Në fokus

June 16, 2017 | 9:17

Përralla e motrave gjeni nga Patosi që po arrijnë majat e shkencës

Prindërit e motrave Detina dhe Argita Zalli besuan në jetën më të mirë larg Shqipërisë së vitit 1999 dhe imigruan të gjithë së bashku për në Angli, vendi që priti imigrimin masiv të shqiptarëve. Binjaket Zalli nga Patosi sot kanë arritur majat e shkencës botërore. Të dyja, të etura për të ditur se si funksionon mikrobota kanë studiuar mjekësinë molekulare në Universitetin e Sussex në Angli për të arritur deri te doktorata në Universitetin e Leicester.

deteiielk

Binjaket Zalli në vitin 1997, kur ishin vetëm 11 vjeçare, ëndërronin të emigronin në Perëndim për një të ardhme më të mirë. Por, kur më në fund kjo ishte realizuar, udhëtimi nuk kishte qenë aspak i lehtë. Ju kishin premtuar se do të fluturonin me avion për në Angli dhe përfunduan në një maune për 8 ditësh.

“Më dridhet mishi kur i kujtoj ato ditë”, pohon Detina duke shtuar se kjo, megjithatë, ishte rruga më komode që kishte atëherë, sepse shumë të tjerë kishin humbur dhe jetën për të migruar në Itali. Detina thekson mikpritjen që populli anglez ju kishte bërë atyre. Ato tregojnë se ata ju ndihmon për çdo gjë e sidomos njerëzit me moshë më të madhe. Disa tregon se ishin mjaft indiferent. Binjaket në fillim ju kishte lënë përshtypje kopshti dhe gjelbërimi i hotelit të tyre. Aty rrinin shumë njerëz, të lumtur e duke luajtur e folur. Atë çfarë më së shumti kërkonin motrat Zalli ishte shkolla. Atyre ju tha se nuk mund të vijojnë shkollën për një vit, sepse duhej të mësonin gjuhën dhe se regjistrimet për vitin shkollor veçse ishin kryer. Shqetësimi i tyre ishte vënë re edhe nga pronari i hotelit, një spanjoll që me vajzat fliste italisht. Ai u interesua për vajzat dhe ju gjeti një shkollë publike ku do të fillonin mësimin. Motrat u deshën të testoheshin për gjuhë angleze, fizikë, matematikë dhe biologji. Ato kaluan me sukses testin dhe filluan shkollën në tetor.

Detina tregon për vështirësitë që ato kishin në fillim në Angli. Si barrierë kryesore e kishin gjuhën, duke mos lënë anash dhe racizmin e bashkëmoshatarëve anglez. Ata shpesh i linin vajzat të fundit në rresht për të marrë drekën ose i hidhnin me letra ose gjëra të lehta. “Ata bëheshin në grupe dhe na thërrisnin ‘sllovak’ apo gjëra tjera”, rrëfen Detina për KosovaLive360. Motrat Zalli i kishin dhënë vetes një qëllim, të punonin sa më shumë dhe të arrinin rezultate të larta. Vetëm në këtë mënyrë ato do të kundërvinin këto sjellje.

Drejtori i shkollës gjithmonë i kishte marr shembull binjaket si studentet më të dalluara. Kur mbaruan këtë shkollë, Detina dhe Argita vazhduan shkollimin në “Grammar School”, një nga shkollat më të mira në Angli.

“Kjo shkollë dallonte nga e para si dita me natë, sepse këtu mësimi, rregulli, disiplina ishin në nivel më të lartë”, tregon Argita.
Kur erdhi koha që motrat Zalli të aplikonin në universitet, qeveria anglez bëri një amnisti për ata imigrantë familjar që kishin fëmijë deri në moshën 18-vjeçare, duke ju dhënë leje qëndrimi përgjithmonë në Angli. Ky ishte moment fati për motrat Zalli. Ato aplikuan në universitet dhe morën përgjigje pozitive. Pas 2 javësh, vajzave ju kërkohej një dokument që vërteton se ato kishin fituar të drejtën e qëndrimit ose do të duhen të paguajnë 10. 500 £ në vit secila. Falë një ndihmëse punonjëse në shërbimet sociale që me shumë vështirësi arriti të merrte konfirmimin në Home Office, ato vazhduan pa pengesa studimet e tyre në Universitetin e Sussex.
“Qëkur ishim të vogla 4-5 vjeçe, ëndërronim për t’u bërë mjeke. Prindërit na kishin blerë stetoskop lodër, edhe ne ‘vizitonim’ shokët dhe shoqet e lagjes”, tregon Detina.
“Në Universitetin e Sussex ishim 2 ndër nxënëset më të mira. Që aty, vazhduam të aplikonim për doktoratë. Unë pata intervista për doktoratë në Universitetin e Birmingham dhe të Leicester, ashtu si edhe Detina”, rrëfen Argita.
Ajo çfarë i bëri përshtypje Argitës pas intervistës ishte kur drejtori i Universitetit të Birminham prof. Carroll shkoi në dhomë dhe ju dha dorën të dy vajzave, për zgjuarsinë dhe mençurinë që ato paraqiten në intervistë.
Ato fituan vend për doktoratë; Detina për shkak të degës që i interesonte, zgjodhi Universitetin e Leicester ndërsa Argita zuri vend në atë të Birmingham-it.

