Do të ishte me siguri më tërheqëse për ju të lexonit një skulptor a piktor që sapo ka dalë nga ekspozita e tij e suksesshme, por ky nuk është ende rasti i Edisonit. Sado të talentuar qofshin, nuk është aq e thjeshtë për artistët e rinj të bëhen pjesë zyrtare e jetës artistike të institucioneve.
Siç kuptohet edhe nga piktorët a muzikantët e rrugës ngado nëpër botë, kjo nuk është e metë vetëm e Shqipërisë. Ndoshta, nuk mund të konsiderohet fare e metë. Nuk mund të ketë vend për të gjithë. Koha do të zgjedhë më të mirët, i pranojnë ose jo institucionet brenda. Edison Balla duket sikur vjen nga vitet ’20. Me xhaketat, këmishat e kollaret e një epoke, që shumica e artistëve të sotëm do të donin të jetonin, Edisoni shpërndan në vendtakimin e njerëzve të sotëm, “Facebook”, imazhe të saposhkrepura të vetes, por që nuk paraqesin asnjë sforcim në ngjashmërinë me vitet e muzave të tij. Përmes fotografive, me të cilat gjithkush zgjedh të prezantojë veten, kuptojmë edhe pëlqimet. Portreti i Edisonit me mustaqet e holla (edhe pse jo të përdredhura), me cigaren në dorë e qëndrimin jo dhe aq rastësisht të hutuar, të çon tek ekzibicionet e Salvador Dalisë.
Kur e pyetëm, Balla pohoi se ishte një ndër të pëlqyerit e tij. Ca më shumë pëlqen Egon Schiele, Rene Magritte e Lucian Freud. Bashkë me fotografitë e zhvendosura në kohë të vetes, Edison Balla u paraqet miqve virtualë edhe punët e tij në baltë. Mund ta bëjë këtë vetëm përmes fotografisë. Të nesërmen, skulptura me siguri që nuk do të jetë më. Hapësira e tij e shtëpisë nuk është e mjaftueshme për të mbrojtur të gjitha shpërthimet e ditës e të natës së Edisonit. Ajo çka mbetet nga skulpturat e shumta të baltës që ka bërë, janë fotografitë. Nuk po përmendim zgjimet, zbrazjet e më pas prishjet e pakontrolluara prej të cilave nuk mbetet asgjë. Por këto janë tiparet e një artisti të ri, e pikërisht për shkak të tyre tërheq vëmendjen. Nesër mund t’ju thërrasë edhe nga xhamat e galerive, sot po flet këtu për punët e frymëzimet e tij. Për atë që mendon dhe derdh në baltë.
Është një skulpturë e juaja në baltë, që flet disi më shumë se të tjerat. Në vija të trasha është një femër që sjell jetën, por cilat janë simbolet e interpretimet e autorit?
E nisa këtë skulpturë si vetë jeta. Një sferë që simbolizon tokën, jetën… forma rrethore e bën atë të simbolizojë jetën, sepse jeta është një cikël që vërtitet rreth qenies derisa të prekë qendrën e saj që finalizon dhe të kurorëzon me vdekje. E nëse qendra është e prekur, merremi nga vdekja e përsosur. Por, pa shkuar te finalja, është e çuditshme se si të dyja gjinitë dalin nga një gjini, nga femra. E është po vetë ajo që të lejon të jetosh në botën e saj… kjo botë i mban të dyja gjinitë mbi të, por për mua bota, balta, mban emrin femër. Veza është një simbol që sjell jetë e kur ajo preket shpërthen dhe krijohet jetë…
Cilët janë frymëzuesit e tuaj?
Frymëzuesit e mi? Natyra e njeriut, gjendjet psikologjike, misteret, simbolet, rutina dhe femra.
