Konsumi i pijeve me sheqer, duke përfshirë edhe ata 100% lëng frutash, mund të rrisin rrezikun e kancerit, ka gjetur një studim francez. Shkencëtarët nga Universiteti Sorbonne Paris Cité monitoruan konsumin e ushqimit dhe pijeve të më shumë se 101,000 të rriturve në periudhën 2009 dhe 2017.
Ata thonë se megjithëse ndikimi i pijeve me sheqer në obezitet dhe diabetin e tipit 2 është studiuar gjerësisht, ndikimi i drejtpërdrejtë me rrezikun e kancerit nuk është aq i studiuar. Në përfundim të studimit të tyre të publikuar në British Medical Journal, thuhet se “konsumi i pijeve me sheqer ishte i lidhur dukshëm me rrezikun e kancerit të përgjithshëm”.
Ekipi ka përcaktuar si pije të sheqerit pijet që përmbajnë më shumë se 5% të karbohidrateve të thjeshta, të cilat përfshijnë pijet joalkoolike, shurupe dhe pije energjetike, ndër të tjera edhe ata që janë 100% lëng frutash. Ata gjetën se një shtesë prej 100 ml pije me sheqer në ditë rrit rrezikun e kancerit me 18%, por që pijet me ëmbëlsues artificial nuk ishin të lidhura me një rrezik në rritje të kancerit.
Nga 2.193 kanceret e konstatuar gjatë studimit, 693 ishin kancere të gjirit, 291 kancere të prostatës dhe 166 kancere kolorektale. Mosha mesatare në diagnozën e kancerit ishte 58.5.
Por shkencëtarët i zbutën gjetjet e tyre duke theksuar se studimi ishte “vëzhgues” dhe se rezultatet kishin marrë parasysh edhe faktorët sociodemografikë – mosha, gjinia, arsimi – si dhe zgjedhjet e jetesës siç janë nëse pjesëmarrësit konsumojnë duhan.
Burimi / PanoramaOnline
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.