Detina, e pyetur për kërkimet mbi kancerin në Universitetin e Leicester-it, fillon të tregojë për sëmundjen e rëndë të kancerit, e cila prek pothuajse çdo familje.
“Duke pasur parasysh që kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën duket qartë se ajo do të jetë një qendër e rëndësishme kërkimore për çdo institut mjekësor kërkimor. Në moshën 13 vjeçare e sipër kam përkthyer për shumë emigrantë shqiptarë që vuanin nga sëmundje të ndryshme, gjë që më bëri të isha më e ndjeshme për sëmundjet ‘vrasëse’ një prej të cilave, ‘kanceri”. Dëshira për t’i ndihmuar njerëzit sa më shumë, më bëri të futesha në këtë fushë të vështirë por edhe jo të pamundur”, tregon Detina.
“Vazhdova të punoja në një proteinë e cila quhet Nek8 , mutacionet e së cilës janë bërë të ditura të shkaktojnë kancerin e gjirit si edhe ‘polycystic kidney disease’, një sëmundje e veshkave e karakterizuar nga veshkat e zgjeruar që të çojnë në dështimin e veshkave. Projekti im konsistonte në të gjeturit se si kjo proteinë funksiononte në lidhje me proteinat e tjera; të gjej shtigjet molekulare dhe mënyrat për të ndaluar keq komunikimin e kësaj proteine me proteinat e tjera”, shton shkencëtarja Detina.
Detina ka arritur të përfundojë doktoratën një vit para kolegëve të saj dhe publikoi një gjetje të rëndësishme në një gazetë shkencore për të vazhduar punën në Universitetin më të njohur botërorë në Harvard.

“Aplikimi im në Universitetin e Harvard-it fillojë më tepër si një lojë, sfidë me veten. Doja të dija limitet e mia në fushën e shkencës dhe vendosa të provoja Harvard. CV-ia ime, tërhoqi vëmendjen e profesorit Roland Baron, një nga shkencëtarët më të mirë në botë, i cili, më bëri një intervistë me anë të skype, e cila zgjati një orë. Unë isha personi i parë (nga dhjeta të tjerë) që më intervistoj edhe intervista shkoi shkëlqyeshëm. Më vonë profesori Baron, më ftoi në Boston ku do të prezantoja punën time shkencore që kisha bërë në laboratorin e parë dhe do të intervistohesha edhe nga 8 shkencëtarë të tjerë”, vazhdon rrëfimin Detina.
Gjithçka kishte shkuar mirë për Detinën. Ajo mbanë mend se si pas intervistës të gjithë i buzëqeshën dhe i pëlqyen punën.
“Pasi nje dite të lodhshme intervistash, profesori më fton në zyre ku më thotë: ”Puna është e jotja. Dua të punosh në laboratorin tim.Unë, ngela pak e çuditur sepse nuk e prisja një përgjigje kaq të shpejt. Zakonisht, përgjigjen ta kthenin pas një jave”, thotë Detina.

Ajo ishte tepër e kënaqur, sepse kishte fituar sfidën që i kishte vënë vetes. Ajo nuk deshi ta pranojë këtë punë sepse e gjitha familja i jetonte në Angli dhe ishte e lidhur shumë me binjaken e saj Argitën. Ata i dhanë një javë kohë për të menduar dhe pasi ajo u konsultua me familjen e pranoi ofertën e Harvardit.

Tani Detina jeton dhe vepron në Amerikë. Synimi kryesor i jetës së saj është lumturia e familjes dhe suksesi në karrierë.

“Ndjej gëzim kur i ndihmoj të tjerët dhe shpresoj të vazhdoj në këtë rrugë. Kënaqësia më e madhe është të ndash njohuritë, dijet tua me njerëzit e tjerë për mendimin tim, edhe unë një gjë të tillë dua ta bëj”, shton Detina plot gëzim.

