Kabina e shtrembëronte vëmendjen duke e imponuar pak përqendrimin për ta drejtuar diku larg mendimin pa thelb të përcaktuar.
Mbrëmja ka prirje të të ftojë të jesh më e dashur me të! Është fjali që në vetvete fsheh përmbajtjen e asaj që stimulon qetësia për në qetësi dhe rrëmuja për në parregullsi, për t’u mësuar pak me një gotë të lënë të harruar aty mbi tavolinë dhe kujdesi për të pastruar njollat mbi një rrobë e bën pastaj më vonë, nuk ka pse të nxitohet koha. Dhe aty muzika e mirë, zëri i mirë me të cilin je mësuar, ke krijuar varësi. E dëgjon nga distanca e teknologjisë, e rikujton për të mos e harruar, me qëllim për ta vizionuar përballë. Personazhi i preferuar me zërin e preferuar vë në lëvizje brendësinë për ta dashur përditshmërinë me përulësi e etur për tingullin e përsëritur në dëgjim.
E pashë… subjekti e shikon qartë komunikimin jashtë të fjalës me fjalën, e lexon se si komunikohet me pavetëdijen. Ndofta kanë ndjesi dhe të mbetet heshtja, e kupton, e ke të kuptuar gjatë dhe të mbetet mospranimi gjersa të vemi te heshtja, më pas vemi aty. Sërish vemi aty. Faj ka pavetëdija që di të lexojë.
Në rrugën aty afër banesës e shtruar me rërë asfaltime, ku kalojnë të gjithë ata që banojnë rreth e rrotull në të dhe kalimtarë të rastit. Papritur të ishte bërë mërzi prania e saj atje, që ekzistonte bashkë me ty, ishe mërzitur me të “ti” si kalimtar. Me rrugën ishe “mërzitur” dhe me rrugën ishe “i mërzitur”! Të ishte ngjitur nga pas! Ndërkohë ajo s’kishte faj, jetonte ekzistencën e saj në rrethanat dhe kushtet që i mundësonte roli, qëllimi për të cilën ishte krijuar.
Është si në marrëdhëniet mes njerëzve, s’ka faj ai që tërheq vëmendjen për një bisedë, por ai që bie në këtë tërheqje vëmendjeje. Ama dhe e drejta legjitime për të bërë një bisedë qëndron. E ka instiktive në natyrë. Thuhet, andaj natyrat janë të ndryshme, por duket sikur instinkti është bazik, i njëjtë për të gjithë. Funksionaliteti pastaj është çështje e ndërlikuar, do shumë mendje për të arritur në një të dhënë apo në disa të dhëna.
Përtej një të pare si të shpejtë, shfaqet kureshtja koketë që është bërë për ta kthyer vështrimin në vëmendje jo vetëm për të kthyer kokën. Nuk mjafton shtrirja, ka dëshirë ta shohë objektin të kapur mirë kur vendoset mbi tavolinë. Është muzika si gjuhë dhe semantika befason! Tingulli që vjen prej saj në gjuhë, e ngjesh fjalën butë dhe përmbajtja semantike e saj si strukturë dëgjimi frymëzon shpirtin dhe trupi duket sikur vallëzon në eter.
Aty muzika e fjalës të ngushëllon, çdo dritëhije të mundshme e bën hijen të jetë me ngjyra jo të zbehtë, me qëllim për të mos mbuluar fytyrën që ajo të dalë në dritë.
Ndonjëherë, zbehtësia në fytyrë të kujton mbylljen apo punët me orë të zgjatura të vështira, zgjedhje personale dhe të kushtëzuara, megjithatë pamja është vetëm perspektiva që e çon të shfaqurën përtej asaj që shikohet, pra është analiza e brendshme që reflekton mendimi.
Në tren, aty kupton distancën e zërit që dëgjon me pamjen nga dritarja, vëren trupin e shkujdesur ulur, sikur është i qetë, dhe i qetë është, thjesht i ulur, duke të të dëgjuar ty, pra zërin e muzikës.
