Përqafimi meriton të gjitha nderimet e botës. Është kaq i shenjtë, që bashkon dy zemra, që mund të ndiejnë rrahjen e tjetrit. Dhe përtej kësaj, disa përqafime janë në gjendje të lidhin shpirtra.
Në kohët e sotme, jemi gjithnjë e më të lidhur, praktikisht, megjithatë, ekziston përshtypja se, përqafimi është pak i dobët në jetën e përditshme.
Ky shtrëngim i bukur nuk do të zhduket kurrë.
Është një strehë e sigurt për ata që kanë privilegjin ta marrin dhe ta ofrojnë atë. Ky përqafim krahësh përkthen kaq shumë ndjenja. Ai na zbulon se sa na mungon tjetri. Është zëdhënësi i brishtësisë sonë kur nuk mund të flasim për frikërat tona.
Një përqafim është një mirëseardhje. Është dhembshuri. Është miqësi. Është dashuri. Është pasion. Është dorëzim. Është dëshirë. Është mirënjohje. Është solidaritet. Është respekt. Është ndjeshmëri. Është ëmbëlsi. Është pajtim. Është një përkëdhelje. Është një ndihmë. Është një strehë. Është falja.
Shumë nga përqafimet që kemi shkëmbyer, një ditë janë ndrydhur bashkë me dëshirën. Në veçanti, më mungojnë përqafimet që djali më jepte në derën e shtëpisë, pas një ditë të lodhshme pune. Ai ishte plot lajme për të më dhënë dhe më pyeste: “Mami, ke bërë shumë gjëra sot?”
Një tjetër dëshirë që më prek në zemër ishte kur shkoja me pushime në atdhe, kur zbrisja nga autobusi, dhe vrapoja të përqafoja babain tim në stacion.
Nga të gjitha përqafimet që kam marrë deri më tani, më i privilegjuari ishte i nënës sime, e fundit, 5 minuta para se të nisej për të jetuar me Perëndinë … Po ndalem këtu.
Përqafimet në aeroporte dhe në rrugë, me euforinë e ardhjes së lotëve, kaq të dukshme. Përqafimet në funerale, që pasqyrojnë solidaritetin tonë me dhimbjen e tjetrit. Përqafimet me këmbët që dridhen mes të dashurve. Përqafimet për të mbrojtur fëmijën kur ai zgjohet i frikësuar në mes të natës.
Në çdo kontekst është një përqafim, ky ilaç pa kundërveprime.
Nëse do të kisha pushtet bindës, do t’u kërkoja njerëzve t’i mbanin më pranë të afërmit e tyre, pa kufizime.
Ndërsa për çiftet, në veçanti, zakoni i përqafimit është thelbësor për harmoninë dhe lidhjen e bashkëshortëve. Përqafoni pa arsye, nuk keni nevojë për një rrethanë specifike.
Përqafoni nëse nuk jeni duke bërë asgjë dhe do të shihni se së shpejti do të frymëzoheni për të bërë diçka.
Përqafoni njëri-tjetrin për të qenë gjallë.
Përgatiti Orjona TRESA / Burimi: emozionifeed.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.