Këshilla & Arsye

May 27, 2016 | 17:01

Pirandelo në skenë, një sfidë e guximshme për 12 aktorë me 24 karaktere

Nga Orjona TRESA

Luixhi Pirandelo erdhi në Teatrin Kombëtar. Ose më mirë të themi, drama e tij. Dhe teatri është magji. Një dimension real fizik që transmeton reflektime njerëzore të ndryshme. Por gjithsesi, jo të gjithë kanë shije të njëjta sa i takon zhanrit. Dikush parapëlqen dramën, dikush komedinë e dikush tjetër teatrin absurd. Në këtë hapësirë, natyrisht që secili do përzgjedhë atë që e bën të ndihet më mirë me veten, ndërsa emocionet janë ndjesi amalgamë pas kontaktit me skenën. Të luash teatër brenda teatrit, gjithashtu është një gjetje.

Mes sfidash dhe veprash të ndryshme që ka ngjitur në skenë, Driada Dervishi, regjisorja tashmë me përvojë e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ka sjellë një shfaqje edhe më përfaqësuese. Reflektim që u duk gjithaq edhe si një sfidë me veten në rolin e të komunikuarit të veprës. Dhe Pirandelo nuk është fort i lehtë për t’u ngjitur në skenë. Sepse “të luash ta tekst” ka dy organika: të jesh aktor në rol dhe të dalësh prej tij për të qenë vetvetja, në po të njëjtën skenë.

Të punosh mbi një vepër që është shkruar gati një shekull më parë, për më tepër e luajtur me qindra herë në skenat më prestigjioze të botës, duhet të jetë një sfidë e guximshme. Dhe kjo ishte e dukshme, u ndje, u përthith në dialogët e herë pas hershëm me ndërprerje, në 60 minutat e parë të shfaqjes “Sonte do të luajmë pa tekst”. E deri në këto çaste, për shkak të batutave plot humor, ironi e ndopak sarkazmë, dukej se pjesa afrohej disi me komedinë. Kulmi vinte më pas. Një dimension krejt dramatik dhe emocionues këtë herë.

Po çfarë ndodhte brenda ngjarjes?!

Nga lozha qëndrore ku isha stacionuar këtë herë, e prej ku shfaqja dukej se më përkiste vetëm mua, ndjesia e të qenit të aktorit në rol dhe po aq jashtë tij, më krijoi përshtypjen e një skene befasuese aq sa mund të mendoja: mirë celularët nuk i lënë, por edhe këtu e gjetën të grinden?! Në fakt, kjo ishte si një thirrje për vëmendje. Kapërcimeve nga njëra gjendje në tjetrën, dukej se po ia merrja dorën. Tashmë pjesën më të madhe prej aktorëve i njoh edhe në realitet. Ndaj dhe përshtatja rol-karakter dukej se ishte gjetje me vend.

Regjisorja Driada Dervishi duket se e ka kapërcyer sfidën me veten, atë sfidë të vazhdueshme, me të cilën përballet sa herë i duhet të ngjisë në skenë një pjesë të re. Dhe të mos harrojmë se një radhë më parë se kaq, kishte preferuar Çehovin. Ndërsa këtë herë dëshiroi të luajë me frymën e të gjithë aktorëve në një shfaqje të përmasave sa komike dhe ironike, aq edhe dramatike shkruar nga një dramaturg, nobelist në letërsi, si Luixhi Pirandelo.

“La vita, o la si vive o la si scrive” thotë Pirandelo. (“Jeta, ose shkruhet, ose jetohet.”) Ky ishte edhe mesazhi i veprës, i ndërtuar në karaktere sa të fortë aq dhe komik, të cilat startuan që prej fillimit të shfaqjes. Një debat ngacmues, që ripërsëritej me publikun në pjesëza, një lojë skenike që herë pas here të shpërqendronte, për shkak të asaj që vetë dramaturgu ka ideuar, dhe një skenografi e ndriçuar nga abazhurët dritëverdhë që dukej se shpërndanin gjithaq fokusin e këtij stili teatror në të gjithë platenë. Teatri i Pirandelos është quajtur “teatri i pasqyrës”, pasi në të duket jeta e vërtetë, ajo e zhveshura, e hidhura, pa maskat e hipokrizisë dhe të konvencioneve shoqërore, në mënyrë që publiku të shohë veten të reflektuar dhe kështu, duke e parë të ndryshojë për të qenë më i mirë.

Kasti i trupës, 12 prej të cilëve ishin aktorë dhe 4 balerinë, ishin të përzgjedhur më së miri. Në rolin e një “dirigjenti” të shfaqjes, Met Xhelili, gjithashtu regjisor për nga profesioni, duket se i dha atë karakter personazhit, të cilin ai e ka përfituar nga puna e tij shumëvjeçare. Thënë shkurt, në dramën e Pirandelos, ai ishte dy herë regjisor: vetvetja dhe një tjetër që ishte pjesë e rolit.

Pa i hequr asnjë presje ishte dhe personazhi tepër i arrirë i aktores Yllka Mujo, e cila shpërfaqi figurën e një nëne protektive sa i takonte marrëdhënieve me tri vajzat e saj, që luheshin nga Adelina Muça, Olta Gixhari dhe Niada Saliasi.

