, doli në pah se anglezët kanë tendencën të mos preken fare, amerikanët mes miqve preken rreth dy herë në javë, në Francë 110 herë në një orë dhe në Porto Rico 180 herë.
Traditat sociale, kulturore, ambientale, edukative, familjare kanë tendencën të ndikojnë më shumë apo më pak kundrejt kontaktit. Vetë ne, në momente të ndryshme të jetës e të ditës nuk është se pëlqejmë shumë të krijojmë kontakt fizik me të tjerët.
Këmbëngulja, në këto raste, mund të jetë burim një parehatie të madhe dhe kërcënim për mirëqenien dhe shëndetin psikofizik, sepse bën të mundur shtimin e hormoneve të stresit.
Përfitimet e përqafimit
Në përgjithësi, përqafimet mund të gjenerojnë përfitime të shumta. Disa prej tyre i kemi listuar më poshtë.
• Rritin ndjenjën e sigurisë dhe të besimit
• Rritin nivelin e oksitocinës, e cila stimulon lidhjen mes njerëzve, lehtëson ndjenjën e vetmisë, izolimit, trishtimit, inatit. Përqafimet na bëjnë të ndihemi të mirëpritur, të mbështetur, na rrisin ndjenjën e empatisë.
• Ulin nivelin e tensionit në gjak, numrin e rrahjeve të zemrës dhe pakësojnë rrezikun për të vuajtur nga problemet me zemrën.
• Ulin nivelin e hormonit të kortizolit dhe bashkë me të edhe shenjat e ankthit, tensionit, rrahjeve të zemrës, stresit.
• Prodhojnë hormonin e serotoninës, që lidhet me mirëqenien, gjendjen pozitive shpirtërore, harmoninë, lumturinë dhe është një ilaç i mirë kundër shenjave të depresionit.
• Çlirojnë endorfinën, neurotransmetuesit që bllokojnë perceptimin e dhimbjes dhe e shtyjnë drejt një gjendjeje të përgjithshme mirëqenieje.
• Përqafimet stimulojnë sekrecionin e dopaminës, i cili përmirësonin humorin.
• Mbrojnë sistemin imunitar, falë stimulimit të timos, i cili rregullon prodhimin e antitrupave në gjak.
• Pakësojnë nivelin e glukozës te fëmijët e sëmurë me diabet.
• Ushqejnë vetëbesimin, falë edhe kujtimit të përqafimeve të para në fëmijëri, që lidhen me aftësinë për të dashur dhe për të qenë të dashur nga të tjerët.
• Qetësojnë muskujt, tensionin, palësojnë dhimbjet falë rritjes së fluksit të gjakut në indet e plakura.
• Japin një ekuilibër më të madh në sistemin nervor.
• Mësojnë të japësh e të marrësh, të ndash gjërat me të tjerët.
• Ndihmojnë në perceptimin e ndjenjës së mbështetjes sociale, gjë që fuqizon shëndetin psikofizik.
• Përqafimet janë një formë meditimi, ndihmojnë të fokusoheni në të tashmen, për t’u lidhur me rrahjen kardiake dhe frymëmarrjen e personit tjetër.
Përqafimi optimal është pa dyshim ai që mund të ndahet me njerëzit e dashur, por lajmi i mirë qëndron në faktin që një studim i botuar në revistën “Psychological Science” ka nxjerrë në pah që shumë përfitime mund të fitojmë edhe duke përqafuar një objekt që e kemi përzemër si një pellush.
Sipas një studimi të bërë nga Deb Castaldo, ka dalë në pah se për të marrë përfitime të tilla, do të ishte mirë që të përqafohemi për të paktën 6 minuta në ditë.
Përgatiti: Manjola EREQI
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.