Mirëqenie

September 19, 2017 | 10:52

Pesë faktorë për mirëqenien psikologjike

Mirëqenia është një koncept i vështirë, që përfshin disa anë dhe dimensione që mund të jenë subjektive, sociale, psikologjike dhe veç të tjerash është e lidhur ngushtësisht edhe me gjendjen e shëndetit. Sipas një studimi të botuar në “Psychotherapy and Psychomatisc” janë pesë aspekte të rëndësishme për të arritur mirëqenien psikologjike.

1

Pranimi i vetvetes

Kini një sjellje pozitive kundrejt vetes, duke shijuar virtytet dhe të mirat tuaja, por njëkohësisht edhe duke pranuar ato aspekte të karakterit apo fizikut që nuk ju pëlqejnë edhe aq shumë, pra defektet. Me konceptin “pranimi i vetvetes” duam të themi se është shumë e rëndësishme të llogarisni dhe të metabolizoni edhe të shkuarën e jetës suaj, me momentet e saj të lumtura, por edhe me ato të trishta.

Krijimi i lidhjeve cilësore

Pasi të keni gjetur mënyrën për të qenë të kënaqur me veten, hapi pasardhës padyshim është ai i të qenit mirë edhe me njerëzit e tjerë dhe të krijoni lidhje të qëndrueshme që i rezistojnë kohës, sentimentale apo edhe miqësore. E rëndësishme është të dini të besoni, të shijoni ndjenja dashurie, intimiteti apo empatie me njerëz të tjerë.

Ndjenja e pavarësisë e të menduarit dhe vepruarit

Është e rëndësishme të zhvilloni pavarësinë tuaj, si për bindjet e rëndësishme që mund të keni, ashtu edhe për veprimet konkrete. Ndaj duhet të jeni të gjendje t’i rezistoni presioneve sociale që vijnë nga ambienti i jashtëm, nga familja, etj. Duhet të jeni gjithmonë koherentë në këndvështrimet tuaja, duke mos u shqetësuar së tepërmi për pritshmëritë dhe vlerësimet e të tjerëve.

Të keni një qëllim në jetë

Sipas studimeve, ata që në jetë i përkushtohen vetëm arritjes së kënaqësisë, nuk ia dalin të kenë mirëqenien e vërtetë. Të keni një qëllim në jetë, bindje të forta dhe të ndiqni një drejtim është një objektiv që nuk duhet të mungojë asnjëherë në ekzistencën e çdo njeriu. Por është thelbësore edhe të mësoni t’i jepni një kuptim gjërave që ju kanë ndodhur në të kaluarën, në mënyrë që më pas të mund të ecni me vendosmëri në drejtimin e zgjedhur.

Rritja personale

Njerëzit që “punojnë me veten” dhe që janë në zhvillim të vazhdueshëm, rriten dhe përparojnë edhe falë dëshirës për t’u përballur me përvoja të reja. Ata mund të realizojnë mundësitë e veta dhe të arrijnë mirëqenien psikologjike. Të keni një vetëdije më të madhe për veten dhe të përkushtoheni ditë pas dite janë mënyra të efektshme që të mos mërziteni asnjëherë dhe që të keni një sjellje më pozitive përkundrejt jetës.

 

Këto nuk janë objektiva edhe aq të thjeshta, por në fund të fundit, që kur ka lindur njerëzimi, lumturia dhe mirëqenia janë konsideruar si dëshirat më të mëdha dhe njëkohësisht edhe më të vështira për t’u arritur (dhe për t’u ruajtur përgjatë kohës).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top