Të bërit lëvizje me tren më kujton një gjë që s’dua ta harroj kurrë. Shtendosja e ideve më duket më e lirë aty dhe vetja duket kaq e pafajshme, është në baraspeshë edhe me të mirën edhe me të keqen. Fillon t’i duash të dyja njëlloj, sepse e mira të bëhet njësoj me të keqen. Të sillen kaq dashur, janë kaq të dashura me subjektin tënd!
E pështjelluar natyra e parë nga larg, në kuptimin nga vendi ulur në sediljen e trenit, të ngjall nostalgji me kohën që lëviz e pamëshirshme dhe i trembesh se ndofta rrethanat nuk ta përsërisin më këtë trajektore kthimi e rikthimi. Lëvizja e këtij mjeti transporti bashkon antiken me modernen, kaq transparente të duket vetja aty me kushte fare modeste, të thjeshta, bazike siç i thonë. Të zgjon shqisat edhe aty ku nuk shikon, ku ke vështirësi me sytë. Vagullnaja e hapësirës që është në përpjesëtim të zhdrejtë me mjetin që lëviz, me sa duket perceptimet kanë diçka në mendje veçmas shqisave. Është lëvizja e trenit që e imponon këtë perspektivë të shikuari nga këndi i shikimit dhe duket vetëm perspektiva jo e para si shikim. Thjesht, bën shfaqjen e tij vjen për të mos ikur kurrë, për të të pushtuar modestinë duke të të imponuar me delikatesë ato vjeturina të hekurta që të rrethojnë të marrin leje edhe kur duan të të prekin dorën. Ndodh sepse nga shkujdesja e mendjes së lodhur ne e vendosim dorën mbi sediljen e tij disi rëndëshëm, ndofta duke e lënduar pak, por ai është i dhembshur dhe mjaftohet me kënaqësinë që merr nga trupi ynë i ulur mbi të. Sqimën e bën me turp, dhe nga mirënjohja ne intimidohemi, me vështirësi përmbajmë veten, duam të lexojmë edhe tingujt që ai lëshon nga lëvizjet e bëra, ndërkohë paramendojmë dhe distancën që do të vijë nga leximi i mundshëm, por ato metalike të hekurta dinë të jenë përherë të dashura.
Nga kjo perspektivë vërehet ky objekt lëvizës i vjetërsuar, që simbolikisht i ngjan një godine të rrënuar refleksi.
Vë në kujtesë radhitjen 12 të ulëses, jo se ka rëndësi ky numër, thjesht këtij numri i ra rasti të jetë dëshmitar për kujtesën. Qenia përpiqet për thelbin në kërkesat e saj. Është njësoj si një godinë identitare e vjetruar. Ajo duhet të qëndrojë aty. Mund të rikrijohen tulla të reja mbi të kaq, por gjeografikisht është aty. Na tjetërsohet mendimi. Treni lëvizës e zbërthen veten e tij mbi vetëdijen njerëzore me qëllim që të arrihet një marrëveshje mirëkuptimi me pavetëdijen. Stimulant i kamufluar, por i sinqertë është “treni” në dijeni për kujtesën arkaike, për rolin që ka në veten e tij kjo vjetërsinë, që merr këtë emër të quhet e tillë, ndaj njeriut delikatesa e tij në të ndjerë e kapërcen ftohtësinë e ngurtë të objektit. Një pushtet misterioz të çuditshëm që kanë objektet për ta lënë me kast harresën në vendqëndrimet e tyre të vizatuara, aty qëndrueshëm, si për të të zgjuar nga zhurma.
