Përse numri i atyre që po zgjedhin të mos e hedhin hapin drejt martesës është duke u rritur me një shpejtësi aq flagrante sa dhe vetë ndryshimi i perceptimit mbi martesën si institucion? Është fjala për një “shtyrje për më vonë”, që me ç’duket së shpejti do ia lerë vendin një “nuk ka ç’më duhet martesa” të përhapur në masë më tepër seç mendojmë. Kjo është një e vërtetë e konstatueshme lehtësisht në shoqëritë perëndimore amerikane e evropiane, por edhe në shoqërinë shqiptare vërejmë gjurmë të një filozofie jete të përçarë në këtë drejtim. Duke anashkaluar problemet socio-ekonomike e të realizimit profesional (jo më kaq aktuale si pretekste e justifikime) dalëngadalë shohim se si po zbulohen edhe kolektivisht ca “të vërteta” më të pakapërcyeshme kollaj për mendimin.
Po të analizojmë frikërat e stepjes, të fut në reflektime torturuese debati i madh që sot e vë martesën në kontrast me ndjenjat delikate apo shkrumbuese të dashurisë dhe pasionit. Asnjë nga të rinjtë që njoh, të martuar ose jo, ndonëse të lexuar, të mirëinformuar e të aftë për t’u kthjelluar teksa përballen me realitetin, nuk preferojnë të mendojnë kështu. Sikur të mendonin, çfarë justifikimi të vlefshëm do i jepnin zgjedhjes që kanë bërë apo më keq akoma ata që nuk e kanë bërë, si do të mund ta bëjnë? Do krijoheshin plagë narcistike të pariparueshme, njeriu ka nevojë të besojë tek vlerat e zgjedhjeve të tij, që të ndihet mirë. E në fund të fundit, kush është ai që nuk do të ndihet përjetësisht i dashuruar dhe i rikëmbyer? Gjithçka që thuhet i zëvendëson këto ndjesi më vonë, si bashkëpunimi i menaxhimeve të familjes, respekti, plotësimi i boshtit të vetmisë, sa mund të jenë vallë në sytë e një të riu ngushëlluese? Tjetra akoma, është parimi i përjetësisë që implikon martesa, të paktën në nisje. Gjithnjë e më tepër njerëzit duan të shpëtojnë nga ideja e “Do të bëj përgjithmonë, për gjithë jetën të njëjtën gjë!”: nuk duan të bëjnë gjithnjë të njëjtat punë, shtojnë profesione e kualifikime, udhëtojnë shpesh, ndërrojnë e zgjerojnë miqësi dhe duket sikur krijojnë apostafat realitete paralele për efekt mbrojtjeje: “Nëse një projekt dështon apo nuk më përmbush gjatë zhvillimit, do të hidhem tek tjetri”. Përjetësia apo e gjithmonshmja marrin çdo ditë e më tepër forma tmerruese dhe kultivojnë perceptimin e burgosjes në ditët e sotme.
Njerëzit duan të martohen, po aq sa edhe nuk duan të martohen.
Dhe ja ku kthehemi sërish tek çështja madhore a dyvlefshmërisë, që e dimë tashmë përbën konfliktin njerëzor pour exellence si të brendshëm dhe të jashtëm. Të rinjtë kanë frikë pra se po zgjedhin të lënë prapa krahëve miklimet, emocionet e pasionet dashurore për t`u lënë vendin problematikave martesore që vdesin këto të parat. Megjithatë, duke qenë se shoqëria shqiptare është një djep shumë i mirë për të mirëpritur mekanizma identifikimi mes njëri-tjetrit, ne duam atë që tjetri ka, dhe nëse kemi shokë e miq të martuar duam të jemi një ditë si ata. Po ku e dimë se çfarë ka tjetri në të vërtetë? Sa i kënaqur është me zgjedhjen e tij, nëse ka aq aftësi autoskopie sa të jetë më i ndërgjegjësuar për jetën se i frikësuar nga njohja? Shpeshherë as të dëshirojmë nuk dimë, ndonëse edhe identifikimi dhe përshtatshmëria me mjedisin janë të nevojshëm gjithashtu për të qenë mirë me veten, nuk “lakmojmë” vërtet kur tjetri është i kënaqur, por kur duket se ka hedhur gjithë hapat e “programuara” në këtë jetë për t`u konsideruar “i realizuar”. Nganjëherë duket sikur vetë plan/ projekti i të qenurit prind në një të ardhme, mund ta trondisë pak idenë e lirisë sa më të tejzgjatur. Nuk ndodh rrallë të dëgjosh individë që e veçojnë dëshirën për të patur fëmijë nga dëshira për t`u martuar, e cila nuk ekziston. Dhe prapë dilema merr rrugë sepse modelet martesore të familjeve që kemi jetuar, nëse kanë qenë të shëndetshme në pjesën më të madhe të tyre, na kanë gjurmuar thellë dhe me ndjesinë e të rriturit të fëmijëve brenda pikërisht këtij modeli të njohur; njerëzit kanë frikë nga e panjohura dhe ende nuk qartësojnë dot ndjesinë që fëmija është dhe mund të jetë burim jete dhe drite dhe brenda një martese të rrënuar e pa asnjë urë lidhjeje mes çiftit, apo krejtësisht jashtë këtij institucioni.
Martesa:
Nga “I/e dashur do të ndërtojmë çdo gjë bashkë dhe nuk do ndahemi kurrë” tek “I/e dashur do të bëjmë vetëm dashuri bashkë për aq kohë sa do të na pëlqejë?” Askush nga ne nuk do të preferonte të dëgjonte nga personi i dashur për zemrën një propozim privues dhe të kanalizuar në një drejtim. Kur duam dikë na vjen natyrshëm të dëshirojmë të jemi epiqendra e botës së tjetrit dhe nuk ndihemi të dashur prej tij deri sa nuk na përkushtohet deri ne të qenurit i gatshëm të ndajë çdo eksperiencë apo pjesë të jetës me ne. Kjo sepse në të kundërt njerëzit nuk marrin dot konfirmime dashurie dhe nuk besojnë tek autenticiteti i asaj çfarë jetojnë. “Nëse vërtet më do, pse të mos dojë të martohet me mua?”. Por a është kjo një arsye e mjaftueshme për të dëshiruar martesën? Kujdes; kjo është zgjedhje implicite e motorëve jetësorë, martesa konkrete në këtë rast nuk është dëshira bazë, po vjen si pasojë e dëshirës për të patur personin që “do” krejt për vete dhe për të ligjëruar të drejtat eskluzive mbi të. Në të vërtetë mungon një ndërgjegje kolektive për të njohur këtë hap si të duhurin për t`u bërë apo jo.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.