Në fokus

March 30, 2017 | 11:06

Personat me nevoja të veçanta dhe ndryshimi i terminologjisë

Juliana Dulla Msc Psikologe Këshillimi

Juliana Dulla
Msc Psikologe Këshillimi

Ndryshimi i terminologjisë për paaftësitë e ndryshme është një transformim kronologjik, sepse për të përcaktuar një paaftsi nuk nevojitet vetëm dije akademike, profesionale dhe arsimore, por edhe përvoja për dhënien e terminologjive të tilla. Mendja, vullneti dhe dëshira janë disa nga përcaktuesit e një terminologjie të tillë, sepse vullneti përcakton normalen nga anormalja. Nganjëherë edhe normalja mund të përcaktohet si paaftësi kur ke të bësh me një person me autizëm, me paaftësi në të nxënë, i diagnostikuar me sëmundje të shërueshme dhe të pashërueshme.

special-needs

Megjithëse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk e përmend aftësinë e kufizuar si një burim diskriminimi, Kreu I dhe II mbi të drejtat dhe liritë themelore të individit në RSH, e nënkupton atë në nenin 18:

1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si: gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.

3. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.

Fëmijët me aftësi të kufizuara: aty ku ky term është përdorur, i referohet fëmijëve me paaftësi fizike, shqisore apo intelektuale, apo me paaftësi të shumëfishta, të cilëve u mohohen të drejtat për shkak të ndërveprimit të barrierave dhe qëndrimeve shoqërore me gjendjen fizike dhe/ose intelektuale të tyre. Është qartësisht e pranuar dhe e kuptueshme se këta fëmijë nuk janë një grup homogjen dhe se ata kanë proces mësimi individual, mbështetje dhe nevoja personale, të cilat duhen pasur parasysh gjithmonë në planifikimin arsimor.

Fëmijët me nevoja të veçanta: Çdo fëmijë, i cili është duke përjetuar vështirësi në të mësuar, mund të ketë nevoja të veçanta. Megjithatë, disa vende kanë prirjen për t’i identifikuar fëmijët me nevoja të veçanta, si fëmijë me aftësi të kufizuara.

Arsimi gjithëpërfshirës: Arsimi, ku e gjithë shkolla shqyrton se çfarë masash duhet të marrë me qëllim që të jetë e aksesueshme për të gjithë fëmijët, përfshi këtu fëmijët me aftësi të kufizuara. Edhe pse ky raport fokusohet në mënyrë specifike në arsimin gjithëpërfshirës të fëmijëve me aftësi të kufizuara, e rëndësishme është të theksohet se prej arsimit gjithëpërfshirës, përfitojnë të tërë fëmijët, jo thjesht fëmijët me aftësi të kufizuara.

Arsimi i veçantë: Arsimi i marrë nga fëmijët me aftësi të kufizuara në një mjedis mësimor të ndarë nga fëmijët e tjerë, në të tilla vende si një shkollë apo qendër e veçantë. Disa shkolla gjithashtu sigurojnë akomodim për fëmijët.

Kuptimi ynë për “paaftësinë” bazohet në modelin social, i cili përqendrohet në të drejtat e njeriut dhe pengesat e krijuara nga mjedisi ku përfshihen mënyra e sjelljes së shoqërisë, kulturës, paragjykimet, mitet e keqtrajtimet. Gjithashtu një vend të rëndësishëm zënë dhe politikat shtetërore dhe zbatimet e tyre në sistemin arsimor dhe shëndetësor. Në këtë kontekst, gjithëpërfshirja nuk është vetëm integrimi në shkollë i nxënësve me aftësi të kufizuara, por është edhe transformimi e reformimi i gjithë shoqërisë. Ne besojmë se shkolla gjithëpërfshirëse si qendër edukimi, ka në vetvete potenciale që do të shërbejnë si institucion e model reflektimi për transformimin e komunitetit e të gjithë shoqërisë shqiptare në një shoqëri gjithëpërfshirëse.

 

Komunikimi

Konceptet apo pedagogjitë e “përjashtimit, të distancave, ndarjeve, veçimit, kategorizimit e kufijve shoqërorë” kundërshtojnë dhe dëmtojnë proceset gjithëpërfshirëse në arsim veç e veç apo, akoma më keq, të gjitha bashkë, sepse nxitin diskriminim e cenojnë të drejtën themelore për mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit.