Sokol Angjeli, bashkëshorti naiv i zonjës së shtëpisë, theksonte pushtetin e bashkëshortes në vendimmarrjet në familje.

Sheqeri mbi tortë ishte gërshetimi i veprës me koreografi dhe këngë, këto të fundit interpretuar nga vetë aktorët. Edhe pse zërat nuk mund të ishin aq të intonuar, një aktore me diplomë kantoje si Yllka Mujo, por dhe Olta Dakut që luante rolin e një këngëtareje kabareje, do t’i jepnin emocione të tjera veprës. Kjo u arrit falë dhe fizarmonikës së luajtur në skenë nga Elton Balla.

E pikërisht kur shfaqja dukej se do të na nxirrte tjetërkund, ajo mori një rrjedhë tjetër. Adelina Muça, e quajtur “Momina”, njëra prej tri vajzave të Yllkës, apo përndryshe nënës protektore, më e urta dhe e dashuruara pas muzikës, e burgosur përjetë pas ëndrrës së saj për të qenë këngëtare lirike, u finalizua si personazhi kulmor i veprës. Në dramë, fati i dha një bashkëshort me probleme të personalitetit, me karakter bipolar, që i merrte frymën dhe i mbante peng lirinë, kufizuar mes katër mureve, e vetme me dy bijat e saj motake. Ky rol i përjetësuar nga Adelina Muça erdhi ndjeshëm mes koreografisë skenike dhe një aktori partner po me kaq taban në skenë siç është Dritan Boriçi. Adelina, apo “Momina”e Pirandelos, nuk ia doli të jetonte me ritmin e dy motrave dhe nënës së saj. Epilogu vinte mes një vallëzimi, ku koka dhe trupi mbuloheshin herë-herë nga një mantel i kuq, ndërsa në luftën për t’u çliruar vjen asfiksia. Fundi ishte edhe më tragjik se kaq.

E ndërsa krejt ndryshe, madje komikë vinin në role partnerët e tjerë, aktorët Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Gent Hazizi, Neritan Liçaj dhe Marsel Rupi.

Muzika ishte elementi qëndror, qëndisur për çdo akt, që nga “Rekuiemi” i Moxartit e deri te muzika italiane e kabareve, një përzgjedhje nga Metila Dervishi dhe përgatitje muzikore nga baritoni i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Sokol Hidërsha. Koregrafia e Elton Cefa plotësoi veprën interpretuar nga balerinët Frenki Ziaj, Mateo Nushi dhe Evisa Lazri. Pa lënë mënjanë rëndësinë e kostumografisë së Desantila Likës, e cila duhet thënë se u ishte përshtatur aktorëve.

***

Luigi Pirandelo lindi më 28 qershor të vitit 1867, në Agrigento, Itali. Ai ishte shkrimtar, dramaturg dhe poet italian me një krijimtari të gjerë artistike në novela, tregime të shkurtra e romane. Ai u vlerësua në 1924 me Çmimin Nobel “për kurajon dhe gjenialitetin e tij në përshfaqjen e artit dramatik e teatral”. Në 1925 themeloi Kompaninë e Teatrit të Artit me të cilën udhëtoi nëpër botë. Pirandelo ndahet nga jeta në vitin 1936, duke lënë të papërfunduar testamentin e tij shpirtëror, dramën “Gjigantët e malit”.

Me prejardhje nga një familje e mirëqenë borgeze, siç ka rrëfyer shpesh në librat e tij, ai ka pasur një fëmijëri jo të lehtë për shkak të vështirësisë për të komunikuar me të rriturit. Vuante edhe nga pagjumësia. Pasi kreu studimet në vendlindje, vazhdoi studimet universitare në Palermo dhe pastaj në Romë, dega filologji romane, studime që arriti t’i përfundonte vetëm në Bonn të Gjermani-së.

Kurorëzimi i Pirandelos si shkrimtar i mirëfilltë erdhi bashkë me romanin e tij të parë, “Qe Mattia Paskal”, i publikuar në 1904. Edhe pse kritika letrare nuk i dha shumë hapësirë, publiku e priti mirë shkrimtarin dhe vlerësoi filozofinë e tij të “maskave”, e cila do ta shoqëronte gjatë gjithë veprave.

Pas vitit 1922 i dedikohet edhe teatrit, gjithmonë në gërshetim me një ironi të hollë dhe një pështjellim të sjelljes së njeriut, në kërkim të së vërtetës kaq relative dhe personale.

E shkruar në Berlin në vitin 1929, “Sonte do të luajmë pa tekst” është pjesa e tretë e trilogjisë, pas “6 personazheve” dhe “Secili sipas qejfit së tij”. Kjo komedi e mbështetur në një nga novelat e Pirandelos “Lamtumirë Leonora” përfshin problematikat e një sërë raportesh si ai: dramaturg – regjisor, regjisor – aktor, aktor- publik.

soela2

soela4

soela3

soela6

 

soela5

soela1

soela7

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top