Tingulli binte në trajtë gongule kundrejt trokëllimave të tij të dëgjuara rëndshëm për të të vrarë veshin. Por në një gur, në një gur që dëgjon jo vetëm zhurmat e vetes së tij, por edhe fjalën e njeriut! I ngjan inatit të njeriut ku duket si i gurtë, por në brendësinë e ndjesisë dhe intelektit vazhdon të jetë vepra më e mirë. Shfaqet i njëjti mister në atë natyrë ku unikaliteti gjen veten me drojën më të bukur ku gjëkundi tjetër nuk gjendet. Ekziston ndryshe nga çdo gjë! Tërheqja më e veçantë ku varësia nuk të bëhet pengesë. Etja e një trupi të thjeshtë njerëzor, krejt i pavarur në dukjen e tij distancuese, të mpirë, në marrjen e një hapi apo vendimi, largpamësia e tij vetmitare s’ka për qëllim të fyejë askënd! Kjo përbërje kockore dhe mishtore qëndron aty e brishtë në damarët që vërehen me habi. Urtë, pa zë, s’bën lëvizje, shpërqendrimin e ka disi në mendje.
Ngadalësimi i gishtave është thuajse rutinë, diçka ka në logjikë si perceptim por nuk e thotë, kuptimi për ta lexuar mbetet si një dyshim që të imponohet, jo se ka një rrjedhë logjike por rrethanat të çojnë aty. Pastaj fajësohen fytyrat që nuk kanë ngjashmëri. Një faj i pakomentueshëm për pyetje merr vlerë që ke ndarë vitet në kohë dhe hapësirë, edhe kur në tipare nuk ngjan, nuk mund të thyen pasqyrat. Përgjegjësia për fytyrën është personale. Këto janë shqisat, nuk kemi pse t’i hyjmë anatomisë. Përcaktojmë emrin dhe në cilësimin njeri, për lehtësi i drejtohemi njëri-tjetrit me përkatësi emri. Vetvetja nga ngarkesat në mendim bëhet toksike, ndjen bezdi edhe nga një gërvishtje e bërë nga jashtë pa të keq, me qëllim të marrë kënaqësi të vogla, ndaj ftohtësia nuk e ngut rënien e saj. Fillon t’i duash në tërheqje duart e akullta që vështrojnë. Ligji i tërheqjes e pështjellon ftohtësinë.
Në një dimension humaniteti zbulon se pas një ngrirje të gjatë të trajektores kockore të fytyrës ka ende jetë. Problemi i objektit njeri e përdor në miliarda mekanizma të folurën për ta shkrirë fjalën në milimetra të mundshme, që gjuha të ketë pretekst të justifikojë lëvizjet e saj në parametra të lexueshëm edhe për një të verbër.
Natyrshmëria në të ndjerit e shqisës gjuhë vjen pa dëshirën e saj e fshehur në kafazin e kokës për të vënë në jetë kontradiktën e fjalës sikur e paracaktuar vendos qëllimin që njeriu të merret vesh me njeriun.
Vështirë të shkoklavitet rrëmuja e keqkuptimit të fjalës. Gjuha flet, mendja dëgjon, aty kuptimi merr prirje gjymtimi, ku trupi i rrëzuar ecën si çalë i ndihmuar nga një patericë. Simbolikisht flas për gjymtimin! Fillon dhe të mërzitet fjala… Por vjetërsia e pllakës së gramafonit nuk të ikën nga mërzia, e do aty, të është mësuar qenia me të. Ajo hekurishte e vjetër të vë në kujtesë rrëfimin se si nise të kesh të bësh me të. Do të të persekutojë harrimin, të mbash mend se asnjë ditë nuk do të shkojë në mendje të harrosh as të mos guxosh të kesh në mendje harrimin.