Gjuha luan rol kryesor në krijimin e klimës së ngrohtë dhe mikpritëse në shkollë e shoqëri. Terminologjia e parapëlqyer prej nesh është “fëmijë me vështirësi apo nevoja të veçanta” për të theksuar kështu vendosjen e fëmijës, nxënësit, në fillim dhe “paaftësinë apo vështirësinë” mbas. Gjithashtu, në Strategjinë Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara thuhet se “aftësia e kufizuar nuk qëndron tek individi; ajo që ka individi është dëmtimi.”

Duke besuar që gjuha, si pjesa më e rëndësishme e bashkëveprimeve shoqërore, pasqyron proceset e ndryshimit dhe, akoma më ngushtë, lidhjet me normat shoqërore, patjetër që do të reflektojë gjuhësisht elemetet e reja të proceseve gjithëpërfshirëse. Pra, gjuha me ligjet e saj do të ndjekë dhe mbështesë procesin në të gjithë elementët e tij si në formë, ashtu dhe në përmbajtje. Gjuha, fjalori e qëndrimet gjithëpërfshirëse do të zëvendësojnë gradualisht etiketimet e kategorizimeve përjashtuese. Praktikat në fushën e edukimit kanë treguar që emërtimet e reja gjithëpërfshirëse janë njëkohësisht dhe konceptet e reja që lidhen me sjelljet dhe qëndrimet e hapura, pranuese dhe dashamirëse të komunitetit të shkollës dhe më gjerë.

Zhbërja e këtyre koncepteve përjashtuese e paragjykuese bëhet akoma më sfiduese për shkollën, klasën apo mësuesin gjithëpërfshirës, sidomos në rastin kur këto imazhe, stigma e paragjykime fatkeqësisht kanë zënë rrënjë në etikën e shoqërisë shqiptare. Shpesh këto paragjykime ndodhin në mënyrë pasive dhe jo qëllimisht, prandaj “Është e domosdoshme për çdo individ të ndërhyjë në mënyrë aktive, të sfidojë dhe të kundërshtojë sjelljet personale dhe institucionale, të cilat përjetësojnë shtypje”.

Që të ndodhë kjo, të gjithë edukatorët duhet të jene të hapur dhe të pranojnë ndryshimin që vlerëson shumëllojshmërinë dhe nxit barazinë. Të pranosh ndryshimin, do të thotë të mësosh. Është detyrë e shkollës të krijojë për mësuesin një mjedis ku të gjithë së bashku mësojnë nga njëri-tjetri. Shembujt tregojnë që mësuesi që e quan veten “nxënës” në klasën e tij dhe mëson e reflekton nga  përvojat, qofshin këto të suksesshme ose jo, është më efektiv në mësimdhënie e në arritjen e rezulateve të pritshmërisë së nxënësve.

Duke qenë se të gjithë jemi qenie sociale, ideja e një qeniejeje që nuk ka asnjë lloj mundësie të lidhet me qeniet e tjera njerëzore, është e frikshme e gati e tmerrshme. Tek e fundit, të gjithë ne krijojmë marrëdhënie e kemi nevojë për të tjerët që të ndihemi të realizuar. Kënaqësia që na jep marrëdhënia me të tjerët është po aq e natyrshme sa edhe ajri që thithim. Në këtë këndvështrim, është stresues mendimi i një izolimi kaq të madh. Si pasojë, dëshira për të thyer këto barriera komunikimi me këta fëmijë është e madhe. Ngaqë kur nuk arrijmë t’i thyejmë këto barriera shpesh shqetësohemi dhe me raste ndihemi dhe të pa shpresë.

 

Foto ilustruese

Foto ilustruese

Disa ndërhyrje që do të ishin efikase në arsimin gjithëpërfshirës:

• Mbështetje për shkolla individuale.

• Përmirësime për infrastrukturën e shkollave.

• Trajnimin e trajnuesve dhe trajnimin kaskadë (përfshirë specialistë të arsimit gjithpërfshirës, mësuesit, prindërit dhe fëmijët). Kjo zë pjesën më të madhe të projektit.

• Vlerësim shumëdisiplinor për fëmijët që konsiderohen me nevoja të veçanta.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top