Në fokus

September 15, 2016 | 9:23

Personaliteti i Mjedës, Tirana e Prishtina në gjurmët e poetit dhe gjuhëtarit

 “Nji poet i thellë ndër ndiesina dhe i përsosun në trajtë qi çeli nji krue të ri lirizmi në letrësin t’onë, nji Atdhetar qi punoi tanë jetën e vet për zgjimin e fuqisimin e ndërgjgjes kombtare nëpërmjet arsimit dhe kulturës. Por madhënija e këtij Shqiptari, të zhdukun thuejse në heshtje e n’indiferentizëm, u duhet spjegue profanve sepse mshefej nën nji dukë e mbrënda nji natyre qi nuk e lejshin mu shfaqun çiltas”.

Kështu shprehej Ernest Koliqi 80 vjet më parë në rastin e vdekjes së Ndre Mjedës, në një prej revistave kulturore të kohës (“Dom Ndre Mjedja” nga Ernest Koliqi, Cirka, nr.28-29, 5 shtator, 1937). Mjeda, një personalitet kompleks mes klerikut, gjuhëtarit, poetit e atdhetarit, ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve, por duket se portretit të tij nuk mund t’i shkohet asnjëherë deri në fund. Personaliteti i Mjedës do të mbledhë sërish së bashku studiuesit shqiptarë për të folur për të, me rastin e 150-vjetorit të lindjes (1866-1937).

mjeda2Akademia e Shkencave e Kosovës dhe Shqipërisë organizojnë në Prishtinë një konferencë shkencore, në të cilën do të marrin pjesë disa nga emrat më në zë në lëmë të studimeve dhe kritikës letrare. Programi i parashikuar për aktivitetin e sotëm përmban referate e diskutime, duke na sjellë edhe një herë në vëmendje poetin e “Andrrës së jetës”, “Vajit të bylbylit”, “Lirisë” etj., i cili qysh herët ka hapur debate mes studiuesish e kritikësh në vitet ’40. Ishte apo nuk ishte lirik i madh Mjeda?! Por do të risillen në vëmendje edhe gjuhëtari dhe aktivisti i çështjes së shqipes. Kështu, studiuesi Sabri Hamiti do të referojë për “Lirikun klasik”, Kolec Topalli na rikujton “Ndre Mjedën si gjuhëtar”, akademikja Floresha Dado tri poetikat në një, të Mjedës, Rexhep Ismajli do t’i rikthehet çështjes së alfabetit dhe drejtshkrimit në raport me jezuitët, misionit fetar që Mjeda i përkiste, studiuesja Dhurata Shehri do të flasë për “Stinët e Mjedjes”, Bardhyl Demiraj për “Bassaninë”, një toponim në derdhje të lumit Mat, me të cilin është marrë dikur edhe Ndre Mjeda, Ali Aliu na fton në leximin e poezisë, Shaban Sinani tek “Ikja prej rimës gramatikore si ikje prej rapsodisë”, Persida Asllani te “Shkrimi filobiblik i Mjedjes”, Kujtim Shala te norma e forma, ndërsa Mark Marku te “Përfaqësimi i botës shqiptare në poezinë e Mjedjes”. Do të referojnë po ashtu Nysret Krasniqi, Gjovalin Shkurtaj, Hysen Matoshi, Dom Nikë Ukgjini etj.

Ky aktivitet do të pasohet edhe në Tiranë, në Bibliotekën Kombëtare, ku do të përkujtohet ky përvjetor i Mjedës përmes një konference shkencore dhe ekspozitës së radhës me veprat e Mjedës dhe për Mjedën.

 Nga Alma Mile
Gazeta Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top