Argita vazhdon të jetojë në Angli ku është duke bërë një post doktoratë në University College London. Ajo është më e reja e grupit. Ajo punon në fushën e epidemiologjisë dhe të shëndetit publik dhe bashkëpunon me shkencëtarët më të mirë në botë. Ajo është e martuar me Redin Dokaj, prej të cilit merr edhe mbështetja më të madhe.

Ajo ende kujton me mall fëmijërinë në Shqipëri. Kujton shumë mirë ditët në shkollë kur ajo dhe motra e saj nuk donin të merrnin nota më të vogla se 10 dhe se si gjithmonë kanë qenë pranë njëra tjetrës. Argita thekson rolin e familjes në arritjet e tyre, duke dashur t’i falënderojë prindërit që ju dhanë hapat e parë drejt dijës, punës, ambicieve.
Argita në bashkëpunim me gruan që ka fituar çmimin Nobel në Fiziologji dhe Mjekësi do të publikojnë punimin e tyre në një gazetë shkencore.

Argita pos shkencës pëlqen shumë dhe artin e të shkruarit, pianon dhe kinemanë.

“Më pëlqen të pasqyroj mendimet e mia në një fletë të bardhë edhe të ndihem mirë kur i lexoj. Më pëlqen të luaj piano, edhe kam shumë dëshirë ta përvetësoj këtë hobi megjithëse koha është shumë e limituar. Me pëlqen kinemaja, ndërsa shikoj filma me shokun tim më të mirë Redin”, tregon Argita.Ajo ka për qejfi shumë kafetë me nënën e saj, bisedat, shakatë e gjysheve dhe të gjyshërve. Thotë se dashurinë e ngrohtë mund ta dhurojnë vetëm njerëzit e vendit tënd.Ajo tregon sa shpesh flasin me Detinën në Skype dhe se sa shumë kënaqen së bashku. “Ne shihemi tri herë në vit, më mungon shumë ajo”, vazhdon Argita.
Ajo tregon dhe se sa pak shqiptarë takon në Londër dhe të gjitha ata që ajo takon janë të suksesshëm në fushën e ekonomisë dhe biznesit.

“Populli shqiptar është një popull shumë inteligjent, shumë i përkushtuar për të arritur majat. Për fat të keq jo të gjithë kanë mundësit për të ecur para. Sikurse prindërit tanë të mos kishin marrë rrugën për në Angli, edhe unë me Detin do të kishim vazhduar shkollën e mjekësisë në Tiranë, mirëpo nuk do të kishim mundësinë për të bashkëpunuar me shkencëtarët më të mirë në botë, edhe ta bënim emrin tonë të njohur në fushën e shkencës”, thekson Argita.

Argita thotë se e rëndësishme është të gjesh balancën e duhur midis jetës familjare edhe karrierës. “Asnjëherë nuk do të jeni të kënaqur me punën tuaj, deri sa të jeni të kënaqur me jetën tuaj. Nuk do të ndihesha asnjëherë e kompletuar pa pasur dashurinë edhe ngrohtësinë e bashkëshortit tim, si edhe prindërve edhe motres time edhe për këtë i falënderoj me gjithë zemër”.
Një mesazh për të rinjtë nga motrat Zalli është që të vazhdoni përpara, besoni ëndërrat tuaja edhe mos lejoni asnjë t’u thotë ndryshe.
“Si unë edhe Detina, lidhemi me historinë tuaj, sepse si ju edhe ne kemi studiuar në shkolla shqiptare edhe e dijmë rëndësinë edhe përpjekjen që ju bëni për t’u bërë dikush në jetë”, thotë Argita.
Motrat Zalli po ashtu theksojnë rëndësinë e njerëzve në jetën tonë. Ne duhet të kem njerëz afër vete, që na përkrahin dhe na duan. Të njëjtën gjë duhet të bëni dhe ju për ta, në mënyrë që të arrini sukses në karrierë.
“Suksesi zgjat vetëm për një çast edhe më vonë harrohet. Bota e shkencës është shumë e egër. Gjithashtu, duhet të kuptoni se sa më lartë të jeni në karrierë, aq më shumë përgjegjësi dhe punë do të keni. Unë edhe Deti jemi veçse dy prej jush dhe kemi besimin e plotë që ju do t’ja dilni mbanë, ashtu siç edhe ne, në të ardhmen shpresojmë të arrijmë aty ku dëshirojmë”, përfundojnë shkencëtaret shqiptare në botë./ Konica.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top