Nuk durohet boshësia. Më pas asgjënë njeriu s’pranon ta konsiderojë në të jetuar. Janë tamam si ato mbetjet e dashura, të mira, është subjekti personal pastaj i cili vendos kriterin mbi to! Mbeten aty mendimet bashkë me tjetërsimet e tyre. Ato paramendojnë ta vërejnë të parën diku larg në një perspektivë si më vizionare në një parandjenjë, ku në fakt diçka e pengon të shikuarin qartë. Andaj shtendosja e kupton ndryshe veten e saj. Të bëhen objektet të dashura. Fuqia për të duruar njeriun të lë. Ngarkesa kudo, herë të kamufluara, herë të paraqitura me imazh si hutim pak, me pjatën e ushqimit përpara s’të bëhet të hash. Kujtohesh të hedhësh një triko përsipër, sikur ndjen të ftohtë, edhe pse fuqia e diellit është, por duket si e zbehtë. Por arsyeja është se në pasditen e vonë, ku drita thuajse perëndon, vjen errësira dhe dielli është i zbehtë, ndaj trupi ka ftohtë.
Rutina e ditës, ku ajri nen zë e pështjellon shtrirjen e tij disi lodhur, vëren kohën e kushtuar dhe frymëmarrja merr sekondat e saj në lëvizjet e mundshme që të të kujtojnë sa të huaja janë edhe vetë gjestet konkrete në lëvizje.
Ndonjëherë gjithçka të bëhet e huaj. Nuk prek dot as objektin konkret. Të humbet sensi i kuptimit të prekjes dhe nga distancimi në ajër i tyre vjen në dukje të shikimit sikur objektet i mban forca gravitacionale e rëndesës në ajër. Por që nuk bien në trajektoren nga lart-poshtë. Siç është ligji i natyrshëm i këtij postulati, vazhdojnë të ekzagjerojnë me irealen, luajnë mes vetes. Pra objektet e ngurta qëndrojnë në hapësirën e ajrit, nuk mbivendosen as mbi një tavolinë as mbi një komodinë, as mbi një dysheme, as mbi një krevat, as mbi asgjë. Na intimidojnë duke na vënë në lojë nervin e trillit. Na bën të njohim irracionalen rastësisht, pa dashjen tonë, atëherë kur nuk e kemi llogaritur veprimin që do të vijë.
Na mungon energjia për të kuptuar më tej. Këtu logjika detyrohet të bëjë probabilitet të imponuar. Është si në rastin e gjinisë, një femër në krahasim me një mashkull e kthen përmbys ekuacionin. Pra është faktike që logjikën e mban gjinia femërore, e provuar nga ligji i deduksionit tashmë. Megjithëse logjika si parim i takon njeriut në thelb.
Në pritje të zbritjes së shpejti, këmbët do të jenë në rrugë. Nuk dihet se çdo të ndodhë në asfalt. Zhurmat përreth do të rifillojnë, dilemat do të marrin sërish jetë për të rifreskuar veten e tyre. Të vijnë sërish në mendje fjalët. Ato janë aty, s’kanë ikur, jetojnë prapë me ty dhe gishtat u kujtuan se duhet të bënin një veprim. Objekti i ngurtë që është një tren, një stilolaps, një pjatë, një karrige, vëzhgojnë veten me kujdes dhe i shprehin vetes së tyre me zë, “do të të lëndojë dhembshuria e vetes që ndjen ndaj gjërave!…”
Njeriu sprapset para këtyre bisedave, nuk e ka fuqinë. Për momentin s’do të dëgjojë të folurën e objekteve sende me njëra-tjetrën. Dilema është se subjekti njeri e shikon veten dhe i duket vetja kaq i vogël në vlerë si të dyshuar, ku kamuflimi luan pa u fshehur. Nuk ka më droje në flokët e hallakatur, të krehur rrëmujshëm, pa kujdesin e vëmendjes. Stivat e rrobave vendosur rrëmujshëm në dollap nga pakujdesia, janë ngatërruar me njëra-tjetrën.
Ashtu si mendimet nga rëndësia që i jep një gjëje, kupton që ke keqkuptuar një gjë tjetër, madje duket sikur vë kufizime në gjykimin e një sendi apo njeriu apo konteksti. Por nuk është kështu, është tjetër, andaj vështirësia për të kuptuar na ka sfiduar me kohë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.