Aq sa mundeni, na përshkruani procesin e ngacmimit, mbushjes dhe shpërthimin e një ideje që tjetërsohet në baltë…
Do të doja ta shoqëroja pyetjen me një imazh. Një pikturë që titullohet “ngjizja”. Është e gjitha e dedikuar lindjes së idesë. Kur je në proces krijimi ndodhin luftëra, zgjohen monstrat e fantazisë dhe harkëtarët godasin mbi telajo me shigjeta, ku i vetmi që godet në shenjë lë ngjyrë të kuqe gjaku e shigjeta bëhet simbol i penelit… dhe pas murit të ndërgjegjes dhe tundimit për gjak nga etja për art ndodhet portreti i një njeriu gri, që jep pa marrë parasysh asgjë vetëm për art… Për t’u mbushur me atë që quajmë frymëzim duhen të gjitha, duhet drita e mëngjesit, rrezet verbuese të diellit, shiu që të lag mendimet e qenies, perëndimi, errësira, frika… e deri tek e përditshmja që të rrëmben në kërkime e gjetja, e kur ndodhin këto nuk të mban dot lëkura që të mbështjell… thjesht shpërthen në heshtje duke shijuar vetveten, botën.
Duket sikur balta juaj flet kryesisht përmes portretit të femrës…
Femra është shenja më e qartë e pranisë së humanitetit dhe rrëzëllitjes së qenies njerëzore. Duhen thyer disa tabu të kohës, jo se femra është e huaj, jo vetëm se dashuria jepet si ndjenjë aq universale, sa mund të lidhë edhe dy njerëz të ndryshëm, por edhe për faktin e thjeshtë se femra në skulpturat e mia simbolike zë një vend të merituar, qoftë dhe kur ajo është prostitutë. Arti është në anën e saj, e mbron, e adhuron guximin e saj, por po kaq fuqishëm edhe me feminitetin dhe bukurinë që bart. Femra dhe dashuria rroken përgjithësisht në të gjitha fushat e artit, diçka më e thellë ajo është si përjetim etik dhe estetik, shoqëruar ndërkaq edhe me një tis dëshpërimi dhe trishtimi rrëzëllitës, të krijon bindjen e thellë se ia kam mbërritur të sjell në jetë në atë baltë tiparet e femrës. Qenia e saj e fuqishme te skulptura ime prehet për triumfin e dashurisë dhe misterit të saj. Pas tërë asaj qetësie nëpër korridoret e mendimeve të saj has ferrin, njeriun në rrëfimin e tij prej balte. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë figurat e femrës nëpër skulpturat e mia, që nga zanafilla e krijimtarisë sime.
“Femrat tuaja” nuk duket se flasin vetëm për joshje e bukuri. Në përgjithësi, çfarë kërkojnë të thonë?
Ato kërkojnë të duhen. Ato kërkojnë të duan. Kërkojnë t’u plotësohen tekat. Kërkojnë të preken, të qajnë, të qeshin… të arratisen, të lindin, kërkojnë botën për shpirtin e tyre plot drita… ato kërkojnë atë ç’ka kërkojnë dhe femrat në jetë. Veçse… duhet të qëndrojnë në baltë ashtu siç janë, nëse do të kishin jetë, do të isha çmendur tani.
Pse keni zgjedhur skulpturën?A nuk ju vjen keq për atë masën e baltës që e prishni pasi i jepni formë? Kjo ndodh edhe në pikturë në fakt, por artistët nuk e shpjegojnë gjithnjë arsyen… do të mundoheni pak?
Në fillim ishte zgjedhje e pamenduar në Lice… rrugës mësova ta dashuroja atë pa pasur frikë se mos bëhem pis nga balta, pa pasur frikë se mos me ngrin allçia në duar, a në mos digjem me metalin e nxehtë. Skulptura është dimension më vete, ka vëllim, zë vend në hapësirë… e unë i dua afër veprat, dua t’i prek e të bisedoj me to… Më duket sikur vras veten… janë dy arsye të vërteta që më vrasin çdo krijim: 1. Nuk e kam luksin që të ruaj çdo vepër, për shkak s’ka shumë mbështetje në ambientet tona. 2. Egoja ime profesionale nuk më lejon që ndonjë vepër jo e realizuar siç dua të më zërë hapë- sirën e vogël që kam, dua që atë pak hapësirë që kam ta mbushur me vepra që flasin, bërtasin, jetojnë dhe që të shkaktojnë emocion të më mësojnë, të thërrasin emrin tim.
Burimi/ Suplementi “Unë Gruaja”/ Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.