Pavarësisht se varfëria nuk e lë të ngre kokë, ajo me të cilën duhet të përballet Sheqere Gega është edhe sëmundja, e cila po e vë poshtë nga dita në ditë. Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24 ka trajtuar këtë të premte problemin e një banoreje të Librazhdit e cila prej 7 vitesh është në dializë.
Sheqere Gega e cila ka zbritur nga një fshat i thellë i Librazhdit është e sëmurë e i duhej të ecë 4 orë në këmbë për të mbërritur në spitalin e qytetit. Ndaj vendosi të shpërngulej në Tiranë, e të strehohej në Banesat Sociale.
“Jam e sëmurë prej 7 vjetësh, jam në dializë. U detyrova të rri me qera këtu, dhe kam kërkuar vazhdimisht ndihmë. Kërkoj ndihmë vazhdimisht, se nuk i përballoj dot gjërat më”, shprehet ajo.
Sheqeres i duhet të shkojë tre herë në javë në dializë. E sikur të mos i mjaftonte ky hall, ka edhe dy prindërit të sëmurë.
“Vetëm iki në dializë, por kur kthehem jam shumë dobët, e dua një njeri patjetër mbrapa”, thotë Sheqerja.
Ilaçet që i duhen më tepër, ajo nuk i merr dot.
“Nuk i marr dot ilaçet që më duhen. Nuk i përballoj dot. Unë nuk marr azemplarin edhe Ferrovilin. Dua 12 ampula në muaj, ato kushtojnë. Janë shumë të rëndësishme për ne që jemi me dializë ndërsa unë nuk i kam marrë asnjëherë prej 7 vitesh. Gjithë jetën nëpër spitale, që kur kam lindur unë është sëmurë mami. Kur kam mbaruar klasën e tetë mami nuk ka lëviz më, nga ilaçet ka krijuar imunitet. Po gjithsesi jeta është me shpresa, kjo është jeta, duhet me e përballu ..” thotë Sheqerja.
Edhe Sheqerja do te kishte dashur një jetë normale, si gjithë të tjerët, por për të kjo, duket se është e pamundur.
“Do kisha bërë shumë gjëra, por kështu ka qenë kismet për ne,” thotë e trishtuar ajo.
Burimi / http://www.balkanweb.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.